Platforma digjitale ose siç njihet ndryshe, “Dritarja e Vetme Doganore”, ka hyrë në fazën e implementimit dhe do të jetë gati në qershor të vitit që vjen.
Me anë të këtij sistemi synohet modernizimi dhe unifikimi i procedurave të mbi 14 institucioneve dhe agjencive shtetërore që lëshojnë dokumente të ndryshme për procedurat e importit eksportit në një qendër të vetme elektronike.
“Në mars të 2027 do të kemi një startim pilot dhe implementimi të përfundoj në qershor 2027. Sistemi do të bëjë të mundur që nëpërmjet kodit tarifor në mënyrë automatike ti kërkoj institucioneve respektive nëse kanë ose jo leje apo licenca për të kryer veprime në doganë. I gjithë ky proces mund të zgjasë nga 1-3 ditë”, u shpreh Saimir Sinani, Drejtor i Procedurave Doganore.
Mirëmbajtja e sistemit për vitin e parë është financuar nga Banka Botërore dhe do kryhet nga kompania implementuese, ndërsa më pas do të vendoset nëse do të mbulohet nga buxheti i shtetit apo donatorët.
“Në vitin e parë mirëmbajtja është ë siguruar nga kompania që e instalon sistemin dhe në përfundim të këtij afati do shikohen mundësitë për financim të mirëmbajtjes”, tha ai.
Ky sistem kontribuon gjithashtu në përafrimin e procedurave doganore me standardet e Bashkimit Evropian, duke mbështetur procesin e integrimit evropian dhe duke rritur konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.











