Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline ka nisur zbatimin e projektit në Shqipëri. Gjurma e tij do të shtrihet në rreth 215 kilometra, ndërsa dalja në detin Adriatik parashikohet të jetë në Seman të Fierit e më konkretisht në fshatin Topojë.
Prej pak ditësh, në portin më të madh të vendit, atë të Durrësit, po shkarkohen tubat e parë, ku në total janë rreth 13,000 të tillë. Gjatë pesë viteve të ardhshme, TAP parashikohet që të investojë rreth 5.6 miliardë euro, nga të cilat rreth 1 miliard euro në Shqipëri, ndërsa në Greqi kjo shifër llogaritet në rreth 2.3 miliardë euro.
Ndërtimi i tij pritet të rrisë sigurinë e furnizimit me energji në Europë dhe për këtë është punuar në sigurimin e disa ndërlidhjeve. Kjo është arsyeja që TAP do të lidhet me TANAP, gazsjellësin Trans Anatolian, SNAM në Itali, si dhe mund të lidhet me interkonektorin Greqi-Bullgari (IBG) dhe gazsjellësin Jonian Adriatik (IAP).
Me anë të këtij projekti, Shqipëria forcon pozitat e saj gjeopolitike dhe për herë të parë sigurohet vendosja në hartën europiane të energjisë, si sigurohet integrimi tregtar. TAP do të lehtësojë zhvillimin e infrastrukturës energjetike të vendit dhe tregun e brendshëm të energjisë, gjithashtu do të përmirësojë ekonominë dhe do të hapë vende të reja të punës. Aktualisht janë rreth 1,000 persona që po punojnë në Shqipëri për këtë projekt, ku 95% janë shqiptarë. Rëndësi po i jepet edhe përfshirjes së kompanive shqiptare si nënkontraktorë, ku më konkretisht janë: shoqëria e përbashkët Gener 2 dhe Sicilsaldo (kontraktor për rehabilitimin e Rrugëve Ndihmëse dhe Urave në Shqipëri); Spiecapag (kontraktor EPC për dy lote në Shqipëri); JV Renco S.p.A dhe Terna S.A (kontraktor EPC për stacionet e kompresorëve të projektit); Saipem SpA (kontraktor EPCI për seksionin detar të projektit); ABKons (ka mbështetur TAP-in për vlerësimin, shpalljet publike dhe këshillimin publik për raportin VNMS të TAP-it për Shqipërinë. Aktualisht po punon për Blerjen dhe Servitutin e Tokës për të siguruar të drejtën e kalimit në Shqipëri).
Flet Shkëlqim Bozgo, menaxher i TAP për Shqipërinë
Ndikimi i TAP…
Punimet civile për ndërtimin e TAP në Shqipëri kanë filluar që prej muajit korrik të vitit të kaluar me rrugët dhe urat ndihmëse që janë tashmë në një fazë të përparuar dhe një pjesë e tyre edhe të përfunduara. Punimet për ndërtimin e tubacionit të TAP në Shqipëri do të kryhen nga kompania e mirënjohur Spiecapag. Kjo kompani shumë shpejt do të organizojë transportimin e tubave drejt shesheve të tjera të magazinimit përgjatë korridorit, në përputhje me planin e kryerjes së punimeve.
Transportimi i tubave është paraprirë nga mbikëqyrja dhe vlerësimi teknik, nga ana e TAP dhe kontraktorit, të të gjitha rrugëve kombëtare dhe rurale, përmes të cilave do të kryhet transporti, një pjesë e mirë e të cilave janë përmirësuar ose ndërtuar tashmë ose janë në proces përmirësimi apo ndërtimi, me qëllim që të mundësojnë kryerjen me sukses dhe në mënyrë të sigurt të një operacioni transporti të përmasave të këtilla. Analiza ka marrë parasysh kthesat e rrugëve, gjerësinë e tubave, kryqëzimet e ndryshme, linjat elektrike ajrore apo të telekomunikacionit, tunelet, urat, stacionet, dendësinë e trafikut ndërurban, oraret e shkollave apo institucioneve, zonat e tregtimit, zonat e banuara, etj.
Sa parashikohet të zgjasë ky proces dhe cilat do të jenë masat që ju do të merrni për të minimizuar ndikime të mundshme negative në aktivitete të tjera ekonomike në vend?
Sikurse dihet, projekti TAP është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, i cili fillon prej Azerbajxhanit dhe përfundon në Itali. Ai është 3,500 km i gjatë dhe kostoja e tij vlerësohet në 45 miliardë USD. TAP është pjesa perëndimore e tij, me një gjatësi prej 858 km. Janë 13,000 tuba çeliku, bërryla dhe pajisje të tjera që do të vijnë në Shqipëri, që do të transportohen dhe më tej montohen e saldohen si pjesë e projektit. Tubat janë 18 dhe 12 metra të gjatë, me një diametër 1.22 metra. Vetëm këto shifra japin lehtësisht idenë e dimensioneve të projektit dhe të kompleksitetit të tij. Ndërtimi i TAP është i pari i këtyre dimensioneve në Shqipëri dhe për pasojë i tillë është edhe kompleksiteti që e shoqëron. TAP, i mbështetur nga aksionerët e vet që janë kompani me eksperiencë shumëvjeçare në sektorin e hidrokarbureve ndjek praktikat më të mira të industrisë në projektim dhe zbatim. Siguria në punë dhe ndaj mjedisit janë parësore për TAP. Në shtesë, tubacioni TAP është një investim afatgjatë dhe për këtë arsye, marrëdhëniet me të gjithë aktorët vendas janë shumë të rëndësishme për të.
TAP do të sjellë impakte të rëndësishme pozitive për vendin gjatë fazës së ndërtimit dhe më tej operimit të tij, sikurse do të shoqërohet edhe nga sfidat e veta. Në këtë kontest, zbatimi me sukses i TAP nuk mundet të jetë veçse rezultat i bashkëpunimit efektiv dhe mbështetjes së të gjithë aktorëve; qeverisë qendrore dhe asaj lokale, komuniteteve dhe kontraktorëve.
Transporti i tubave, bërrylave dhe pajisjeve të tjera të nevojshme për ndërtimin e tubacionit sapo ka nisur dhe parashikohet të vazhdojë në më shumë së një vit. Sigurisht, një operacion i përmasave të këtilla do të rrisë numrin e mjeteve të transportit dhe është e pritshme të sjellë ngadalësim të lëvizjeve në trafik në rrugët përkatëse. Për të minimizuar këto efekte, TAP ka ndërmarrë paraprakisht një sërë takimesh informuese dhe këshillimore me autoritetet qendrore dhe vendore, sikurse ka organizuar fushata informimi në të gjitha komunitetet që do të ndikohen prej transportit të tubave. Kontraktori i TAP-it, i cili do të kryejë direkt në terren operacionin e transportimit dhe më tej ndërtimin e tubacionit, është në procesin e përgatitjes së të gjithë detajeve të nevojshme për optimizimin dhe kryerjen me sukses të operacioneve.
Transporti do të kryhet në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi të Republikës së Shqipërisë, si dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare. Transportimi i tubave dhe të gjitha pajisjeve të tjera do të kryhet me anë të automjeteve speciale, të cilat përshtaten deri në 22 metra për tubat me gjatësi 18 metra. Secili prej këtyre kamionëve do të transportojë vetëm dy tuba çdo rrugë. Për një transport të sigurt dhe me sa më pak ndikim për komunitetet dhe bizneset përgjatë korridoreve rrugore që do të përdoren, kamionët do të eskortohen nga dy makina shoqëruese. Janë marrë të gjitha masat e nevojshme që shqetësimet për komunitetet dhe bizneset që zhvillojnë aktivitetet përgjatë rrugëve të jetë sa më i vogël.
Kemi mësuar që transporti i tubave është duke u kryer prej një kompanie shqiptare, cili do të jetë edhe më tej angazhimi i kompanive vendase? Cila është politika juaj?
TAP e zbaton projektin me anë të Kontraktorëve të tij kryesorë të cilët janë përzgjedhur në vijim të një procesi prokurimi shumë kompetitiv, të zhvilluar në bazë të rregullave të Bashkimit Europian. Në vijim, kontraktorët e zbatojnë projektin duke nënkontraktuar kompani të tjera, në funksion të proceseve që ato do të zbatojnë. Tenderi për kryerjen e ndërtimit të rrugëve dhe urave ndihmëse u fitua prej kompanisë shqiptare Gener 2 në Joint Venture me kompaninë italiane Sicilsaldo dhe deri më tani, ata kanë kryer një punë shumë të mirë. Është edhe një numër kompanish të tjera shqiptare, të cilat janë intensivisht të angazhuara në projektin TAP. Sikurse ju e përmendet, kontraktori i prodhimit të tubave të TAP ka angazhuar një kompani shqiptare për transportimin e tubave dhe ne kemi besim se shumë kompani të tjera shqiptare do të kenë mundësinë të nënkontraktohen prej kontraktorëve të TAP përgjatë ndërtimit të projektit.
TAP, që prej procesit të prokurimit strategjik dhe aktualisht është duke lehtësuar procesin e prezantimit të kompanive shqiptare tek Kontraktorët e vet, të cilët kanë një interes të natyrshëm të angazhojnë kompani shqiptare, ndërkohë që këto të fundit kanë avantazhe konkurruese në fushat e ekspertizës së tyre, sidomos atë ndërtimore si dhe atë të kostos. Sidoqoftë, përzgjedhja është një vendimmarrje komerciale e pavarur e kontraktorëve të TAP. Me rastin e organizimit të ceremonisë së mbërritjes së tubave të parë të çelikut në Shqipëri, TAP është duke mundësuar edhe komunikimin mes kompanive shqiptare dhe kontraktorëve kryesorë për të rritur shanset për bashkëpunim mes tyre. Gërshetimi i përvojës së kontraktorëve tanë ndërkombëtarë me njohjen e realitetit shqiptar që kanë kompanitë vendase, përbën një potencial të madh për bashkëpunim.
A mund të flitet për ndikime në ekonomi në këtë fazë të projektit dhe cilat mund të jenë ato?
TAP do të ketë ndikime shumë të rëndësishme në vend si gjatë fazës së ndërtimit, ashtu edhe në terma afatgjatë. Impaktet pozitive në ekonominë shqiptare janë tashmë të përmendura në një numër raportesh dhe vlerësimesh prej autoriteteve shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare si FMN, BERZH etj. Gjatë këtij viti dhe në dy vitet që vijojnë aktivitetin për ndërtimin e TAP do të jenë shumë intensiv dhe për pasojë, edhe efektet në ekonominë shqiptare pritet të jenë shumë më të mëdha. Përfshirja direkte ose në mënyrë indirekte e kompanive shqiptare në ofrimin e shërbimeve të ndryshme që ka nevojë projekti, ka bërë që këto kompani të rrisin aktivitetin e tyre ekonomik, përfshirë këtu edhe hapjen e një numri të konsiderueshëm të vendeve të reja të punës. Vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit, TAP, kontraktorët dhe nënkontraktorët e tyre kanë punësuar direkt mbi 1000 persona, ku mbi 95% e tyre janë shqiptarë dhe një pjesë e mirë e tyre nga zonat përgjatë gjurmës së projektit aty ku kryhen direkt punimet. Pritet që në periudhën në vijim, numri i të punësuarve direkt në operacionet e TAP të arrijë mbi 2,000 vetë.
Është e rëndësishme të përmendet se, si pasojë e aktivitetit të projektit, janë edhe një sërë biznesesh të tjera vendase, të cilat në mënyrë indirekte janë duke ofruar shërbimet e tyre dhe duke u zhvilluar sikurse konsulencat lokale, shërbimet e transportit, hoteleria dhe marrja e shtëpive me qira, restorantet, shërbime ndihmese etj. Në këto aktivitete të shtuara të këtyre bizneseve do të punësohen gjithashtu të tjerë njerëz, çka është një efekt tjetër pozitiv i pritshëm prej TAP, por jo direkt dhe jo lehtësisht i identifikueshëm.
Nuk duhet lënë pa përmendur se përmirësimi i infrastrukturës rrugore nuk është vetëm në funksion të ndërtimit të gazsjellësit, por edhe të komuniteteve. Rrugët dhe urat e rehabilituara ose të ndërtuara rishtas kanë filluar të ndihen prej banorëve të fshatrave përgjatë gjurmës, duke u krijuar atyre lehtësi që prej zonave të izoluara dhe të largëta të tregtojnë prodhimet e tyre blegtorale apo bujqësore në zonat urbane.
Gjithashtu, shumë i rëndësishëm është fakti që kompanitë shqiptare po punojnë përkrah dhe në bashkëpunim me disa prej kompanive më të mëdha dhe me shumë eksperiencë ndërkombëtare. Kjo përvojë do të rrisë kapacitetet dhe konkurrueshmërinë e tyre për të kërkuar mundësi biznesi edhe jashtë Shqipërisë në të ardhmen. Pjesë e aktivitetit të kontraktorëve të TAP është gjithashtu organizimi i trajnimeve për të rritur aftësitë e punonjësve në Shqipëri në fusha të ndryshme ekspertize. Kjo ekspertizë do të jetë shumë e vlefshme për zhvillimet e ardhshme në vend.
Nga informacionet që kemi, ceremonia e përurimit do të mbahet në Greqi, në datë 17 maj, në çfarë niveli është bashkëpunimi mes dy vendeve? Po me Italinë?
Po, është e vërtetë, ceremonia e inaugurimit të fillimit të punimeve të projektit TAP, si një i vetëm, është planifikuar në datën 17 maj në Selanik të Greqisë. Në të do të marrin pjesë nivele shumë të larta përfaqësimi të vendeve ku TAP po ndërtohet, por edhe nga vende të Korridorit Jugor të Gazit, nga BE si dhe mbështetës të tjerë të projektit.
Projekti TAP është një i vetëm dhe për pasojë, i gjithë projektimi dhe zbatimi i tij është plotësisht i koordinuar. Në kuadrin e Marrëveshjes Ndërqeveritare për projektin TAP janë zhvilluar takime mes përfaqësuesve të qeverive të të tre vendeve, takimi më i fundit u zhvillua në Tiranë. Mbështetja për TAP është e shprehur në mënyrë të vazhdueshme nga nivelet më të larta qeveritare të të tre vendeve.
A mendoni se po ngushtohet koha për përgatitjen e masterplanit dhe cili është angazhimi aktual i TAP në lidhje me këtë?
Një prej impakteve të shumta pozitive që projekti TAP do të ketë në Shqipëri është edhe krijimi i kushteve për zhvillimin e sektorit të gazit natyror. TAP do të mundësojë lidhjen e Shqipërisë me dy tregje të rëndësishme të gazit natyror, atë të Italisë dhe Greqisë dhe më tej, me tregjet e tjera të lidhura me to në Lindje dhe në Perëndim. Në përputhje me Marrëveshjen e Vendit pritës dhe Vendimin e Përbashkët të Rregullatorëve të Energjisë, TAP do të ndërtojë pika dalje gazi në Shqipëri prej të cilave konsumatorët shqiptarë do të mundet të furnizohen. Nen kujdesin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, është duke u përgatitur Master Plani për sektorin e gazit natyror dhe tashmë është bërë një progres i konsiderueshëm. TAP është pjesë e grupit këshillues dhe e ka ndjekur me interes procesin e përgatitjes së këtij masterplani duke dhënë sugjerime sipas rastit. Masterplani është duke përparuar sipas parashikimeve dhe ne presim më shumë interes rezultatet e tij.
Rruga shqiptare e TAP
Në një kalatë të dedikuar të Portit të Durrësit, prej pak ditësh kanë nisur të mbërrijnë sasitë e para të tubacioneve që do të transportojnë gazin për në zemër të Europës. Janë
prodhim gjerman i një cilësie të lartë dhe pjesa shqiptare e gazsjellësit, do të përbëhet nga rreth 13,000 tuba, të cilët do të vendosen përkohësisht në një hapësirë prej 90,000 m² pranë Shkozetit. Transportimi deri në këtë qendër sigurohet nga prodhuesi i tubave, ndërsa do të jetë një kompani shqiptare transporti, Diamanti sh.p.k, ajo që do të bëjë shpërndarjen nga zona e grumbullimit deri tek ato më të afërta me gjurmën e gazsjellësit. Pjesa më e madhe e tubave do të jenë 18 metra të gjatë, por nuk do të mungojnë edhe ato me gjatësi 12 metra.
Njëkohësisht do të nisë edhe transporti i makinerive të rënda të nevojshme për shtrimin, dhënien e këndeve dhe bashkimin e tubave. Bëhet fjalë për makineri të posaçme që shërbejnë për ndërtimin e tubacioneve të tilla. Transportimi realizohet me siguri të lartë, pasi nuk qarkullohet me shpejtësi më të madhe së 40 km/orë dhe nuk transportohen më shumë se dy tuba. Në pjesën shqiptare, shtrimi i tubacionit ka edhe sfidën e një territori të vështirë që gjendet kryesisht në zonën e Çorovodës, aty ku është edhe lartësia më e madhe mbi nivelin e detit 1,800 metra.
Pesha e tubave të çelikut për gjatësinë e projektit në pjesën shqiptare (rreth 215 km) mësohet se është rreth 126,000 tonë (ku 1 tub = 10 tonë; më 2 cm spesor). Ndërsa presioni maksimal punues në stacionin e kompresorit do të jetë 95 bar. Me shtimin e proceseve të punës për shtrimin e tubacionit parashikohet të rriten edhe vendet e punës. Aktualisht janë të angazhuar rreth 1,000 persona (regjistrim, ndërtim rrugë aksesi etj.), por në këtë shifër nuk përfshihen ata që do të angazhohen me transportin. Sa i përket tokës, TAP do të angazhojë rreth 8,800 parcela (përfshi këtu edhe ato për kompresorët dhe valvulat e sigurisë), ku shteti ka vetëm një pjesë të vogël në pronësi.
Por, sfida më e madhe e Shqipërisë është një tjetër. Ajo ka të bëjë me gazifikimin e vendit, me përgatitjen e një masterplani i cili do të hedhë dritë mbi nevojat e tregut të gazit. Është parashikuar që të përfundojë në qershor të këtij viti. Gjithashtu qeverisë shqiptare do t’i duhet të negociojë me tregtuesit e gazit azer në lidhje me sasitë që do të mbeten këtu. Shqipëria nuk mundi të rezervonte dot nga sasia prej 10 miliardë metër kub gaz që parashikohet të transportojë TAP, në fazën e parë, pasi nuk njihen nevojat reale të tregut, si për konsumatorët, ashtu edhe për familjarët. Por, ajo mund ta bëjë këtë me zgjerimin e kapacitetit, i cili pritet të arrijë në shifrën 20 miliardë metër kub.
Greqia, vendi tjetër nga ku do të kalojë gazi azer, ka prenotuar sasinë prej rreth 1 miliard metër kub gaz. Kjo sasi do të nisë të transportohet në vitin 2021.
Për Shqipërinë, nga vlerësimet është përllogaritur si nevojë primare rreth 350-400 milionë kub në vit, ku është pasur parasysh prodhimi nga TEC-et, në metalurgji, në sektorin e çimentos, pra kryesisht në ato industri ku përdoren lëndë djegëse. Me ardhjen e gazit, kjo marrëdhënie do të ndryshojë sepse presupozohet që gazi do të vijë ndjeshëm më lirë. Konsumi për nevoja familjare ka aspekte të diskutueshme, pasi ka një dallim cilësor dhe sasior ndërmjet përdorimit të gazit për konsum më Europën Qendrore dhe Veriore dhe Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Mesdheut. Kërkesa është jashtëzakonisht e lartë, ndërkohë që furnizimi e ka të pamundur ta kënaqë atë. Burimet vendase të gazit nuk mund të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në bilancin energjetik të lëndëve të para. Sistemi i gazit është praktikisht jashtë përdorimit.
Për të siguruar futjen e gazit natyror në Shqipëri është duke u bashkëpunuar me partnerët e huaj në dy drejtime, në atë të gazsjellësve dhe në atë të terminaleve të GNL-së.
Projekti TAP do të bëjë të mundur gjallërimin e industrisë së gazit. Sipas studimeve, konsumi i gazit natyror do të rritet me 1.6 miliardë m³ gaz në vitin 2030, ku rreth 70% e tij pritet të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. Në fillim, gazi natyror do të përdoret në sektorin e industrisë për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa pas vitit 2020 do të ofrohet për konsumatorët vendas me një konsum të pritur final prej 37%.
Kërkesat për furnizim me gaz natyror nuk janë realizuar për shkak të mungesës së infrastrukturës. Duke u mbështetur në të dhënat e ofruara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) prodhimi i gazit natyror në Shqipëri për vitin 2014 ishte 28 ktoe, ndërsa sasia e shpërndarë për konsumatorin ishte vetëm 8 ktoe.
Fakte Kyç
Kapaciteti
10 bcm/vit, mjaftueshëm gaz për të furnizuar rreth 7 milionë familje.
Diametri: 48 inç (1.2 m) në pjesën tokësore; 36 inç (0.91 m) në pjesën detare.
Situata fillestare: Dy stacione kompresorësh (një në Kipoi, Greqi dhe një në Fier, Shqipëri) dhe rrjedhje e kundërt fizike e integruar.
Situata kur zgjerohet: më shumë se 20 bcm/vit kapacitet duke instaluar dy stacione të tjera kompresorësh, një në Serres, Greqi dhe një në Bilisht, Shqipëri.
Elona Bedalli / Monitor