Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarë myslimanë për nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në një shënim në rrjetet sociale të shoqëruar me fotone xhamisë së plumbit në Vlorë, Meta uron agjërim të lehtë e të pranuar për çdo besimtar.
Kreu i shtetit shton gjithashtu se me lutjet jemi më pranë njerëzve në nevojë e çdo shqiptari për të rizgjuar shpresën për ditët më të mira, që po afrojnë.
Mesazhi nga Ilir Meta:
Të dashur motra dhe vëllezër të besimit Islam,
Gëzuar Muajin e bekuar të Ramazanit!
I bashkohem urimit për agjërim të lehtë e të pranuar dhe lutjeve të çdo besimtari, që Zoti t’i falë mëshirën e Tij, t’ia shpërblejë sakrificën e shumëfishtë dhe të lehtësojë dhembjen e çdokujt, veçanërisht në këtë periudhë sprovash të mëdha, me të cilat përballen të gjithë shqiptarët.
Me lutjet dhe përkushtimet tona, me shpirt dhe zemër, duke u shërbyer me përulësi, të jemi më pranë të sëmurëve, të pamundurve, të moshuarve dhe çdo shqiptari në nevojë për të rizgjuar shpresën për ditët më të mira, që po afrojnë dhe që patjetër do të vijnë për Shqipërinë!
NGA MOT GËZUAR MUAJIN E MADHËRISHËM TË RAMAZANIT!
Edhe Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka uruar ditën e sotme besimtarët myslimanë për Muajin e Shenjtë të Ramazanit.
Kryemadhi shkruan në rrjetet sociale se ky është muaj i faljes dhe mirëkuptimit, i cili afron njerëzit më shumë me krijuesin, lartëson vlerat më të mira dhe rrit forcën e çdonjërit për përballimin me sukses të sfidave.
“Agjërim të lehtë e të pranuar për të gjithë ju, të dashur motra e vëllezër besimtarë myslimanë. Muaji i Shenjtë i Ramazanit që nisi sot, është muaj i faljes dhe mirëkuptimit, i cili afron njerëzit më shumë me krijuesin, lartëson vlerat më të mira dhe rrit forcën e çdonjërit për përballimin me sukses të sfidave që përballemi në familje, në shoqëri dhe në Shqipëri. Paqja dhe mirësia qoftë në zemrat dhe shtëpitë e çdo shqiptari!”, thekson Kryemadhi.
g.kosovari