Cikli: “Antiheronjtë e “qyteteve të harruara”*
Nga Armando Meta dhe javanews.al
Fotot: Ergys Zhabjaku
Dëshira, Dallandyshja dhe Beharja, duket se do të jenë të fundmet e brezit të zanatçijeve të tezgjahut në Krujë . Nën hijen e Kalasë së Krujës, një prej simboleve të rezistencën kombëtare ndër shekuj, po zhvillohet një nga dramat më të prekshme, që është ajo e humbjes së traditës mijëvjeçare të punimit me dorë të qylymave, rrugicave, velenxave, sixhadeve, që ka qenë një ndër krenaritë e këtij qyteti. Në rrugët e ngushta të Pazarit të Krujës, ku gëlojnë thuajse çdo ditë mijëra turistë vendas dhe të huaj, tre gra janë bërë bashkë që me “shpirt ndër dhëmbë” përpiqen të mbajnë në këmbë një profesion, i cili duket se po përjeton agoninë e tij.
Dëshire Malaj: Nga 3 mijë tezgjahiste, sot kemi mbetur vetëm 10
Dëshire Maja, një krutane tipike rreth 55 vjeçe, çdo ditë zgjohet në mëngjes duke menduar se kjo do të jetë dita e fundit që ajo ulet mbi tezgjahun e saj që ka afro 40 vite që e përdor, që kur ishte 15 vjeçe. Në gishtat e saj dallohen qartazi gjurmët që kanë lënë ndër vite kilometra të tërë fillesh leshi që ajo ka kaluar ndër duar, duke thurur qylyma, rrugica, sixhade dhe dekorime të tjera që rëndomtazi ndeshen të varura në mure si relike, ashtu edhe nëpër dysheme, si në Shqipëri, por edhe vende të ndryshme të botës. Në tezgjah koha ka lënë gjurmët e saj. Levave të drujta u ka dalë me kohë boja. Ato janë të zbardhur dhe rënkojnë sa herë që Dëshira i shkel me këmbë për të drejtuar filjet e leshta, që në vështrim të parë duken si një xhungël, por që ajo me shumë intiligjencë arrin “t’i bëj zap”, duke u dhënë formë milimetër pas milimetri qylymave dhe rrugicave që ajo punon. Me tezgjahun, gërshërët dhe dërrasën e flokates që janë dhe 3 mjetet e saj të punës , asaj i duhen 7 ditë që të bëjë 1 metër katror qylym. Puna e ka kërrusur, ndërsa numëri i syzeve i ka shkuar +5. Ndjej pikëllim- shprehet ajo-, sepse e ndjej çdo ditë që ky profesion është drejt zhdukjes.
“Shumë vite më parë në Krujë numëroheshin rreth 3 mijë tezgjahiste. Ndërsa sot kanë mbetur aq sa janë gishtat e duarve, vetëm 10. Më vjen keq se bashkë me mua po humb edhe një traditë 2 shekullore e familjes sime. Këtij zanati kohët e fundit i është rritur shumë vlera. Por vihet re se vajzat e reja nuk kanë më asnjë interes për të vijuar këtë traditë. Ndërsa shteti nuk ka më asnjë interes për të financuar kurse, të cilat do t’i bënin vajzat të interesuara për të ruajtur këtë traditë. Të gjitha kërkojnë të bëhen të pasura brenda ditës, mundësisht pa lodhje e mundim. Ndërsa tezagjahu është një profesion, i cili kërkon durim dhe rezultatet nuk arrihen as për një javë, as për një muaj e mbase dhe as për një vit. Kjo ka bërë që ato të mos kenë më interes”, shprehet Dëshira.
Zymtësia e saj bëhet akoma më e dukshme kur mes qindra qylymash e velenxash të punuara prej më shumë se 20 vitesh dhe që janë të shpërndara në kthinën ku ajo punon, thotë se dhe tezgjahu rrezikon të ketë fatin e zanatçijeve të sixhadeve. Dëshira, me një zë gati në shuarje, jep lajmin se tani në Shqipëri nuk ka thuajse asnjë që prodhon sixhade.
“Mesa jam në dijeni janë vetëm 2 gra që vijojnë të prodhojnë sixhade. Njëra është në Shkodër dhe tjetra në Tiranë. Është për të ardhur keq por sixhadja shqiptare humbi. Edhe ato që shiten si sixhade shqiptare janë prodhuar shumë vite më parë, ndërsa tregu është mbytur me sixhade të importit. Kërkesa ka, por asnjë nuk end më sixhade, pasi kërkon shumë mund dhe fitimi nuk është aq i madh. Malli i huaj e dënoi sixhaden shqiptare, e cila ka qenë shumë e famshme për larminë e ngjyrave dhe format e kompozimit. Kur isha në ndërmarrjen artistike të Krujës, para viteve 90, ka pasur një kujdes të veçantë për artizanet, jo vetëm që të prodhonin, por dhe të trashëgonin traditën e punimit me dorë. Kurse sot…gjithshka është drejt zhdukjes”, komenton Dëshira duke kaluar gjilpërën mbi një pëlhurë që po dekoron.
Dallandyshe Tabaku: Askush s’ta vë veshin. Bashkë me ne, Kruja po humbet edhe traditën shekullore
Edhe Dallandyshe Tabaku, një prej artizaneve të njohura në Krujë dhe që mban mbi supet e saj rreth 38 vite në fushën e tezgjahut, e sheh të zymtë perspektivën e këtij profesioni. Edhe kur bisedon me të ajo nuk shkëputet për asnjë çast nga tezgjahu, ndërsa në dhomën e vogël të punës dëgjohet çdo kërcitje e levave të drurit që ajo shkel me këmbë.
“Ndër vite ka pasur një sistem zinxhir. Profesioni trashëgohej. Më parë shteti na paguante që ta mësonin zanatin e tezgjahisteve edhe pse nuk prodhonim qylyma apo sixhade. Ndërsa tani gjithshka duket se është drejt fundit. Vajzat e reja vinë për të mësuar. Rrinë 2 javë dhe nuk duken më. Ne tashmë jemi plakur e natyrisht edhe fuqitë fillojnë e bien. Nuk e di si do të jetë e ardhmja, por gjykuar nga e tashmja them se këtij profesioni po i vjen fundi’, shprehet Tabaku.
Sipas saj, askush nuk po kujtohet më për këtë profesion, i cili në realitet është një vlerë kombëtare, pasi arrin të bëjë konkretisht të njohur Shqipërinë në mbarë botë.
“Punimet me dorë janë reklama më e mirë që I bëhet vendit. Por askush s’ta vë veshin. Shteti na ka lënë në mëshirë të fatit dhe të ndonjë turisti që bën pazar 1 orë për 10 euro. Gdhihemi e ngrysemi nën hijen e Kalasë duke parë me sytë tanë që gjërat po shkojnë keq e më keq. Kërkesa ka. Por unë ndihem gjithnjë e më e pafuqishme për t’i plotësuar sepse edhe mosha bën punën e saj. Unë s’jam më 20 vjeçe. Me 38 vite punë që kam mbi tezgjah sjam më si më parë. Bashkë me ne Kruja po humbet edhe traditën shekullore”, shprehet Tabaku.
Behare Kosumi: Një ditë ata që mbyllen veshët sot, nesër do të pendohen
Ndërsa Behare Kosumi është më e vjetra ndër tezgjahistet e Krujës me një përvoijë prej 46 vitesh duke thurur në tezgjah. Beharja vjen fjalëpakët dhe mosha e saj ndihet edhe në ritmin e punës që është thuajse monoton e i ngadaltë. Bashkëshorti përpiqet ta ndihmojë mesa mundet, por edhe ai s’mund të bëjë më shumë, pasi mjaftohet vetëm duke u kujdesur që t’i afrojë topat e leshtë, ose t’i mbajë fletën ku është vizatuar modeli që ajo punon.
“Asnjëherë se kam pas menduar se do të vinte kjo ditë. Imagjinoni vetëm 25 vite më parë kanë qenë thuajse 3000 tezgjahiste. Ndërsa sot kemi mbetur as 10 gra dhe të gjitha të moshuara. Në heshtje Kruja po humbet identitetin e saj. Në heshtje po fiket edhe ky profesion, i cili s’të bën të pasur, por të mundëson të jetosh me dinjitet”, shprehet Beharja.
Më parë ajo punonte edhe 14 orë në ditë, ndërsa tani i duhet çdo 14 minuta që të ngrihet, që pesha e moshës të mos e vej ‘përfund’, siç shprehet ajo. Pa hezitim Beharja nënvizon se edhe ato pak gra që kanë mbetur dhe që punojnë në tezgjah mund të konsiderohen heroina.
“Më vjen keq që shumë e shohin punën tonë si çështje biznesi, prodho e shit qylyma. Këtë mendësi e kemi hasur edhe tek drejtuesit vendor në Krujë, por edhe te institucionet e trashëgimisë historike e kulturore. U kemi kërkuar që ta shpallin profesionin e tezgjahur si element të trashëgimisë historike dhe kulturore. Po asnjë s’ta vë veshin. Ne nuk do jemi dhe shumë gjatë në këtë jetë. Do më vinte vërtetë keq që këtë profesion të mundimshëm, por shumë të bukur, unë dhe shoqet e mia ta merrnin me vete, duke mos e trashëguar tek askush. Jam e sigurtë që një ditë ata që mbyllen veshët sot, nesër do të pendohen që nuk arritën të financonin pak lek për të mnos lejuar funeralin e tezgjahut”, shprehet Beharja.
*“Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë- Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros”.