Bashkia Pogradec publikon për të dytin vit radhazi 100 ditët kalendarike, ditë që do të jenë të mbushura me aktivitete të shumta sportive, kulturore dhe artistike. Ky kalendar përfshin një shumëllojshmëri aktivitetesh që do të fillojnë prej muajit prill e deri në tetor. Risi do të jetë maratona e bebeve e cila këtë vit zgjat 3 ditë.
“Këtë vit sigurisht krahas koncerteve, aktiviteteve, provomini i librit kalendari do të jetë i pasuruar edhe me aktivitete ndërkombëtare dhe me festivalin e filmit, një risi do të jetë edhe maratona e bebeve me një shtrirje prej 3 ditësh. Do të ketë një organizim shumë serioz”, tha nënkryetarja e bashkisë Pogradec, Entela Gusho.
Eventi i shumëpritur i këtij viti Formula Uno në liqenin e Pogradecit nuk do të realizohet por në ditët që ishte parashikuar të zhvillohej ky aktivitet do të organizohen sporte të ndryshme ujore.
“Këto ditë të cilat ishin planifikuar për Formula Unon do të jenë të planifikuara për aktivitete të sporteve ujore”, tha Gusho.
Ditët kalendarike nuk shijohen vetëm nga qytetarët por dhe turistët që do zgjedhin Pogradecin për pushime duke i dhënë një tjetër ngjyrë qytetit liqenor.
/a.r