Në Podgoricë u mbajt mbrëmë ceremonia solemne e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi.
Në një atmosferë festive morën pjesë rreth 550 të ftuar, mes tyre Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, anëtarë të Qeverisë, ambasadorë dhe personalitete nga jeta kulturore e shoqërore.
Në fjalën e saj, ambasadorja Zhaklina Peto theksoi rëndësinë historike të 28 Nëntorit dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, duke vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në Mal të Zi.
Në fokus të eventit ishte trashëgimia kulturore dhe kulinaria shqiptare, me paraqitjen e veshjeve tradicionale, kërcimin e Tropojës, si dhe promovimin e pasurive të mbrojtura nga UNESCO: Xhubletës dhe Lumit të Vjosës.
Presidenti i Malit të Z, Milatoviç ka shpërndarë në faqen e vet në Facebook një video nga eventi, ku shpreh urimet për popullin shqiptar dhe thekson “rolin e çmuar të komuniteteve tona që ndërtojnë ura miqësie dhe harmonie multietnike çdo ditë”.
“Mbrëmë mora pjesë në përkujtimin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ku i dërgova urime popullit shqiptar dhe theksova rëndësinë historike të kësaj date.
Konfirmova se Mali i Zi dhe Shqipëria mbeten fqinjë të besueshëm, aleatë të NATO-s dhe partnerë në udhëtimin tonë të përbashkët evropian.
Theksova rëndësinë e stabilitetit të rajonit, përparimin e reformave dhe bashkëpunimin në rritje të dy vendeve, si dhe rolin e çmuar të komuniteteve tona që ndërtojnë ura miqësie dhe harmonie multietnike çdo ditë”, shprehet Milatoviç.











