Pas kthimit në një arenë të përgjakshme në zgjedhjet e vitit 2021, qyteti i Elbasanit po kalon një fushatë elektorale në dukje të qetë këtë vit, ndërsa shumë prej qytetarëve janë indiferentë dhe nuk presin asgjë të mirë nga zgjedhjet lokale.
Nga Vladimir Karaj
63-vjeçari e përmend Europën sa herë që i vjen radha për të luajtur, duke ironizuar siç duket bllokimin e kundërshtarit me planet për integrim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në fushatat zgjedhore të mëparshme, këto fusha loje ishin arena beteje mes palëve kundërshtare, por tallja e Kristaqit është e vetmja “deklaratë” politike mes grupit të burrave në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit.
I ulur përbri tij, Shefqet Lazi, 80-vjeç, e ironizon shokun e lojës.
“Ky voton për Luçiano Boçin,” thotë ai, duke përmendur kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Por Kristaqi nuk i heq sytë nga gurët: “Europë,” thotë ai, dhe bën domino.
Vetë 80-vjeçari thotë se do të votojë për kandidatin e socialistëve, Gledian Llatja. Ai thotë se Llatja nuk ka bërë ndonjë punë për t’ia marrë votën, por e ndjen si detyrim ndaj kryeministrit, që e ka ndihmuar në një situatë të vështirë shëndetësore.
“Rama më ka ndihmuar. E kam takuar vetë,” thotë burri, ndërsa shton se kryeministri e kishte ndihmuar për të bërë një operacion.
Të njëjtat arsye e shtyjnë Binjakun të votojë për krahun e kundërt.
“Unë votoj Luçianon sepse m’u gjend në një moment të vështirë,” thotë 63-vjeçari me zë të ulët. Ai tregon se ish-deputeti që garon për kryebashkiak e kishte ndihmuar të operonte të birin.
Përndryshe, të dy burrat flasim me njëfarë përçmimi për politikën dhe politikanët. “Na mbytën hajdutët”, thotë Binjaku. “Njëqind metra rrugë e nuk e bëjnë,”shton Lazi.
Pa e kuptuar, ata u ngjajnë dy gurëve të dominosë që presin të hidhen në fushë në 14 maj, pa ndonjë pretendim.
Në Elbasan, 171 mijë zgjedhës do të vendosin mes kryebashkiakut aktual Gledian Llatja, i cili e drejton bashkinë që prej zgjedhjeve pa garë të vitit 2019 dhe rivalit të tij të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ish-deputetit Luçiano Boçi, që kandidon me mbështjen e grupit të Berishës në PD dhe Partisë së Lirisë së Ilir Metës.
Por nëse posterat e kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Gledian Llatja nuk do të këmbeheshin me njëra-tjetrën në bulevardin kryesor të Elbasanit, zor se do të dukej sikur po bëheshin zgjedhje lokale.
As nëpër kafene dhe as në rrugë nuk dëgjon të flitet për politikë. Takimet politike bëhen “fshehtas”, kryesisht me një rreth militantësh partie dhe me regji qendrore që i shpërndan më pas në media apo rrjete sociale. Gjithashtu, asnjëri prej kandidatëve nuk shpërndan më parë një axhendë takimesh.
Megjithatë, ky reporter qëlloi me fat të enjten në mëngjes, pasi dëgjoi foninë e një takimi elektoral në sheshin e famshëm të Turizmit; brenda një restoranti në kalanë e Elbasanit, kryebashkiaku Gledian Llatja po zhvillonte një takim me qytetarët me aftësi të kufizuara.
Në takim, Llatja renditi disa nga punët e bëra prej bashkisë. Ai tha se kishte shtruar 100 mijë metra katrorë rrugë, që konvertuar në metra lineare (me gjerësinë minimale të një rruge 2.8 metra) i takojnë rreth 35 kilometra.
Ai premtoi kujdes të veçantë për personat me aftësi të kufizuara dhe këmbënguli se “Bashkia e Elbasanit ishte e dyta në vend”, për fonde nga donatorë të huaj. Kryebashkiaku u tregua i kujdeshëm që t’i bënte jehonë mesazhit të Ramës në fushatë se bashkitë me kryetarë nga opozita nuk do kishin mbështetje. “Nuk mund të bëjmë pa mbështetjen e qeverisë,” shtoi Llatja, i cili premtoi që katër vitet e ardhshme do të bënte “katërfish më shumë” punë për qytetin.
Kryebashkiaku refuzoi t’u përgjigjej disa pyetjeve të BIRN, ndërsa bezdia për praninë e një gazetari në takim ishte e dukshme edhe në stafin e tij.
“Ju nuk keni qenë asnjëherë dashamirës,” i tha Llatja këtij reporteri, duke mos e sqaruar se çfarë nënkuptohej me “dashamirësi të medias” ndaj personave të zgjedhur apo kandidatë.
BIRN nuk mundi të ndiqte ndonjë takim elektoral të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi, por e takoi këtë të fundit në zyrat elektorale në katin e dytë të një pallati, ndërsa një grup të rinjsh hyjnë e dalin me fletushka në duar.
Boçi thotë se është shumë ngushtë me kohën për një intervistë, por shtoi se stafi i tij është i gatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve.
Në paradhomën e tij, ish-pushtetarë lokalë të PD-së ende “vajtojnë” tërheqjen nga gara në vitin 2019, që i ka lënë ata mjaft më të dobët në nivel lokal. Kjo situatë, bashkë me makinerinë elektorale të partisë në pushtet dhe ndarjen mes dy grupeve të PD-së, ngre një hije pesimizmi në radhët e mbështetësve të Boçit në qytet.
Boçi vetë këmbëngul në mundësitë e fitores, ndërsa premton hapje totale të bashkisë ndaj qytetarëve dhe madje mundësi ekstraligjore që qytetarët me firma dhe peticione të diktojnë vendimmarrjen.
“Me 25 për qind të firmave (të votuesve) ata mund ta rrëzojnë një vendim të këshillit bashkiak dhe ta kthejnë një çështje në diskutim,” premton ai.
Ai premton gjithashtu ulje taksash, ndërhyrje në arsim, krijimin e laboratorëve të teknologjisë e madje edhe një teknopolis në qytetin e Elbasanit. Ai thekson po ashtu se do të ndihmojë në ngritjen e turizmit shëndetësor dhe do t’i japë hov bujqësisë përmes një laboratori certifikimi dhe atë që e quan “heqje të stigmës së ndotjes mjedisore” që ka qyteti.
Por presioni ndjehet edhe mes stafit të ngushtë të kandidatit të opozitës.
“A ka humbur Ramiz Alia në Elbasan, pse mendoni që nuk humbet Edi Rama?!”, tha një këshilltar i Boçit, por që kërkoi të mos citohej me emër për shkak se pushteti mund të hakmerrej mbi të afërmit e tij në administratë.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Partia Socialiste dhe aleatja e saj, PSD morën 7700 vota më shumë se koalicioni opozitar në Elbasan, por zgjedhjet u njollosën nga një përplasje me armë mes palëve, që la të vdekur politikanin lokal, Pjerin Xhuvani.
Ngjarja në fjalë zbuloi se policia ishte e paaftë për t’u përballur me elementë kriminalë të angazhuar në zgjedhje, duke e lëshuar kontrollin e territorit dhe duke dështuar të kryente funksionin bazë të Policisë së Shtetit.
Në lagjen 5 maji ku dy vjet më parë u vra Xhuvani, banorët duket sikur e kanë lënë pas tensionin. Mbështetësit e të dy palëve po shpresojnë që gjithçka të shkojë qetë, megjithëse ata që mbështesin opozitën janë dyshues dhe e shohin javën e fundit të fushatës si gur prove.
“Kjo javë është e rrezikshme,” parashikon Agron Beqiri, një banor i vjetër i lagjes 5 maji, që gjendet në zyrën elektorale të Boçit.
Ai thotë se jeton në Itali, por është kthyer për të mbështetur kandidatin e opozitës, njëherë sepse e ka mik dhe e dyta për shkak të bindjeve të tij politike.
“Unë jam arratisur në 1988,” shton ai, ndërsa kujton se ishte plagosur asokohe nga rojet e kufirit dhe ishte kuruar për gjashtë muaj në Greqi.
Beqiri i tha BIRN se deri tani nuk kishte parë lëvizje të dyshimta të grupit që në vitin 2021 ishte akuzuar për blerje votash, ndërsa mendon se votimi elektronik e lehtëson disi menaxhimin e zgjedhjeve.
Megjithatë, lagja është heterogjene dhe shumë të ardhur nga zonat rurale janë sipas tij “lehtësisht të manipulueshëm”. Një zyrë elektorale e kandidatit Llatja në këtë zonë ishte e mbyllur në kohën kur BIRN e vizitoi. Në një tjetër, një grua që po bëhej gati të largohej për drekë tha se “gjithçka ishte normale në qytet”.
Në parkun Rinia të Elbasanit, Albert Shukle, 60 vjeç, thotë se nuk do të shkojë të votojë.
“Kam një vit pa punë,” thotë ai, ndërsa tregon se askush nuk interesohet për të. Burri ka punuar më herët në ndërtim, por për shkak të gjendjes shëndetësore i ishte dashur ta linte punën.
“Më la ajo, nuk e lashë unë,” thotë ai, ndërsa vendos dorën mbi bark ku ndodhet sëmundja që ia bën të pamundur punën e rëndë. Shukle nuk ka asnjë shpresë se zgjedhjet do ta ndryshojnë për mirë jetën e tij.
Mosbesimi ndaj politikës ndahet mes shumë qytetarëve të Elbasanit në prag të zgjedhjeve, ku shumë prej tyre u ankuan për korrupsionin e lartë dhe mungesën e vëmendjes ndaj halleve të tyre. Ekonomia në qytet konsiderohet gjithashtu një peng i lidhjeve të ngushta të politikanëve.
Ndërsa peshon situatën politike me një rrudhje buzësh, Lenci një taksist i tha BIRN se “qyteti ka mbaru” dhe se për të “nuk kishte më shpresë”. Duke iu referuar kandidatëve, ai e bëri të qartë se nuk donte asnjërin prej tyre.
“Luçiano nuk ka hedhur qoftë edhe një lugë gjelle asfalt, kur e kishte mundësinë,” thotë taksisti. “Llatja është si model rrobash, por ka mbështejen e socialistëve,” shtoi ai.
Por ka të tjerë që edhe pse nuk presin ndonjë ndryshim, e kanë zgjedhur nga duan të shkojnë.
Kledian Çela, një 20 vjeçar që punon në një lokal të vogël të familjes thotë se po shpresonte që zgjedhjet të shkonin djathtas. Çela thotë se kjo më shumë ishte për shkak të historisë familjare, por shton edhe se situata ekonomike ishte rënduar.
“Unë një birrë e merrja me shumicë 75 lekë dhe e shisja 100, por tani me shumicë e marr 95-100 lekë dhe më duhet ta shes 120 lekë, por nuk e blen kush. E shes po 100,” thotë ai.
I riu thotë se ndjehet i vetmuar në qytet, pasi moshatarët i kanë ikur. ‘Kan ik të gjithë,” thotë ndërsa shton se vetë është ende duke vlerësuar situatën.
Nexhmie Mëhalla, 52 vjeç, shitëse perimesh në njërën prej rrugicave të lagjes 5 Maji, thotë se punon gjithë ditën bashkë me të shoqin për 1 mijë lekë në ditë dhe ankohet për rënien e fuqisë blerëse. Por ajo shton se ka votuar që prej 30 vjetësh socialistët dhe nuk ka ndërmend të ndryshojë.
Kur e pyet se çfarë pret nga bashkia, Mëhalla mbledh supet.
“Bashkia nuk do vijë këtu të blejë specat e mi,” thotë ajo.
Të zhgënjyer ishin edhe një çift rreth të 50-tave, që kërkuan të mos u përmendej emri.
I veshur me një xhaketë blu dhe me dy qese me perime në duar, burri thotë se kishte votuar më herët Partinë Demokratike, por sherri mes demokratëve e kishte demoralizuar.
Ai thotë se fytyrat e politikanëve ishin prej vitesh të njëjtat dhe nuk shihte arsye për të dalë në zgjedhje as për Ramën, as për Berishën dhe as për Metën.
“Këta janë të gjithë bashkë,” tha ai, ndërsa shtoi: “Kushdo që të fitojë do të vazhdojë po njësoj, ne nuk fitojmë asgjë”.