Nga Entela Resuli
Një nga objektet që kemi trashëguar nga vitet e komunizmit në Shqipëri janë bunkerët. Të ndërtuar gjatë sundimit 40-vjeçar të Enver Hoxhës, më shumë se168 mijë bunkerë mbushin peizazhin në Shqipëri dhe kurrë nuk janë përdorur për t’u mbrojtur nga sulmet, për vetë qëllimin që janë ndërtuar. Tani ato shërbejnë si një kujtim i zymtë i regjimit të Hoxhës.
Një personazh i pasionuar pas natyrës, alpinizmit dhe fotografisë, Fation Plaku, nëpërmjet aparatit të tij, na sjell foto të rralla të bunkerëve në të gjithë Shqipërinë. Nga ata që hedhin shikimin nga deti dhe të tjerë nga mali që kanë patur përballë.
Ai e ka shkelur cep me cep këtë vend, nga veriu në jug dhe shpesh, në fokusin e aparatit të tij kanë qenë edhe bunkerët.
Ajo që e ka ngacmuar më shumë ka qenë kurioziteti i të huajve rreth këtyre objekteve.
“Nga eksperienca ime 20 e ca vjeçare në udhëtime, duke shoqëruar turistë të huaj nga gjithë vendet e botës, kam vënë re se të gjithë më kanë kërkuar të shohin dhe të fotografojnë bunkerët në zonat që kemi dalë për ecje, madje shumë nga këta turistë, si suvenirë, blejnë këta bunkerët që janë sjellë në forma të ndryshme, në dyqane që i tregtojnë”- tregon Fation Plaku për Dita-n.
Këto foto nuk janë realizuar në një ditë. Pasioni për natyrën dhe ngjitjet në male kanë bërë që Fationi ta shkelë këtë vend në të gjithë anët e tij.
“I kam fotografuar nga veriu në jug. Pjesa më e madhe e tyre gjendet në zonat kufitare. Duke filluar nga Vermoshi, Tamarë, Lepushë, Pogradec, Karaburun, Gjirokastër, Përmet, Konispol, qytetet që janë afër kufirit. Ajo ç’ka më ka rënë në sy është se, në malin e Dhëmbelit, në malin e Buretos shoqërohen dhe me tunele dhe reparte ushtarake. Në majë të malit ndodhen edhe kulla vrojtimi”- shprehet Plaku duke shpjeguar nëpërmjet fotografive se ku gjenden këto vende.
Historia ka lënë gjurmë në këto objekte. Një pjesë e mirë kanë patur shënime të ndryshme, të cilat mund t’i gjejmë edhe sot.
“Ata në Karaburun janë akoma me shkrimet që janë vendosur në momentin që kanë qenë në funksion dhe të përdorura. Mbajnë në mure, parulla të ndryshme, por edhe detyra që kanë patur funksionarë të ndryshëm ushtarakë duke filluar me detyrat e komandantit të topit. Shpjegimet që japin me të dhënat e minave, bombave të dorës, predhave kundërajrore etj.”.
Ata që kanë punuar në këto anë, ndoshta e kujtojnë me nostalgji atë periudhë duke u çmallur me gjurmët që kanë mbetur nga koha.
“Është e vërtetë që shumë prej bunkerëve janë hedhur në erë duke i marrë hekurin apo duke i shkatërruar me mjete të forta. Turistët kanë kuriozitet t’i shohin, nëpërmjet tyre “lexojnë” edhe një pjesë të historisë”- shprehet Plaku.
Në Shqipëri janë ndërtuar 168.000 qendra zjarri (bunkerë)
Në Shqipëri gatë viteve 1945-1991, u shpenzua një shumë e madhe buxhetore për ndërtimin e bunkerëve apo siç njiheshin atë kohë “qendrave të zjarrit”. Brenda kësaj periudhe u ndertuan rreth 168 mijë bunkerë, si filozofi e luftës mbrojtëse.
Gjatë një interviste të disa viteve më parë, ish-Presidenti Alfred Moisiu zbulon disa detaje rreth numrit dhe mënyrës së ndërtimit të bunkerëve në Shqipëri, ose qendrave të zjarrit siç quheshin në terminologjinë zyrtare ushtarake gjatë regjimit komunist.
Ai tregon se janë ndërtuar gjithsej rreth 168.000 qendra zjarri (bunkerë), deri në vitin 1982, pasi pas këtij viti bie ritmi i ndërtimit të tyre. Kjo shifër sipas ish-presidentit përfshin çfarë kanë qenë ndërtime fortifikuese në Shqipëri, duke i përfshirë që nga Lufta e Parë Botërore, periudha e mbretit Zog, periudha e pushtimit nazi-fashist, e sidomos gjatë regjimit komunist, por bunkerët ndryshojnë nga periudha në periudhë.
“Pas vitit 1974 ndërtimi i tyre vazhdoi në mënyrë masive. Ministri i Mbrojtjes i atyre viteve që ishte njëkohësisht edhe kryeministër, Mehmet Shehu, vuri në dispozicion fonde dhe burime materiale të mëdha, si dhe burime njerëzore dhe ishte i pasionuar në këtë drejtim. Kjo u bë në kohën e Luftës së Ftohtë dhe të gjitha vendet bënin shpenzime të mëdha ushtarake. Qendrat e zjarrit (bunkerët) u ndërtuan pothuajse totalisht në gjithë territorin e vendit.
Shqipëria kishte një mbrojtje kubike, nëse mund ta quajmë kështu, nga deti, toka dhe ajri, gjithmonë nga pikëpamja e fortifikimit”- shprehet Moisiu.
Fortifikimi, tregon Moisiu, në atë kohë është bërë mbi baza shkencore dhe Ushtria Shqiptare kishte një institut që merrej me studime, ku fillimisht gjërat eksperimentoheshin. Për bunkerët janë bërë dy eksperimente të mëdha për sa i përket objekteve të fortifikuara, ku njëri është bërë në vitin 1975 dhe tjetri në vitin 1977.
Për fortifikimin u studiuan modelet më të njohura të fortifikimit nga vende të ndryshme të botës, si për shembull ai gjerman, rus, grek, por edhe modeli amerikan në Vietnam. Ish-presidenti tregon se ka qenë një punë shumë e studiuar dhe e bazuar në analiza shkencore, duke pasur parasysh vetë formën që u ndërtuan pasi nuk njiheshin formulat dhe duhej bërë patjetër eksperimentimi për të parë se sa rezistentë janë.
Histori, dje dhe sot
Bunkeri i rrallë në Tiranë, ku në rast lufte do strehoheshin drejtuesit e vendit dhe institucionet kryesore
Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë ka shkaktuar frikë në mbarë botën dhe sidomos pas kërcënimit së presidentit rus Vladimir Putin për armët bërthamore. E kur flasim për armë bërthamore apo Luftën e Tretë Botërore na vijnë në mendje bunkerët e shumtë që Enver Hoxha ndërtoi në Shqipëri në kohën e Komunizmit dhe sidomos bunkeri anti-bërthamor i ndërtuar nën tokë, në Tiranë.
Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore, pas Luftës së II’të Botërore, bëri që shumë shtete të mobilizoheshin për mbrojtje në rast të përdorimit eventual të tyre. Në këtë mes ishte edhe Shqipëria komuniste.
Ndërtimi i bunkerëve u bë brenda një periudhe rreth dhjetëvjeçare, e më i famshmi është ai anti-bërthamor, i ndërtuar në periferi të Tiranës. Nëse eventualisht do të kishte luftë bërthamore, aty planifikohej të strehohej edhe elita politike shqiptare me në krye Enver Hoxhën.
Bunkeri anti-bërthamor në periferi të Tiranës, një ndërtim gjigand 5 kate nëntokë i ndërtuar nga Enver Hoxha gjatë viteve, ka 501 dhoma nën tokë, ku në rast lufte strehohej byroja politike.
Aty u ndërtuan apartamente, zyra, salla e madhe ku mblidhej shtabi i përgjithshëm madje edhe kuvendi popullore. Aty ishte vendosur edhe dhoma e gjumit për Enver Hoxhën, e edhe për Mehmet Shehun. Tash ky bunker shfrytëzohet si galeri ekspozite për periudhën komuniste të Shqipërisë.
Lloji më i zakonshëm i bunkerit ishte ai me një kupolë të vogël rrethore betoni të vendosur në tokë një bazament betoni formë rrethore i mjaftueshëm për strehimin e një ose dy personave që luftonin brenda.Ato përbëheshin nga tre elementë kryesore: një kube betoni me diametër prej 3 m me një frënxhi për hapje zjarri, një gjysmë cilindër për të mbështetur kupolën dhe një mur të jashtëm me një rreze 60 cm më të madh se kupola.
Hapësira midis cilindrit dhe murit të jashtëm ishte i mbushur me dhe. Në vende të ndryshme përgjatë bregut, u ndërtuan një numër i madh QZ në grupe treshe të lidhura me njëri tjetrin nga një tunel i parafabrikuar prej betoni. Bunkerët e tjerë ishin ndërtuar të grupuara rreth pikave strategjike në të gjithë vendin, ose në linja përgjatë drejtimeve strategjike. Tirana veçanërisht ishte shumë e mbrojtur, me mijëra bunkerë të vendosur në pesëdhjetë rrathë që rrethonin qytetin./dita.m.j