Maqedonia ka emëruar si anëtar të Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, antishqiptarin Toni Naunovski. Përbërja e komisionit, ku ai bën pjesë, është mbështetur edhe nga anëtari i BDI-së, në Komisionin parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet.
Antishqiptari Toni Naunovski, në mediat proqeveritare maqedonase ka shprehur hapur urrejtjen ndaj shqiptarëve, madje duke i quajtur ata “fashistë, njerëz të egër dhe armiq të vendit”.
Në një shkrim të tijin, Naunovski u ka sugjeruar shqiptarëve të Maqedonisë të shpërngulen në Shqipëri, nëse nuk u pëlqen pozicioni që kanë në vendin fqinj.
DEBATET NE PARLAMENT
Përfaqësuesit e opozitës kundërshtuan këtë propozim, sepse, sipas tyre, Naunovsi me veprimet e tij nuk meriton të emërohet në këtë pozicion.
“Anëtarët tjerë meritojnë të votohet pro edhe nga unë edhe nga anëtarët e tjerë të BDI-së, por unë do të votoj kundër, për shkak se Toni Naumovski me filozofinë e tij, me prononcimet e tij i fyen qytetarët e RM-së. Thjesht do të them se Toni Naumovski atë vijë herët e ka kaluar me prononcimet e tij kundër fqinjëve të tij, kundër shqiptarëve, por edhe tjerëve, dhe prononcimet e tij janë shovene, nuk janë nacionale”- deklaroi deputeti i BDI-së, Rafis Aliti.
“Ky moment zbardh edhe një herë faktin se si BDI vendos për çështje tejet të rëndësishme. Kishim edhe momentin kur në KShZ ata shkelën mbi një marrëveshje të garantuar nga faktori ndërkombëtar dhe kjo është një çështje shumë më e vogël dhe shumë më lehtësisht me të gjitha ato sjellje joserioze ndaj shqiptarëve”- tha deputeti i PDSh-së, Orhan Ibraimi.
“Në Komisionin për mbrojtje nga Diskriminimi nuk mund të jenë njerëz të cilët nëpërmjet paraqitjeve të tyre publike nuk kanë fare dijeni se çfarë do të thotë mbrojtja nga diskriminimi. Këta kandidatë mund të jenë anëtarë të Komisionit për Diskriminim dhe jo kundër diskriminimit”- theksoi deputeti i LSDM-së, Sofija Kunovska.
Ndërkaq, VMRO-DPMNE vlerësoi se bëhet fjalë për figurë profesionale.
“Fillimisht, nuk është korrekte që t’i nxijmë kandidatët për anëtarë të Komisionit, sepse të gjithë i plotësojnë kushtet. Të gjithë ata janë njerëz të cilët janë dalluar në profesionet e tyre. Siç kuptova nga diskutimi juaj, i vetmi mëkat i këtyre njerëzve është se kanë mbrojtur Republikën e Maqedonisë”- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dimitar Stevanxhia.
Veç Toni Naunovskit, për anëtarë të Komisionit Kundër Diskriminimit janë propozuar edhe Aleksandar Dashtevski, Aleksandar Spasenovski, Nena Nenovska-Georgievska, Jovan Ananiev, Irfan Deari dhe Bekim Kadriu.









