Nga Mesila Doda/
Unë nuk di të shkruaj nekrologji e as është e domosdoshme të mësoj a të bëj një zhanër të tillë sot. Më mungon ajo ftohtësia e domosdoshme në kësi rastesh për të treguar qartë dhe pa emocione të mirat dhe arritjet e një qenje njerzore përgjatë jetës mbi tokë dhe besoj se akti i largimit nuk eshte fundi, por thjesht kthimi i shpirtit ne shtepine e Atit. Imzot Mirdita është pa dyshim një pjesë e historisë së këtij vendi dhe unë besoj se shume autoritete të kishës katolike dhe të jetës laike,mund ta bëjnë këtë përshkrim fantastik të jetës së një njeriu që erdhi në një tokë djerrë nga vuajtjet dhe ligësia e një diktature dhe mbolli përditë farën e besimit, duke dhënë pa u lodhur shembullin e njeriut të Zotit që i shpalos dyert e Kishës, për të pranuar brenda grigjën e Hyut.maxresdefault (1)
U ula të shkruaj këto dy fjalë thjesht si një besimtare që sot humb ipeshkvin që e pagëzoi, kungoi, krezmoi, tek i cili morri sakramentin e shenjtë të martesës, klerikun që pagëzoi fëmijët e mi, i pa të rriteshin brenda mureve të katedrales së Shën Palit. U ula të shkruaj dy fjalë si një njeri që humb një mik të madh e të mirë që nuk zhgënjente kurrë në besimin e pafund që na jepte, në dashurinë e tij për miqtë, për besimtarët, për çdo qenje njerzore që e rrethonte. Kjo ishte shkolla e madhe e dashurisë dhe përunjësisë së Monsinjor Mirditës.
Është e vështirë për ne shqiptarët, ndoshta sfida më e vështirë për ne, të dimë të mundim mëkatin e krenarisë dhe lavdisë dhe të jemi në mënyrë konstante e të përmbajtur, të përunjur, duke e konsideruar këtë vyrtyt. Imzot Mirdita ishte njeriu që të mësonte se përunjësia është e bukur, është e fuqishme, më fort se çdo krenari e lavd, a rrëmbim momenti.
Tash që sjell ndër mend portretin e ndritur e miqësor të imzot Mirditës, më kujtohet shprehja e Nënë Terezës që ai parapëlqente ta citonte…jam thjesht një laps i vogël në duart e Zotit…
Në të vërtetë, prania e Imzot Mirditës ishte një laps i fuqishëm në Dorën e Hyut, një laps me të cilin ai na shkruajti një letër dashurie të gjithë ne shqiptarve. Prania e tij ishte shkëmb, shkëmbi mbi të cilin Hyu ringriti edhe njëherë kishën e tij të shenjtë, katolike, apostolike.
Lamtumirë Shkëlqesi!
Nëse ti nuk do ishe në vendin tim, në vendin tonë, unë nuk e di nëse sot do isha pjesë e këtij komuniteti të jashtzakonshëm katolik shqiptar. Nëse ti do mungoje në vendin tim, në vendin tonë, Hyu do kish gjetur 100 rrugë të tjera për tek ne, por ti ishe rruga e tij e dashurisë dhe mënçurisë për popullin tënd, për grigjën e Hyut. Thoje shpesh që ishe me fat, sepse fillimin e rrugës tënde në Shqipëri e nisi Papa Gjon Pali II dhe e përmbylli një Papë tjetër, Papa Françesku. Të gjithë ne ishim me fat, që Ti ishe mes nesh, që besimin tonë e shoqërove dhe rrite në emër te Hyut dhe dashurisë tij…tash do kemi një tjetër zë pranë Atit që lutet për ne.