Lufta e Putin në Ukrainë është ndryshe nga të gjithë konfliktet e tjera aktuale – si ato në botën arabe, në Afrikë apo edhe ai mes Kinës dhe Indisë.
Një superfuqi ushtarake si Rusia ka vendosur të pushtojë Ukrainën – një shtet të përkrahur deri diku nga SHBA dhe NATO, edhe pse këta të fundit kanë përsëritur disa herë me ngulm, se nuk do të dërgojnë trupa për të mbrotjur Ukrainën dhe se përkrahja e tyre do të jetë vetëm me anë të sanksioneve ekonomike.
Fillimisht pak kontekst.
Para deklarimit të luftës, Rusia kishte mbledhur më shumë se 200,000 ushtarë rreth e rrotull Ukrainës, së bashku me qindra tanke, artileri dhe spitale të lëvizshme përgjatë të gjithë kufirit ukrainas.
Nëse do ta krahasonim, kjo është afërsisht sa e gjithë ushtria ukrainase dhe pak a shumë i njëjti numër trupash të dërguar nga SHBA gjatë luftës në Irak në vitin 2003.
Putin bëri 3 kërkesa për Perëndimin para fillimit të luftës – të cilat nuk u pranuan:
-Ukraina s’duhet të lejohet kurrë të futet në NATO;
-NATO duhet të ndalojë ekspansionin dhe mos të pranojë më shtete të reja anëtare;
-NATO dhe SHBA duhet të tërheqin të gjithë trupat ushtarake nga Europa lindore, duke i dërguar ato në kufijtë e vitit 1997 të NATO-s që mbaronin në Gjermani;
Veç kësaj, Rusia ka njohur pavarësinë e dy rajoneve ukrainase të Luhanskut dhe Donjetskut – dhe së bashku me Krimenë e ankesuar që nga viti 2014, është e lehtë të shohësh që ajo e ka rrethuar tërësisht Ukrainën.
Tani që lufta ka nisur që prej 3 ditësh, ajo ka potencialin të kthehet në konfliktin më serioz për Europën që prej Luftës së Dytë Botërore.
Dhe pyetja kryesore në mendjen e të gjithëve ka mbetur e njëjta: Çfarë është ajo që Rusia dhe Vladimir Putin duan nga Ukraina?
Përgjigja sigurisht, është e komplikuar dhe ka të paktën 5 deduksione.
Origjina e konfliktit
Origjina e konfliktit të sotëm i ka rrënjët në atë që ndodhi më shumë se 3 dekada më parë me kolapsin e Bashkimit Sovjetik.
Për shekuj të tërë para kësaj ngjarje, qoftë nën Bashkimin Sovjetik apo gjatë Perandorisë Ruse, shtetet moderne që i njohim sot si Rusia, Ukraina, Bjellorusia etj., kanë qenë pjesë e të njëjtit shtet, me banorë që janë shkëmbyer mes njëri tjetrit për breza të tërë.
Historia e përbashkët
Kjo histori e përbashkët ka sjellë atë që bota e njeh si një nga superfuqitë më dominante në të gjithë historinë e njerëzimit.
Por gjithçka ndryshoi në vitin 1991, kur papritmas kësaj perandorie të madhe e cila kishte ekzistuar për shekuj të tërë, i erdhi fundi.
Në vend të saj, u ngritën 15 shtete apo republika të reja.
Ditët e sotme, Rusia e cila është republika më e madhe – ka vetëm gjysmën e popullsisë që kishte gjatë ish-Bashkimit Sojvetik, dhe një ekonomi e cila është vetëm pak më e madhe se ajo e Spanjës – një shtet me 1/3 e popullësisë së Rusisë, që e humbi lavdinë e vjetër rreth shekullit të 18.
Lufta e Ftohtë
Gjatë Luftës së Ftohtë, bota kishte dy forca të mëdha rivale që ndesheshin me njëra tjetrën për pushtet global.
Në të njëjtën kohë, ajo ishte e ndarë në 2 aleanca të mëdha ushtarake: Aleanca e Atlantikut Verior ose NATO, në perëndim – dhe Pakti i Varshavës në lindje.
Moska nuk i drejtonte zyrtarisht shtetet që bënin pjesë në Paktin e Varshavës, ama në mënyrë jo direkte këto vende konsideroheshin shtete kukull, dhe shërbenin si një mur mbrojtës mes Rusisë dhe aleancës së NATO-s.
Gjeografia
Zona nga Franca në perëndim deri në Malet Urale në lindje quhet Ultërsira e Madhe e Europës Veriore.
Kjo ultësirë e cila është në pjesën më të madhe e rrafshët, ka formën e një hinke – me një gyp shumë të ngushtë në anën e Gjermanisë Veriore dhe një grykë të gjerë, që hapet gjithnjë e më shumë teksa i afrohet Maleve Urale në Rusi.
Gryka e madhe në anën ruse përshkon disa mijëra kilometra të cilat janë shumë të vështira për t’u mbrojtur përgjatë të gjithë gjatësisë në rast sulmi.
Ndaj edhe planet e çdo regjimi të mundshëm që ka qenë i bazuar në Moskë –pavarësisht periudhës kohore apo ideologjisë – kanë qenë që të përhapin kontrollin e tyre në sa më shumë shtete në perëndim të Rusisë, në mënyrë që të ngushtojnë hendekun që do t’i duhej të mbronin në rast lufte apo konflikti me Perëndimin.
Gjatë Luftës së Ftohtë kontrolli i Rusisë mbi këtë territor ka qenë në kulmin e tij, duke u shtrirë në Malet Urale deri në Gjermaninë Lindore.
Në ato kohë, të vetmet fronte që Moska duhet të mbronte ishin pak kilometra në Malet Sudete në Gjermaninë Qendrore dhe një tjetër dalje e vogël në Detin e Zi.
Kolapsi i ish-Bashkimit Sovjetik
Por, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, situata ka ndryshuar në mënyrë drastike.
Sot, shtetet që kontrolloheshin nga ish-Bashkimi Sovjetik si: Gjermania Lindore, Polonia, Çekosllovakia, Hungaria, Bullgaria, Lituania, Letonia dhe Estonia janë bërë të gjitha, pjesë e NATO-s.
Gryka e hinkës është zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme, duke ia bërë Rusisë shumë më të vështirë të mbrohet në rast konflikti.
Ky realitet i ri i ka zgjeruar kufijtë e NATO-s drejt lindjes duke iu afruar Rusisë si asnjëherë më parë.
Kjo ka lënë vetëm shtetet e Bjellorusisë dhe Ukrainës mes Moskës dhe frontit lindor të NATO-s – dhe veç Bjellorusisë, e cila është një aleate e përbetuar e Kremlin, Ukraina prej vitesh ka anuar nga Perëndimi.
Në këto kushte, nëse Ukraina bëhet pjesë e NATO-s, vija e re kufitare të cilën Rusisë do t’i duhej të mbronte në rast konflikti do të zgjerohej në plot 2,300 km tokë të rrafshët dhe jashtëzakonisht të vështirë për t’u mbrotjur.
Dhe mbi të gjitha, kjo vijë është vetëm 300 km larg Volgogradit – qytet i cili nëse arrinë të kapitullohet do të mund të bllokonte të gjithë lumin Vollga, duke shkëputur kështu aksesin e Rusisë ndaj resurseve të naftës dhe gazit – që janë qendra e ekonomisë ruse.
Ky skenar sado surreal, ka qenë pranë realizimit gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ky qytet njihej me emrin Stalingrad.
Por ky është vetëm fillimi i asaj që Putin dhe Rusia duan nga Ukraina.
Gjëja kryesore që ata duan në fakt është: energjia
Nafta dhe gazi
Edhe pse ekonomia e Rusisë nuk është shumë më e madhe se ajo e Spanjës, Rusia vazhdon të mbetet një superfuqi botërore në aspektin e resurseve dhe energjisë.
Nafta dhe gazi janë pikërisht ato që na ndihmojnë të kuptojmë ambiciet reale të Rusisë.
Rusia është prodhuesja e dytë më e madhe e naftës në të gjithë botën, duke ia kaluar edhe Arabisë Saudite.
Në të njëjtën kohë, Rusia ka rezervat më të mëdha të gazit natyror në të gjithë botën – gjë që i ka mundësuar Rusisë të bëhet eksportuesi kryesor i gazit në botë.
Të ardhurat e Rusisë nga shitja e gazit dhe e naftës përbëjnë rreth 50% të buxhetit shtetror dhe 30% të të gjithë prodhimit të brëndshëm bruto – të ardhura këto që Rusia i përdor për të financuar ushtrinë e saj masive.
Efektivisht, Rusia mund të quhet një petro-shtet, njësoj si Arabia Saudite apo Irani – dhe është i vetmi petro-shtet në Europë, të paktën deri tani.
Plot 35% e gazit në Europë vjen nga Rusia ndërsa
Gjermania merr plot 50% të gazit që përdoret për të ngrohur shtëpitë gjermane dhe jo vetëm – nga Rusia.
Të dyja palët janë të varura nga kjo tregti dhe çdo ndërprerje do të ishte fatale për ekonominë e Moskës dhe të Europës.
Gazi rus transportohet në Europë me anë të një sistemi të komplikuar tubacionesh.
Në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik, këto tubacione u ndërtuan mes përmes Ukrainës, duke transportuar gaz nga Siberia deri në Europë.
Por më vonë, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Ukraina u bë një vend i pavarur që nisi të kërkojë miliarda dollarë në tarifa nga Rusia për të transportuar gazin mes për mes kufijve të saj.
Rusia nuk kishte asnjë rrugë tjetër veç se të pranonte, edhe pse që atëherë Rusia nisi të ndërtonte disa gazsjellës të rinj, si Nord Stream 1 në Detin Baltik që shkon direkt nga Rusia në Gjermani apo Turk Stream që shkon direkt në Turqi me anë të Detit të Zi.
Në vitin 2024, Rusia ka në plan të ndalojë të gjithë transportet e gazit nëpërmjet Ukrainës, gjë që do t’i kursejë qeverisë ruse miliarda dollarë në tarifa vjetore.
Por zbulimi i fundit i vitit 2012 ishte ajo që i shkundi tërësisht themelet ruse. Sipas këtij zbulimi, pjesa ukrainase e lagur nga Deti i Zi, mund të ketë më shumë se 2 trilionë metër kub të rezervave të gazit natyror – të përqëndruara më së shumti rreth Gadishullit të Krimesë.
Për t’i bërë gjërat edhe më interesante, avancimet teknologjike të viteve të fundit, kanë zbuluar edhe dy zona të tjera me rezerva natyrore të gazit në perëndim të Ukrainës në Donjetsk dhe në lindje të saj në Malet Karpate.
Këto zbulime e kthyen Ukrainën në vendin e 14-të në botë për rezerva të gazit natyror, pas Australisë dhe Irakut.
Por mbi të gjitha, kjo do ta bënte Ukrainën petro-shtetin e dytë në Europë, dhe rivalin direkt të Rusisë për klientët europianë.
Duke qenë një vend relativisht i varfër, Ukrainës i mungonin fondet për të kryer operacionet e kërkimit dhe gërmimit të naftës dhe gazit natyror – gjë që solli kompanitë perëndimore si Shell dhe Axon, që rriti edhe më tej kërcënimin për Rusinë.
Ky transformim do ta bënte edhe më të lehtë antarësimin e Ukrainës në NATO dhe eventualisht edhe në BE.
Por, zbulimi i këtyre rezervave të reja të gazit në Ukrainë, pikërisht në rajonet ku Rusia ka nisur që prej vitit 2014 konfliktet e saj ushtarake, nuk mund të ketë qenë kaq rastësore dhe nuk do të ishte habi që kjo të ishte edhe arsyeja kryesore pse Putin pushtoi Ukrainën.
Krimea
Së fundmi, për t’i përkeqësuar gjërat edhe më tej – një tjetër arsye e pushtimit rus në Ukrainë mund të jetë vetë Krimea – gjeografia e ashpër e të cilës e bën atë të jetë thuajse një ishull, të mbuluar nga stepa të thata me shumë pak rezerva të ujit të ëmbël për bujqësi apo konsum njerëzor.
Para pushtimit dhe aneksimit nga Rusia, Krimea e merrte shumicën e ujit të pijshëm nga një kanal i ndërtuar gjatë periudhës sovjetike që e lidhte gadishullin me pjesën tjetër të Ukrainës.
Por pas pushtimit rus, qeveria ukrainase u kundërpërgjigj duke shëkputur këto lidhje dhe mbyllur pjesën e tyre të kanalit me beton.
Që atëherë, Krimea ka qenë duke përjetuar një vdekje të ngadaltë nga mungesa e theksuar e reshjeve dhe thatësirat që janë përkeqësuar edhe më tej si pasojë e ndryshimeve globale.
Qeverisë ruse i është dashur të paguajë miliarda dollarë në vit për t’i transportuar ujë 2 milionë qytetarëve që jetojnë në Krime – jeta e të cilëve është bërë shumë më e vështirë pas pushtimit rus.
Kjo mund të jetë një tjetër aryse e fortë pse Putin kërkoi të pushtonte Ukrainën, pasi një strategji e mundshme mund të ishte bombardimi dhe kapitullimi i zonës së drejtuar nga qeveria ukrainase në mënyrë që uji i pijshëm t’i rikthehet Krimesë – një pikë jashtëzakonisht strategjike, duke marrë parasysh zbulimet e reja të gazit rreth saj.
Në këto kushte, Rusia mund të mos heq dot dorë kurrë nga Ukraina dhe konflikti i ri i sapo hapur në zemër të Europës, mund të kthehet në një burim tensioni të paimagjinuar më parë./euronews
/b.h