Gjithçka do të trondiste jetët e asaj familjeje, në vitin 2013. Por më shumë se kushdo do të vuante zemra e dhembshur e një nëne, e cila e ndan me dritare.net, dhimbjen dhe forcën e saj.
“Ishte 22 gusht, kur të gjithë fëmijët e familjes kishin kaluar virozën e stinës. Vajza e dytë ndihej keq dhe kur shkova të blija barnat, shitësi i keqardhur më tha të mos mërzitesha se viroza e gushtit kështu e kishte. Shkova në shtëpi, vajza mori ilaçet, por për dy ditë gjendja papritur u përkeqësua”, tregon Liljana duke shpjeguar gjenezën e një sëmundje të rëndë e të lodhshme. Ajo, e shqetësuar pas kësaj gjendje, mori vajzën e saj adoleshente dhe e çoi menjëherë në poliklinikë për kontroll.
“Bëmë një eko dhe vajza nuk ishte aspak mirë, me zor qëndronte në këmbë. Kur u shfaqën rezultatet, mjekët njëri pas tjetrit u mblodhën si pa dashur për të bërë një konsultë të shpejt. Nuk e di pse mishi m’u bë me mornica dhe zemra më parandjeu diçka, nuk ishte e mirë. Por pavarësisht shqetësimit tim, i thashë mjekes se do të flisnim sapo të shoqëroja fëmijën në korridor”. Ndërsa tensioni rritej, mjekja më e guximshme, primarja e poliklinikës, u drejtua nga nëna e shqetësuar për t’i thënë se, nëse do të kishte terezi, t’i binte mbrapa vajzës diku jashtë vendit, do bënte mirë. Çështja ishte vërtetë serioze.
Këtu nis edhe rrugëtimi i gjatë e i mundimshëm i një nëne e cila do të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar jetën vajzës…
“U nisëm për në Qendrën Spitalore më të madhe në vend, në spitalin Nënë Tereza. Pavarësisht ekos që kishim bërë në poliklinikë, duke dashur të sfidonim rezultatin, vendosëm të bëjmë një tjetër eko. Telefonova bashkëshortin, vëllanë, të gjithë njerëzit. U mblodhëm të gjithë në spital dhe kërkonim nga mjekët një përgjigje, një zgjidhje, një shpresë”. Përgjigjen vendosi ta japë shefi i shërbimit. Sëmundja ishte tepër e rëndë dhe spitali më i madh i vendit, një qendër terciare, që normalisht duhet të funksionojë edhe për kërkim shkencor, Nënë Tereza nuk kishte asnjë mundësi për të përballuar një operacion të tillë. Me fjalë të thjeshta, zemra e vajzës së Lilit, do të duhej të mbahej në parametra funksionalë ndërkohë që mjekët duhet të kryenin ndërhyrjen. Kjo ishte e pamundur.
“Bëmë shtrimin në spital dhe qëndruam atje derisa të merrnim një përgjigje më të qartë. Vajza ishte keq, e shpuan në çdo pjesë të trupit. Edhe unë isha shumë keq, por nuk doja të jepja veten, doja të isha e fortë”, thotë nëna e 16 vjeçares të diagnostikuar me sëmundje të vështirë për tu kuruar.
Liljana tregon se ishin të gjithë të shqetësuar, dëgjonin mjekët që flisnin për problemin e madh me Venakavën. Ç’të ishte kjo venë kaq e rëndësishme për furnizimin me gjak dhe oksigjen që mbante në jetë gjithë organizmin e njeriut, por për jetën e vajzës vetëm 16 vjeç të Liljanës po hapte kaq shumë probleme?!
“Menjëherë vëllai im, Dëfrimi, telefonon mikun e tij në Gjermani ku i shpjegon se situata është shumë e rëndë dhe kishim nevojë për një spital jashtë për kurim të avancuar. Pas përgjigjes, u bëmë gati për tu nisur në Gjermani. Morëm avionin dhe në terminalin e Mynihut na priste Ismaili, miku i dajës. Vajza ishte aq e sëmurë sa gjendja e të vjelljes i kishte kaluar kufijtë e të imagjinueshmes. Përpiqesha gjatë gjithë kohës ta mbaja me gajret duke thënë që arritëm, arritëm, ndërkohë që nuk e dija as ku isha, as ku do të shkoja, edhe sa mbante rruga. Mundohesha të isha shpresëdhënëse dhe mburoja e vajzës”, rrëfen Lili.
Kunikum Rechts der Isar ishte spitali i parë ku u drejtuan. Mjeku Hubert Kubler, me titull Pd. Dr. Med ishte mjeku i parë që Liljana dhe vajza e saj kujtojnë me shumë dashuri dhe respekt. Ai i ka ndihmuar aq shumë. Pas bërjes së biopsisë dhe një sërë ekzaminimesh, me ndihmën e mikut shqiptar në Gjermani, nënë e bijë transferohen në një tjetër spital. Trajtimet në spitalin e parë ishin shumë të kushtueshme. Qendra e dytë që do të priste 16 vjeçaren, vajzën e Lilit, ishte Klinika Fur Kinder Schwabing.
“Shtrimi u bë në datë 26 shtator dhe më 27 shtator u krye operacioni i parë. Në 28 do të niste cikli i parë i kimioterapisë. Mjekët më thanë se kimioterapia që do të bënte vajza ime ishte shumë e fortë, më e rënda që ishte njohur deri më sot, e prodhuar në Britaninë e Madhe. Më porositën dhe më njoftuan se do të ishte e vështirë dhe se nuk e dinin nëse trupi i një 16 vjeçareje do ta përballonte. Më 28 nisi kimioterapia, më datë 29 shtator, për shkak të përbërjes së saj të rëndë, vajza ime humbi kujtesën. Mjekët e pyesnin për mua, kush është kjo? Vajza ime nuk përgjigjej… ajo nuk e dinte kush isha unë. Thoshte vetëm që ishte shumë e lodhur, nuk mbante mend asnjë gjë. Në ato çaste nisa të qaja dhe të pendohesha përse kisha firmosur realizimin e një kimioterapie të tillë. Fajësoja veten për gjithçka. Por Ismaili dhe Gjetan Keta, miqtë tanë, familja jonë në Gjermani, përpiqeshin të më qetësonin dhe të më justifikonin duke thënë se vendimi ishte vetëm për të bërë mirë”, tregon Liljana, kjo nënë që gdhihej dhe ngrysej në spital. E çuditshme për nënat e huaja, por e zakonshme për nënat shqiptare që, pavarësisht personelit sanitar dhe infermierëve, kërkonte që të gjitha shërbimet t’i bënte vetë.
Deri tani përqindjet e dhëna nga mjekët për mbijetesë dhe shpëtim ishin 60 për qind me 40 për qind.
“Më 3 tetor u krye operacioni i dytë. Vajza ime për 18 muaj nuk ka futur ushqim në gojë, ajo është ushqyer me tuba me produkt proteinik që kalonte në vena, jo në stomak. Kimiot vazhdonin, pas 8 ciklesh kimio terapi vajza nuk ishte në gjendje të mbante në dorë as telefonin”, tregon Lili.
Pakkush mund ta ketë dëgjuar, por qelizat e mira të vajzës së Lilit, u ruajtën në kushtet më optimale, për të mos u dëmtuar nga 18 cikle kimioterapie.
“Kur shikoja vajzën aq të lodhur më ndodhte të dilja në korridorin e spitalit dhe të shpërtheja në vaj. Personeli më kontrollonte nga larg, por shpesh nëna të tjera u shpjegonin të mos më afroheshin, të më linin të qaja, sepse më pas do të ndihesha më mirë, do të çlirohesha nga ajo peshë. Siklet që s’dija me kë ta ndaja, që ta largoja disi”, kujton Lili, për dritare.net
Një ditë psikologia e spitalit gjerman shkon në dhomën e nënës shqiptare për t’i referuar diçka: “Stafi i qendrës spitalore ju ka parë që përgjatë gjithë këtyre muajve ju rrini i shërbeni vajzës tuaj si infermiere, pa pirë kafe, pa shëtitur në ajër të pastër, pa bërë asgjë për vete tuaj. Të gjithë bashkë kemi menduar që ju zonjë të shkoni në një qendër SPA për një fundjave dhe të relaksoheni. Shpenzimet i marrim përsipër ne, i gjithë stafi”.
“SPA?! Ndërkohë që vajza ime vuan, ndërsa ajo po lufton me vdekjen. Mendova sesi mund t’i shkojë këtyre njerëzve në mendje të më kërkojnë diçka të tillë, kaq anormale për mua”, tregon Lili habinë e saj. Në atë çast, vajza që përkthente, pasi kishte parë fytyrën e së ëmës dhe shprehinë e saj duke dashur ta ç’tensionojë pak situatën, i thotë Lilit: “Mami, thuaj një herë faleminderit sepse mjekët gjermanë të kanë bërë një dhuratë, këtu ndoshta nuk e kuptojnë mentalitetin tonë. Pastaj mos shko, po të duash”.
Më 26 maj të 2014, Ambra Meda, vajza e Liljana Medës, iu nënshtrua një operacioni tepër të rëndë. Edhe pse 17 vjeç tashmë, ajo duhej të informohej për rreziqet e këtij operacioni. Sërish këtu do të përmendej Venakava e famshme… Mjekët, të gjithë u informuan për këtë operacion që, fija e flokut nëse do të lëvizte, do të ishte fatale. Po Ambra, çfarë bëri? Pasi i dëgjoi të gjithë, nisi të këndonte. Këngët ishin të ndryshme, në gjuhë të huaja, por edhe muzikë e lehtë shqiptare.
“Ishim mbledhur të gjithë në spital, kishte ardhur edhe daja Dëfrim, vëllai im. Më kujtohej gjithçka, si kisha lënë në shtëpi, djalin e vogël 1 vjeç, Leancin, dhe dy vajzat e mia, Elianën e vogël dhe Nerildën që, pa mbushur ende 20 vjeç, kishte marrë rolin e kryefamiljares, duke bërë nënën për dy vëllezërit e tjerë e me mendjen te motra e sëmurë. Operacioni zgjati më shumë se tetë orë. Kur mjeku doli më tha që do ta dërgojmë në reanimacion, gjërat shkuan mirë, duhet të prisni sa të zgjohet. Në ato çaste do të doja shumë që t’i puthja duart mjekut, nuk dija çfarë t’i jepja. I thosha të gjithëve, po të kem mundësi, unë këtij njeriu tani i fal të gjithë botën. Nuk dija çfarë të bëja”, rrëfen Lili.
Operacioni doli me sukses, por më shumë se vështirësia e tij, për mjekët temë bisede ditën e nesërme kishte qenë kënga e Ambrës.
Lili tregon se Drejtori i spitalit, një gjerman tipik, i rregullt, i saktë, erdhi te pacientja shqiptare që e kishte bërë ves të këndonte para ndërhyrjeve dhe kimioterapive, për t’i dhënë një mesazh: “Ambra, nga ajo që kam dëgjuar për ty, aq luftarake sa je dhe me aq forcë sa ke treguar, unë sot të jap 90 për qind siguri për shërim. Përqindja sot, nga 60, ka shkuar në 90”.
Mund të duket e çuditshme, por të gjithë në këtë spital donin që t’i shërbenin Ambrës, vajzës së Lilit.
Kimioterapia që përdori vajza e saj ishte pa emër, e shpikur nga një mjek për trajtimin e tumorit që e kishte mbërthyer. Në spitalin gjerman ajo mori emrin Kimioterapia Ambra.
Lili dhe Ambra janë kthyer në shtëpi. Janë të lumtura bashkë me të afërmit. E kanë mposhtur sëmundjen. Por Lili vazhdon bashkë me Ambrën t’i kthejë përgjigje të gjitha nënave të reja që u shkruajnë mesazhe në telefon apo shkojnë t’i takojnë, për të gjetur frymëzim dhe shpresë.
dritare.net