• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, January 18, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews

Rrëfimet e bankierit të ndjerë Santo: Vitet nuk kthehen më!

by A R
15/12/2015 12:31
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Fatmira Nikolli

Nuk mbaj mend si linda dhe ku linda. Më thanë kur përftova paksa vetëdijen time, që jam lindur në maternitetin e Tiranës, rreth orës 9 të mëngjesit, më 7 shtator të vitit 1956. Qëlloi që isha mashkull. Nuk pata rast të konvertohem gjatë rrugës, kështu që kam mbetur i tillë”. Këto radhë janë ndër të paktat rrëfime të lëna të shkruara nga ish­bankieri Artan Santo. Siç i mbante mend ai, 10 vite më parë. Sot, pothuaj 10 vite më pas, ato i gjen mes kapakëve të një libri botuar në vitin 2006, “Individ”, që në ballinë ka një burrë, koka e të cilit nuk shihet. Libri përmbledh copëza ditari, rrëfime a kujtime, e 1 vit e gjysmë pas vdekjes së tij ende të pazbardhur, kopertina të tremb, ndërsa brendia të prezanton me përmasën njerëzore e artistike të një bankieri të suksesshëm. Botimi i titulluar “Individ”, përmbledh kujtimet e para, kohët e shkollës, mandej fakultetit, zborin, punët e para, njohjen me bashkëshorten dhe ardhjen në jetë të fëmijëve.

“…por më mirë anormalët, që nuk e kuptojnë se sa të ‘çmendur’ jemi NE, ‘normalët’” – janë fjalët hyrëse, që të ftojnë të ikësh nga kjo botë e çmendur. Mandej, përmes një stili të thjeshtë, ku nuk mungon ironia e as ku nuk fshihet natyra hokatare, Santo pati prezantuar kur ishte ende në jetë, botën që mbante brenda vetes. Përmes radhëve, në fraza, në pauza, në trepikësha, në fjali të nisura që herë ndjekin rrjedhën e tyre, e herë fshihen në udhë të tjera, në vargje të ndjera, hedhur në letër mes nxitimesh e turravrapit të rutinës, në copëza fjalësh të shkruara rëndë, është një pjesë e asaj që la pas, para se të shuhej në fundqershorin e 2014­ës në moshën 58­vjeçare. Sot, kur ai është në mungesë, “Individi” i tij vihet në skenën e Teatrit të Metropolit në datat 15, 16 dhe 17 dhjetor, në orën 20:00, futur në kuadratet e teatrit të rrëfimit poetik. Shfaqja është realizuar me regji të Armand Borës, interpretimin e aktorëve Ndriçim Xhepa, Suela Konjari e Rozi Kostani dhe skenografinë e Hysni Lokës. Si skenë ka shërbyer imazhi i zyrës së Santos, vendi nga ku ndoshta kanë buruar shënimet dhe nga ku ka marrë formën përfundimtare ky libër.

MBAMENDJET E VEGJËLISË E RINISË

Rreth moshës 3­4 vjeç më kanë çuar në kopsht. Mbaj mend edukatore Buqen, shokët e shoqet e mi të grupit, me disa prej të cilëve kam qenë deri në vitin e fundit të shkollës së mesme. Kopshti ka pasur edhe një roje plak, emri i të cilit nuk më kujtohet, por e kam ende në sy flokun e tij të bardhë dhe një kapele, kasketë prej cohe. Luanim shpesh me kukulla në një teatër hijesh, futeshim mbrapa një pëlhure të bardhë dhe sajonim ngjarje të ndryshme”. Rinia e tij rrëfehet përmes ndodhive. Ankthi i degës që do dilte në fakultet, kryerja e praktikave të ndryshme “stërvitore” dhe fillimi i Ekonomikut, ku ditën e dytë të shkollës, shtrohet në spital, për ulçer në duoden. “Në mes të vitit të parë, e lë fakultetin për dy javë, pasi s’më pëlqente. Isha në një grup me Çim Canin, shokun tim të gjimnazit, dhe shpesh vendimet për të tilla ngjarje i merrnim së bashku. Më pas, e pamë që s’kishte rrugë tjetër, vijova rregullisht mësimet, me të mirat dhe të këqijat që gjykoja në atë kohë”. Përtej karrierës që ndoqi, ai kujtonte për disa provime, që s’kuptonte përse i duheshin, se ka bërë edhe kopje. “Tani them që kam bërë fort mirë, pasi tani jo e jo, por as atëherë dhe asnjëherë ato nuk kanë qenë praktikuar, veçse në kokën e atyre profesorëve tanë të dashur dhe të kohës që jetonin”. E si për këdo të lindur në vitet e “njeriut” të ri, as Santo nuk i shpëtoi zborit ushtarak të pas fakultetit, ku shkoi për rreth 5 muaj në Golem, ku kokët e qethura, impenjimi me grupin e piktorëve, e bëri ta kalonte qetë atë periudhë. “Mbaj mend që një herë një pedagog i Akademisë së Arteve, erdhi në repart dhe komisari ynë i thotë që ‘kemi këtu tre djem piktorë shumë të talentuar’”, – shkruan ai. “Me të drejtë ai i pyet se kush janë këta dhe komisari i sjell në dhomën tonë…. Shokët e mi të mirë ndërhynë përnjëherë duke i thënë që unë kisha përfunduar për skenografi, e kështu ia hodha, ndonëse vërtet pikturoja dhe kisha një shkrim që ia vlente të isha pjesëtar i atij grupi” – kujtonte Santo. Mandej, kur qe burrë i pjekur dhe në kulmin e karrierës, kur shihte fotografitë e asaj kohe me Gim Bajkon e Çim Xhepën, kur kujtonte revoltat për të mos qethur kokën, ditët e ftohta të nëntorit dhe “pozdravin” që e dëgjonin duke perënduar dielli, i “krijohej një ligështim i brendshëm për vitet që s’kthehen më, sikur çfarëdo çmimi të vësh”. Më 1984­ën, ai filloi punë në Institutin e Studimeve Ekonomike, në Sektorin e Ekonomisë Botërore. Prej aty kujtonte Aristotel Panon, që i mësoi artin e të studiuarit duke e ngulitur fort në punë, ndërsa Hasan Banja, logjikën e të shkruarit dhe të gjithë së bashku, punën e mirëfilltë shkencore.

FAMILJA

Santo kujton në libër martesën dhe lindjen e dy fëmijëve, pa kursyer shakanë. “…Në atë vit martohem me Arjanën, me origjinë kosovare. Qeshja asokohe me shoqërinë time se u thosha ‘Dëgjoja fjalën e Partisë që ta konsiderojmë Kosovën si çështje tonën’ dhe unë i mora njërën prej ‘cucave’ të saj, ndonëse ajo dhe prindërit e saj kishin lindur në Tiranë”. Ndërsa lindjen e vajzës e mban mend ndryshe; mbase prej emocionit që u bë baba, mbase edhe prej lidhjes së mëvonshme: Në 1985­ën, në nëntor, një makinë policie me sirenë e drita të ndezura nxiton drejt maternitetit. Brenda saj, ime shoqe dhe në bark të saj ishte ime bijë, Emi. Një tigër i butë dhe i ëmbël”. I biri, Egi lindi tri vite më vonë, më 1988­ën. Santo kujton se e ka “çmendur” deri në moshën 7 vjeçe me kapriçot, ulërimat, kërkesat dhe laringitin e tij. “Sot është tjetërsoj. Ndoshta sepse edhe është rritur, por është konvertuar në njeriun e mirë e të urtë, në një kohë të keqe” – shkruante ai.

SHFAQJA

Regjisori Armand Bora kujtoi dje në konferencën para mediave se “kur Santo më dhuroi librin, bashkë me shënimin e tij, ndjeva një lloj detyrimi, që në një farë mënyre më bënte të gjeja një formë për ta vënë në skenë. Pas leximit të librit, detyrimi u dyfishua edhe më shumë për këtë shfaqje. Pa dyshim, më vjen keq që nuk gjeta mundësinë për ta realizuar gjatë kohës që Santo ishte gjallë”. Sipas tij, shfaqja nis në mënyrë kronologjike. Duke nisur me kujtimet e fëmijërisë, prindërit, shokët e shkollës dhe mësuesit e parë. Më pas vazhdon me pushimet në qytetin e Durrësit, dhe kryesisht Elbasanin, vendin ku kishte gjyshin dhe gjyshen e tij, personat që e kanë afruar Santon me librin. Mandej, fjalën e mori aktori Ndriçim Xhepa, i cili rrëfeu njohjen e hershme në moshën e gjimnazit. “Kam qenë mik i afërt. E kam njohur kur kemi qenë në gjimnaz, por takoheshim edhe kur ishim në fakultet. Jeta në atë kohë nuk ka qenë kaq e zhurmshme sa sot. Jo kaq e shpërndarë, e jo me këtë zgjerim e shqepje të qytetit në gjëra pozitive ose jo. Njerëzit njiheshin e prekeshin me njëri­tjetrin.

Na lidhnin aksionet e punëve prodhuese dhe zboret. Unë dhe Santo zborin pesëmujor pas universitetit e kemi bërë në Durrës, në kodrat e arabëve, në aksionet e drurëve, me armikun majtas e armikun djathtas, por armiq nuk kishte fare”. Xhepa tha se Artan Santo, ishte njeri i ekonomisë që e donte artin, e jo pse kur ishte fëmijë kishte interpretuar te “Guximtarët”. “Ai i donte letërsinë, finesën, elegancën. Ka qenë në bordin e Teatrit Kombëtar, e frekuentonte dhe e ndiqte. Takoheshim pas premierash në teatro ose në kinema”. Ndërkaq, ish­drejtoresha e Metropolit, Suela Konjari, tha se ky ka qenë një projekt që nisi herët. “Kam pasur bashkëpunim artistik me Santon dhe e përqafova menjëherë këtë shfaqje. Shpesh kemi nevojë të themi që na mungon neve miqve e artistëve. Le ta kujtojmë siç i ka shkruar poezitë e tij”./Balkanweb

Next Post

Ishin shkak i përmbytjeve, bashkia Vlorë shemb disa ndërtime pa leje

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Gjashtë muaj hetime, policia e Fierit arreston 31-vjeçarin për shpërndarje droge

Gjashtë muaj hetime, policia e Fierit arreston 31-vjeçarin për shpërndarje droge

January 18, 2026
“Ne nuk jemi noterë të SPAK”, Rama për Ballukun: 16 mijë faqe s’janë prova, por arkiv! USB-në s’e ka tërhequr askush

“Ata që hidhen përpjetë çoroditën publikun”, Rama: SHBA nuk i kanë ndaluar vizat për Shqipërinë

January 18, 2026
Bilanci tragjik në Iran: Mbi 3300 të vrarë gjatë protestave kundër regjimit

Bilanci tragjik në Iran: Mbi 3300 të vrarë gjatë protestave kundër regjimit

January 18, 2026
6 mijë vende të lira pune, pjesa më e madhe në Tiranë, të shpërndara në profile të ndryshme

6 mijë vende të lira pune, pjesa më e madhe në Tiranë, të shpërndara në profile të ndryshme

January 18, 2026
Ftesa e Trump për Shqipërinë, reagon Shtëpia e Bardhë: S’ka asnjë detyrim për 1 mld dollarë!

Ftesa e Trump për Shqipërinë, reagon Shtëpia e Bardhë: S’ka asnjë detyrim për 1 mld dollarë!

January 18, 2026
Paradoksi i ndërtimit dhe pasuritve të paluajtshme: Çmimet do të shtrenjtohen, por kërkesa në rënie!

Paradoksi i ndërtimit dhe pasuritve të paluajtshme: Çmimet do të shtrenjtohen, por kërkesa në rënie!

January 18, 2026
Bordi i Paqes për Gazën, Rama publikon ftesën e Trump: Nder për mua të më bashkoheni në një përpjekje historike

Bordi i Paqes për Gazën, Rama publikon ftesën e Trump: Nder për mua të më bashkoheni në një përpjekje historike

January 18, 2026
Pas përleshjeve vdekjeprurëse, Trump njofton armëpushim mes Tajlandës e Kamboxhias

Si do të funksionojë Bordi i Paqes së Trump, Bloomberg: 1 mld $ për anëtarësi të përhershme

January 18, 2026
Punonjësit e RTSH reagojnë pas kërcënimit të Ramës për mbylllje: Na jepni autonominë që ta ringremë vetë median publike

Punonjësit e RTSH reagojnë pas kërcënimit të Ramës për mbylllje: Na jepni autonominë që ta ringremë vetë median publike

January 17, 2026
Akuza për manipulim të votave brenda partive në Kosovë, kërkohet reagimi i prokurorisë

Akuza për manipulim të votave brenda partive në Kosovë, kërkohet reagimi i prokurorisë

January 17, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In