Një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza është evakuuar në vendin tonë mbrëmjen e djeshme (15 janar 2025) për një trajtim të specializuar mjekësor.
Lajmi është bërë i ditur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri, ku thekson se babai, vëllai dhe motra e vogëlushit janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në zonë e Babrrusë në kryeqytet, ndërsa fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”
Sakaq, OBSH shpreh falënderimet për kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare për lehtësimin e kësaj përpjekjet humanitare.
“Mbrëmjen e kaluar u krye evakuimi mjekësor për ofrimin e kujdesit kritik në Shqipëri për një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza. Fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës.
Një falenderim i madh për Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e kësaj përpjekjeje humanitare. Mirënjohje Albana Koçiut, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Skënder Bratajt, kreu i Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, dhe zyrtarëve nga Ministria e Brendshme, për kontributet e tyre thelbësore. OBSH së bashku me partnerët mbështet koordinimin dhe fuqizimin e një mekanizmi standard, transparent të evakuimeve mjekësore.
Në aeroport, së bashku me zyrtarë të tjerë, për të pritur familjen ishte i pranishëm edhe Gazmend Bejtja, Oficer i ngarkuar i OBSH në Shqipëri.
Angazhimi i Shqipërisë për të mbështetur ata në nevojë është një shembull i rëndësishëm solidariteti. Meqë shumë pacientë nga Gaza ende kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare”,-thuhet në njoftimin e OBSH-së.