Nga Ben Andoni
Pas viteve ’90 ka qenë disi e rrallë, që diplomacia shqiptare të përfaqësohej me njerëzit e duhur në vendet e duhura. Jo se para këtyre viteve kishte një ndryshim, por gjithsesi Udhëheqja komuniste, apo Zogu më parë ishin shumë të interesuar për imazhin e vendit, që indirekt ishte refleksioni i imazhit të tyre.
Me pak fjalë, nepotizmi, militantizmi dhe trajtimi i postit diplomatik thjesht për qokë, mbetet një lloj tendence për diplomacinë tonë të këtyre viteve të fundit, që ka qenë shumë larg rolit të vet, por më shumë se kaq përmirësimit të imazhit të Shqipërisë. Kjo, për fat të mirë, nuk mund të përgjithësohet pasi jo në pak raste, edhe shqiptarët e politikës post ‘90 kanë qenë të vetëdijshëm për t’u përfaqësuar si duhet.
Rasti i Bashkim Zenelit duhet të konsiderohet një i tillë, jo thjesht sepse ai personalisht ka qenë i lidhur me zhvillimet, kulturën dhe gjithçka gjermane herazi, por sepse ka punuar deri në limitin e fuqive të tij intelektuale-diplomatike për të nxjerrë më të mirën e Shqipërisë në këtë vend. Dhe, provë për këtë është botimi i pak javëve më parë të kujtimeve me titullin kuptimplotë “Për Gjermaninë”, që ka ardhur falë bashkëpunimit me UETPress.
Një libër voluminoz, i cili përmbledh veç një historie diplomatike dhe historike të Gjermanisë së re dhe kujtimet diplomatike të z. Zeneli, ku ai me kujdes por edhe më shumë respekt mundohet të rrëfejë atë vend që Gjermania zë në të gjitha rrafshet për Shqipërinë. Libri është shkruar me një stil të rrjedhshëm, që i shkon kulturës së tij, ndërsa kemi edhe një zgjidhje të mirë të strukturës së librit që përfshin prej nga historia diplomatike mes dy vendeve, por edhe një lloj historie të përmbledhur të vendit të madh qysh nga historia e Luftës së Dytë, ku Gjermania do të shkallmohej prej vetë egoizmit të saj nacional dhe do ndahej tragjikisht e paradoksalisht në dy vende, kemi ngritjen e murit të Berlinit(simbolin e Luftës së Ftohtë), historinë politike të vendit, si edhe negociatat e vështira të integrimit të dy Gjermanive etj.
Në fakt, për kërkuesit e kulturës dhe njohurive gjermane interes të veçantë paraqet kapitulli i 2-të i librit, kur z.Zeneli tregon një nga përpjekjet më të mëdha diplomatike dhe forcën e një vendi si Gjermania për integrimin e dy ‘gjysmave’. Realisht, cili e njeh realisht këtë histori dhe besoj se veç autorit janë shumë pak, duhet ta vlerësojë kujdesin dhe elegancën e trajtimit të tij. Mendojmë se mund të ishte pak më i hapur sa i përket përpjekjes së pjesës Lindore por më shumë se kaq rezistencës së tyre për integrimin dhe frymës që e pengonte këtë, si edhe përçmimit në disa raste të Perëndimit ndaj Lindjes. Megjithatë mund të justifikohet, pasi Zeneli është gjithmonë në optikën e pjesës së Perëndimit. Dhe, kështu na vjen drejt pjesës së tretë që koinçidon me pjesën e vendndodhjes së tij atje. Është realisht, pjesa, ku shikon të ndërthuruara shumë kujtime personale, që të bëjnë ta kundrosh realisht ndikimin gjerman për Shqipërinë.
Pjesa kryesore e kapitullit është pa asnjë dyshim e lidhur me përpjekjen e tij personale për të informuar me profesionalitet dhe kulturë realitetin e Kosovës. Për vetë peshën e Gjermanisë në këtë luftë dhe përpjekjen e saj, por edhe masën e madhe të informacionit që qarkullon dhe gjërat që certifikon ky përfaqësues i lartë i Shqipërisë, bëhemi të ndërgjegjshëm për punën e tij, dhe më shumë se kaq për forcën e Shqipërisë në këtë moment kaq shumë të vështirë për fatet e kombit.
Në kujtime ka citime në vetën e parë të personaliteteve më të mëdha të kohës në Gjermani, ku tregohet interesi për vendin tonë. Nga ana tjetër mbetet tejet interesant sesi në kapitullin e 2-të dhe të 3-të vetë diplomati ynë arrin e hedh dritë reale dhe për vetë zhvillimin e Gjermaninë. Bisedat që zhvillohen në Bon, atëherë kryeqytet dhe pastaj dora-dorës zhvendosen në Berlin e tregojnë Zenelin jo thjesht diplomat por edhe tejet të angazhuar e të vetëdijshëm për fatet e vendit. Dhe, nuk është e lehtë në luftën politike shqiptare, që përcillet deri në Berlin.
Një diskurs i njërit prej këtyre personaliteteve më 1998, e tregon më së miri këtë:
“Zoti ambasador, kam dhe diçka tjetër, kam një raport nga ambasadori Disdorn, dhe mori një letër format që kishte në dosje në tavolinë. Midis të tjerash ai shkruan se zoti…, e thashë saktë emrin?…ka deklaruar se, ne nuk do ta fusim në burg Sali Berishën…Ne nuk do të bëjmë të njëjtën gjë që bëri ai me Kryetarin tonë Fatos Nano…kjo ishte pak a shumë….Zoti Ambasador, kjo deklaratë na shqetëson…kush i burgos, kush i çon në burg njerëzit tek ju, kush urdhëron të futet apo të mos futet në burg njëri apo tjetri. Kush e bën këtë politikë, qeveria? Kjo është shumë e gabuar. Kjo do të sillte mungesën e pavarësisë së organeve të drejtësisë. Ju po punoni për të ringritur shtetin që u rrënua vitin e kaluar, por kurrë nuk mund të ndërtohet shteti i të drejtës me një drejtësi, që nuk është e pavarur, që vepron me urdhra. Në një shtet demokratik kjo është çështje parimore. Ne duam të ndihmojmë Shqipërinë. Ne nuk na intereson një rast apo një tjetër, na intereson parimi….”, i thotë z. Ischinger…
Dhe, si për ta treguar tollovinë kombëtare, kaosin tonë, ai e përshkruan me një grotesk të këndshëm, kur delegacioni ynë zihet për një aspekt banal të trashëgimisë së shkuar, apo episodin me Gȕnter Grass, ku shkrimtari i madh i pohon se i duket e pamundur që të mos e ndihmosh shkrimtarin tënd, duke aluduar për letrat që kanë shkuar nga Shqipëria në Stokholm në kundërshtim të nominimit të autorit të njohur…Pikërisht këto thyerje e bëjnë të këndshëm librin dhe realisht ai lexohet me qejf për ata që duan Gjermaninë por edhe lidhjen shqiptaro-gjermane të pas viteve ’90.
Bashkim Zeneli duket se ka hequr një barrë të madhe morale me botimin pasi ajo lidhet me mirënjohjen e tij për Gjermaninë, që ai e ka ushqyer në të gjithë jetën e vet bashkë edhe me kontributin e tij për njohjen e këtij vendi. Z. Zeneli meriton të vlerësohet për këtë botim, ndaj urojmë të jetë sërish në ndonjë punë të re publicistike, sa i përket diplomacisë…Një falënderim duhet ti shkojë dhe UET-së që me zgjuarsi e ka përfshirë në kolanat e saj profesionale duke treguar synime dhe largpamësi në planet e saj botuese (Milosao).
Skeda
Titulli: Për Gjermaninë
Autor: Bashkim Zeneli
Gjinia: Publicistikë memorialë
Botues: UETPress
Faqe: 557
Çmimi: 1200Lek