Nga Alfred Peza/
Djegia në grup e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, për të dalë nga sistemi Parlamentar, duke qenë një rast i paprecedentë në historinë e pluralizmit, kuptohet që ka nevojë për argumenta në mënyrë që të justifikohet. E në mungesë të tyre, për shkak se mungon një vendim, një ngjarje apo një zhvillim aq flagarant sa të legjetimojë aktin më ekstrem që është ndërmarrë ndonjëherë në historinë e demokracive funksionale, opozita jonë dhe propaganda e saj, po mundohen që ta mbulojnë atë me mite të rreme.
Sipas enciklopedive, në përdorimin popullor, “miti është bindje apo besim kolektiv që nuk bazohet në fakte. Përdorimi i termit zakonisht shoqërohet me legjendën, fantazinë, folklorin të dhënat konfuze, dëshirat personale dhe legjendat urbane”. Po mundohem që të rendis 10 mitet e rreme, që përdoren më shpesh gjatë fjalimeve të liderëve politik të opozitës, në debatet televizive, në komentet mediatike, e për rrjedhojë edhe në diskurin e përgjithshëm anti qeveritar.
Makina gjigande e propogandës opozitare, po mundohet që për çdo provë dhe argument të mazhorancës, të prodhojë mitin e rremë që i kundërvihet asaj. E servirur në një mënyrë të tillë, që sado me penj të bardhë që po i qepet kostumi këtij akti “in extremis” të ndërmarrë prej saj, të paktën ai të jetë i pranueshëm, për turpën e militantëve në radhë të parë, e më pas edhe për ndjekësit dhe përkrahësit e tjerë. Kush janë këto 10 mite të rreme propogandistike?
1.- Opozita: Djegia e mandateve të deputetëve, nuk ndodh për herë të parë. Madje rasti i 2019 nga PD dhe LSI, është identik me atë të PS pas zgjedhjeve të 26 majit 1996. Realiteti: Nuk është e vërtetë. Pas masakrës shtetërore elektorale, deputetët e PS nuk i dorëzuan asnjëherë mandatet. Ata ishin në bojkot, i cili zgjati derisa nisën trazirat antifajde të fillimvitit 1997 dhe vendi shkoi në zgjedhje të parakohëshme.
2.- Opozita: Raporti i OSBE/ODIHR konkludon se 20% e votave në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, janë shitblerë. Realiteti: Nuk është e vërtetë. Kjo e dhënë ka dalë nga një studim i një organizate jo qeveritare që i referohet një anketimi në lidhje me perceptimin publik dhe jo në prova, rreth këtij fenomeni.
3.- Opozita: Zjedhjet e 2017 ishin më të dobëtat e zhvilluara pas 1990 në Shqipëri, një masakër e vërtetë elektorale. Realiteti: Nuk është e vërtetë. PD kishte në qeveri zv/ Kryeministren, 6-7 ministrat kryesorë përfshi atë të Brendshëm, bashkë me Kryetarin e KQZ, që janë dy institucionet e vetme përgjegjëse për kontrollin, menaxhimin dhe çertifikimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Vendimi i KQZ për çertifikimin e zgjedhjeve ishte me voten pro të 7 anëtarëve, asnjë kundër, asnjë abstenim. Të 35 mijë vëzhguesit, nga të cilët gjysma ishin të PD, nuk kanë bërë asnjë ankim. Në Kolegjin Elektoral nuk ka patur asnjë ankim. PD mori 240 mijë vota më pak se 4 vjet përpara. PS mori 74 mandate ndërsa PD, 43 ose 31 mandate deputetësh më pak. Eshtë e pakonceptueshme që një diferencë e tillë të ketë ardhur si rezultat i pretendimeve të sotme të opozitës që krejt papritur u kujtua pas 2 vjetësh për ti kontestuar?!
4.- Opozita: Ka një raport prej 142 faqesh që mban firmën e ish- zv. Kryeministres dhe Kryetare e Task Forcës Ledina Mandija, në lidhje me zgjedhjet e 2017, që evidenton fenomenin e shitblerjes së votës. Realiteti: Nuk është e vërtetë. Në konkluzionet dhe rekomanimet e këtij raporti, në vetëm 3-4 rreshta krejt të përgjithshme thjeshtë sa përmendet ky term, pa referuar asnjë emër, asnjë shifër, asnjë provë dhe asnjë fakt.
5.- Opozita: “Zëri i Amerikës” ka zbuluar me prova dhe me fakte nëpërmjet përgjimeve telefonike, përfshirjen e drejtuesve të PS në fenomenin e shitblerjes së votës nga grupet kriminale të qarkun e Durrësit. Realiteti: Nuk është e vërtetë. Kronika në asnjë rast nuk bën fjalë për akuza por për në të gjitha rastet flet vetëm për dyshime, të cilat prokuroria ende po i heton prej 2-3 vjetësh. Deri tani dosja as nuk ka shkuar në gjykatë dhe çështja as nuk është pushuar. Sipas Kushtetutës, fajtor është ai apo ato person/a që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, pra nga një gjykatë e shkallës së dytë. Demokracitë funksionale i mban në këmbë shteti i së drejtës dhe jo akuzat politike dhe mediatike të kundërshtarëve ndaj njëri tjetrit.
6.- Opozita: Raporti i fundit i Depatamentit Amerikan të Shtetit, nxjerr në pah ankesat e mëdha në drejtim të shitblerjes së votës, në zgjedhjet e 2017. Realiteti: Nuk është e vërtetë. Departamenti citon raportin e OSBE/ ODIHR për këtë proces. Ndërsa opozita citon pjesën e opinioneve të partive politike të opozitës (pra të vetat të pasqyruara në këtë raport) dhe jo opinionet e vëzhguesve të huaj.
7.- Opozita: Mandatet i dogjëm sepse dëgjuam urdhërin dhe dëshirën e popullit. Realiteti: Nuk është e vërtetë. Askush nga lidershipi i opozitës nuk bëri asnjë konsultim me qytetarët, asnjë anketim dhe asgjë tjetër që të justifikojë këtë retorikë. Në emër të popullit, kanë folur vetëm partitë bolshevike në diktaturat komuniste, sipas slloganit: “Çthotë populli bën partia, çdo partia bën populli!”
8.- Opozita: Nuk duam pushtet në tavolinë, por duam qeveri tranzitore pa Edi Ramën Kryeministër në zgjedhje të parakohëshme! Realiteti: Nuk është e vërtetë. Ky kusht i opozitës, do të thotë pikërisht pushtet në tavolinë. Pasi në asnjë rast zgjedhjet pas krijimit të qeverive tranzitore, nuk fitohen nga partitë që janë në pushtet. Kjo krijon precedentin e panjohur që e bën Shqipërinë të paqeverisshme. Sepse nëse sipas kësaj logjike opozita vjen në pushtet, edhe PS që do të kalonte në opozitë, me të njëjtën logjikë pas disa muajsh do të digjte mandatet e deputetëve të saj dhe do të kërkonte sërisht zgjedhje të parakohëshme.
9.- Opozita: Vendi është në krizë institucionale dhe politike. Realiteti: Nuk është e vërtetë. Për aq kohë sa qeverisja e vendit vijon si më parë, Parlamenti i ka të gjitha numrat dhe legjitimitetin për të vijuar punën normalisht dhe për të miratuar të gjitha ligjet e reformat dhe të gjitha institucionet e tjera vijojnë punën njësoj, vendi nuk ndodhet në krizë institucionale. Kriza politike nuk ekziston për aq kohë sa kemi të bëjmë me një përpjekje të qëllimshme, me paramendim të opozitës që synon injektimin e krizës së lidershipit të vet, në sistem. Sipas ambasadës së SHBA në Tiranë “qeveria dhe Parlamenti aktual në Shqipëri janë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të 2017, të njohura ndërkombëtarisht. Ne vlerësojmë punën e mirë që është bërë në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipër dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
10.- Opozita: Protestat që po zhvillohen në Tiranë janë protesta masive popullore gjë që tregon se qeveria nuk ka mbështetje dhe duhet të largohet një minutë e më parë. Realiteti: Nuk është e vërtetë. Protestat janë partiake, të thërritura, të organizuara nga lidershipi i partive të opozitës, të cilët kërkojnë leje si organizatore të tyre tek policia, caktojnë, ditën, datën dhe vendin. Asnjë qeveri në botë nuk është rrezuar nga protestat partiake të një elite politike në opozitë e cila kërkon që hallin e vet personal, ta shesë si hallin e qytetarëve shqiptarë dhe si hall kombëtar.
Këto janë jo vetëm disa nga mitet kryesore të rreme të propogandës sonë opozitare, por edhe shkaqet themelore, se përse dalja jashtë sistemit po e bën mazhorancën çdo ditë e më të fortë dhe opozitën gjithnjë e më të dobët e të dëshpëruar në Shqipëri.