Eurodeputeti Knut Fleckenstein ka komentuar sot raportin që prodhuan 6 ministrat teknikë të opozitës sa i përket ecurisë së zgjedhjeve të 25 Qershorit. Sipas Fleckenstein, shumica e dalë nga këto zgjedhje nuk përbën asnjë rrezik për demokracinë.
Raportuesi për Shqipërinë gjithashtu shprehet se raporti i ministrave të Partisë Demokratike nuk ka ndikim negativ sa i përket integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, fjalën e fundit e thotë OSBE/ODIHR dhe duhet parë nëse shkeljet që pretendon Partia Demokratike janë përfshirë edhe në raportin e misionit të huaj.
Nga ana tjetër, Knu Fleckenstein thekson se pret që opozita e dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit të jetë më parën qytetarëve. /javanews/b.d
Intervista e plotë me eurodeputetin dhe reporterin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein dhënë për Report Tv.
1.A do të ndikojë negativisht raporti i ministrave të opozitës për zgjedhjet parlamentare 2017 në integrimin e Shqipërisë?
Fleckenstein: “Raporti I ministrave teknik jo domosdoshmërisht do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të vendit. Më e rëndësishme është nëse OSBE/ ODIHR ka vërejtur të njëjtat shkelje dhe nëse po, se si qeveria do të merret me to.”
2. Shkelja e lirisë së votës vazhdon ende si fenomen, a mendoni se qeveria shqiptare ka bërë mjaftueshëm për të garantuar këtë liri?
“ Isha shumë I sigurtë se “ministrat e ri teknik” do të bënin çmos për të garantuar lirinë e votave. Por tani duhet të presim që Raporti i OSBE-së të vlerësojë nëse është bërë gjithçka e mundur për të garantuar lirinë e votave të qytetarëve shqiptarë.”
3. Qeveria e Rama 2 për shkak të 74 mandateve është sot më e fortë, opozita vazhdon të jetë e dobët. Çfarë garancie kanë qytetarët shqiptarë për demokracinë?
“Nuk kam dyshim se partitë e opozitës do të kenë një vështrim të afërt për procedurat dhe sjelljet e qeverisë.
Sigurisht që ata do të informojnë publikun për vëzhgimet e tyre dhe qasjet alternative për mënyrën e mundshme të qeverisjes.
Një shumicë absolute nuk është një rrezik për demokracinë.”