Nëse analizoni me kujdes udhëheqësit autoritarë që e diktuan politikën globale kohët e fundit, do t’u shfaqet një model. Në botën e pasur ai mishërohet në figurën e Silvio Berlusconit, me fytyrën e tij plastike dhe jetën private skandaloze; tek Donald Trump, një lider simbol i injorancës, që gjatë pandemisë i inkurajoi amerikanët të pinin zbardhues rrobash për t’u shëruar; dhe Boris Johnson, që është gati të bëhet kryeministri i parë britanik që e humbet pushtetin, pasi është zënë me faj për një festë të organizuar në godinën e kryeministrisë kur i gjithë vendi ndodhej në karantinë.
Diku tjetër, i ndjeri Hugo Chávez xhironte për orë të tëra serialin ku ishte vetë protagonist, Jair Bolsonaro i Brazilit që i ka lidhur vaksinat kundër Covid me sëmundjen e AIDS, dhe Narendra Modi në Indi që pretendon se retë mund të fshehin avionët indianë nga radarët e armikut.
Tipari i përbashkët, në një shkallë gati të çuditshme, është se sa jo mbresëlënës dhe madje qesharakë janë të gjithë këta udhëheqës qeverish. Pyetja është se si arrijnë të jenë kaq ndikues në shoqëritë e vendeve të tyre. Të gjitha ata janë shembuj të politikës populiste: i bëjnë thirrje “popullit” të veprojë si një trup i vetëm, duke ndëshkuar zgjedhën e tradhtarëve të brendshëm dhe armiqve të jashtëm.
Animi global drejt udhëheqësve të tillë, duke zbehur supozimet optimiste të viteve të para pas rënies së Murit të Berlinit, ka qenë tipari dalluese i viteve 2010-2020 dhe deri më sot.
Në Hungari, Victor Orban sapo ka fituar një mandat të katërt radhazi si kryeministër.
Marine Le Pen humbi vërtet zgjedhjet presidenciale franceze përballë centristit teknokratik Emmanuel Macron. Por fakti që mori 41.5 për qind e votave, ishte ende një shenjë e re inkurajuese për të djathtën ekstreme evropiane moderne.
Dhuna dhe kaosi i Putinit në Ukrainë po e ndryshojnë fytyrën e Evropës, por nuk duket se ka ushtruar presion ndaj fuqive të tjera globale (siç është Narendra Modi në Indi) për t’u bashkuar me koalicionin ndërkombëtar që kundërshton luftën e tij.
Bolsonaro ka mundësi të rizgjidhet në tetor. Ndërkohë, zgjedhjet e 2024-ës në SHBA po afrohen, dhe bashkë me to edhe perspektiva e një mandati të dytë dhe akoma më ekstrem
për Donald Trump. Dy analistë ndërkombëtarë kanë botuar secili nga një libër të ri në përpjekje për ta kuptuar këtë epokë të çuditshme ku udhëheqin liderë të tillë qesharakë. Gideon Rachman, kolumnisti kryesor mbi politikën e jashtme në “Financial Times”, i ndan ngjarjet që nga viti 1945 në 3 cikle: vitet e lulëzimit të pasluftës, “epoka neoliberale” nga vitet 1970 deri në krizën financiare, dhe “epoka e liderëve autoritarë” pas vitit 2008.
Libri i tij i ri i kushtohet dhe emërtohet sipas fazës së tretë. Ndërkohë Moisés Naím, një mendimtar i shquar venezuelian, është rikthyer me bestsellerin e tij “Fundi i pushtetit”, një vazhdim i librit “Hakmarrja e pushtetit”.
Në librin e vitit 2013, ai tregonte sesi qendrat e vjetra të kontrollit – nga kishat tek partitë politike e deri tek gazetat – po humbisnin monopolet e tyre, dhe sesi autoriteti i centralizuar po haste shumë vështirësi. Naím argumenton se “pushteti, në një formë të re malinje” është rigrupuar falë liderve të rinj autoritarë.
Rachman ofron një seri portretesh të udhëheqësve të tillë, nga Bolsonaro te Johnson. Naím e organizon argumentin e tij në mënyrë tematike, rreth atyre që ai i quan tiparet “3P” të autoritaristëve të rinj: populizmi, polarizimi, dhe politika e post të vërtetës.
Secili prej tyre e nis rrëfimin e tij në vitet 1990 me një shembull: Rachman me Putinin, Naím me Berlusconin. Ndërsa në të shkuarën diktatorët përdornin tanket dhe çizmet ushtarake – disa regjime të vijës së ashpër, si ai i Kim Jong Un në Korenë e Veriut ende sot vazhdojnë t`i përdorin forma të tilla – ku përqendrimi i pushtetit përmes vjedhjes tashmë është kthyer në një normë.
Naím tregon se si duke kaluar drejt autokracisë si demokraci, apo duke marrë kontrollin e demokracive aktuale nga brenda, autoritaristët e rinj po arrijnë të “rindërtojnë pushtetin absolut në një moment armiqësor ndaj tij”.
Duke përmendur shembuj të tillë si Rodrigo Duterte në Filipine dhe Orban në Hungari, ai tregon se si ata arrijnë të gërryejnë sundimin e ligjit dhe institucionet liberale demokratike, flukset e parave të korrupsionit dhe të informacionit, dhe e manipulojnë sistemin në favor të tyre, të gjitha prapa zgjedhjeve fasadë.
Edhe pse ekzistojnë dallime të qarta lokale dhe kombëtare, ekziston një kornizë tipike për autoritarizmin e ri gjatë 2 dekadave të fundit. Kjo ndodh përmes një procesi eksperimentimi. ku udhëheqësit mësojnë nga njëri-tjetri. Një këshilltar britanik i Princit të Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman i thotë Rachman: “Ai ishte i magjepsur nga Putin. Dukej që e admironte. I pëlqente ajo që bëri”. Admirues të tjerë të presidentit rus variojnë nga Duterte tek Rudy Giuliani, nga Nigel Farage tek Marine Le Pen.
Putini ka qenë që herët si modeli i një lideri bashkëkohor që kombinon kultin e personalitetit me shoqërinë civile artificiale që thyen rregullat institucionale. Por herë pas here, historitë e ngjitjes së tyre janë gjithashtu histori të paaftësisë, akteve vetë-shkatërruese dhe dështimit të dukshëm për të garantuar ringjalljet kombëtare që u premtuan qytetarëve.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Johnson dhe konservatorët kanë dështuar në mënyrë të përsëritur të pajtojnë fantazitë mbi të cilat ata ndërtuan kauzën e Brexit me realitetin. Në Turqi, Recep Tayyip Erdogan drejton një vend të zhytur në një krizë ekonomike të shkaktuar kryesisht nga gabimet e tij.
Në Itali Berlusconi e thelloi stanjacionin dhe rënien ekonomike të vendit. Muri që premtoi Trump midis SHBA-së dhe Meksikës mbetet ende një projekt, dhe Amerika e tij është ende shumë larg të qenit “sëridh e madhe”. Liderët autoritarë janë shembulli i gjallë i dobësisë së stilit të tyre të udhëheqjes, dhe kostos së paguar, kur kontrollet dhe balancat institucionale shtypen në favor të kontrollit qendror të pakontrolluar.
“Koronavirusi u bë një krizë globale, kryesisht si rezultat i censurës në Kinë”- na kujton Naím. Sa i përket Putinit: a mund të ketë ndonjë ilustrim më të mirë të sjelljes aventuriere sesa pushtimi katastrofik i Ukrainës? Strategët ushtarakë të Rusisë prisnin ta pushtonin Kievin brenda dy ditësh.
Në vend të kësaj, logjistika, pajisjet, morali dhe disiplina e dobët midis trupave të tyre, të kombinuara me vendosmërinë e fortë të ukrainasve, i detyruan ushtarët e Putinit të tërhiqen nga rajoni i kryeqytetit drejt objektivave më të kufizuara në jug dhe lindje të Ukrainës.
Atëherë, pse ndodh që “elitat e mjegullta” – apo më gjerësisht ato që favorizojnë demokracinë liberale, institucionet pluraliste dhe sundimin e fortë të ligjit – e kanë të vështirë ta përmbysin këtë tendencë? Pse nuk ka gjasa që dështimi i Ukrainës t’i japë fund epokës së Putinit dhe Putinistëve?
Demokracisë liberale i ka munguar ndjenja e vetë-ruajtjes. Shumë nga autoritaristët e rinj u cilësuan fillimisht si të padëmshëm, ose të paktën si në rrugën për t’u bërë “një nga ne”. Një naivitet i tillë, i ka ndihmuar autoritaristët e rinj të kenë sukses në rrugën e tyre./ Bota.al