Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të verifikojnë vlefshmërinë e Pasaportave të fëmijëve para se të udhëtojnë jashtë shtetit. Bëhet fjalë për Pasaportat e lëshuara për personat nën 16-vjeç me afat 10-vjeçar, një gabim ky i kompanisë Aleat pasi për këtë grupmoshë afati është deri në 5 vite. Kur u konstatua ky problem, Ministria e Brendshme shtyu me 1 vit vlefshmërinë e këtyre pasaportave të lëshuara në periudhën Prill 2009 deri ne Korrik 2010, dhe tashmë afati ka përfunduar. Të gjithë këta persona duhet të nxjerrin Pasaporta të reja.
Ja njoftimi i Policisë së Shtetit
Në lidhje me vlefshmërinë e pasaportave të lëshuara gjatë periudhës Prill 2009 deri ne Korrik 2010 për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç, duam t’ju rikujtojme gjithe shtetasve se pasaportat e lëshuara me afat 10 vjeçar, per të miturit, janë të vlefshme për një periudhë 6 vjeçare duke filluar nga data e lëshimit.
Kjo u be e mundur pas shtyrjes me 1 vit te vlefshmerisë së këtyre dokumentave biometrike, per gjithe pasaportat e lëshuara me afat vlefshmërie të gabuar 10 vjeçar.
Bëjmë me dije se këto pasaporata edhe pse kanë afat 10 vjeçar, nuk janë të vlefshme, në rast se ka kaluar afati 6 vjeçar.
Kërkojmë mirëkuptimin e qytetareve që para se të nisen për të udhëtuar jashtë shtetit, të kontrollojnë afatin e vlefshmërisë së pasaportës së fëmijëve të tyre.
Në disa Pika të Kalimit të Kufirit, janë evidentuar raste të refuzimit të daljes për arsye të pavlefshmërisë së pasaportave të fëmijëve.
Ky refuzim është i pashmangshëm.
Çdo shtetas që udhëton jashtë Shqipërisë duhet ta ketë vlefshmërinë e pasaportës mbi 3 muaj, nga dita e daljes në kufi.