Nga Skënder Minxhozi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk na zhgënjeu edhe një herë. Në linjë me historinë dhe reputacionin që mban, në drejtim të mbrojtjes së korrupsionit të gjyqtarëve dhe të garantimit të paprekshmërisë së çfarëdo shkeljeje e pazari të pisët që ata bëjnë, KLD ka thënë edhe një herë “jo” për shkarkimin e katër gjyqtarëve, të kërkuar nga Ministria e Drejtësisë. Ashtu siç kishte bërë edhe në janar të këtij viti, kur kishte rrëzuar kërkesën e ministres Gjonaj për masa disiplinore për 13 gjyqtarë.
Rasti i mbledhjes së janarit, me debatet e brendshme që u botuan në media, zbuloi natyrën e vrazhdë dhe të pandjeshme me të cilën KLD ka hedhur poshtë akuza konkrete për shkelje monstruoze të një liste të gjatë gjyqtarësh. Kush lexon se çfarë kanë thënë anëtarët e KLD në atë mbledhje, kupton se tashmë aleanca e sistemit të vjetër të drejtësisë me abuzimin dhe shpërfilljen e ligjit, ka marrë trajtat e një sëmundjeje terminale. Nuk njohin më skrupuj, vetëm votojnë si korporatë që ndjen se ndodhet në rrezik.
Vonesa e Reformës në Drejtësi, bashkë me kostot që ka sjellë në krijimin e institucioneve bazë që do të zëvendësonin edhe “kadavrën” KLD, po shtyn në kalenda rrëzimin e pandëshkueshmërisë dhe të imunitetit ligjor për një listë të gjatë gjyqtarësh e prokurorësh. Qëndrimi shurdh i KLD edhe këto ditë, kur Vetingu ka bërë tashmë viktimat e para gjatë rrugës, është prova se me një pjesë të sistemit të drejtësisë shqiptare nuk ka vend forca e shembullit, por vetëm shembulli i forcës.
KLD ka bërë edhe një herë mburojën e gjyqtarëve që, ndër të tjera, kishin kryer shkelje të rënda për kriminelë të kërkuar nga Shqipëria e Italia. Me qëndrimin e saj shpërfillës ndaj kundravajtjeve ligjore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka bërë të lëvizë nga vendi edhe kreun e shtetit Meta, që zakonisht ka qenë garantist dhe konservator kur ka qenë fjala për të ndryshuar diçka në sistemin e drejtësisë.
Me deklarimin e Ilir Metës kundër, KLD ka humbur jo vetëm kreun e tryezës, por edhe njërin ndër filtrat e fundit që e ka mbajtur në këmbë këto vite, me rolin frenues gjatë reformës në drejtësi.
Tashmë të gjithë duket se e kanë shitur këtë llogore të ndryshkur të (pa)drejtësisë shqiptare. Megjithatë japonezët luftuan në transhetë e Paqësorit edhe shumë vite pasi kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Kështu po ndodh edhe në këtë rast.