Policia belge ka arritur tw zbardhw vrasjen e studentit shqiptar. Pa kaluar më shumë se një muaj nga gjetja e trupit pa kokë e këmbë të studentit autoritetet policore arrestuan dje edhe një tjetër person të dyshuar për vrasjen e tij. Kështu, në pranga ra maqedonasi Denis N., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pas arrestimit të Vincent DB. Të dy akuzohen se më 7 qershor, kanë masakruar 22-vjeçarin Xhuliano Brahimllari, me origjinë nga Dukasi i Fierit dhe banues prej vitesh në Bruksel dhe më pas i kanë copëtuar trupin. Disa media belge raportonin dje se Denis N. ishte larguar menjëherë nga Brukseli, pas kryerjes së vrasjes dhe strehohej në Maqedoni.
Por në këto raportime nuk specifikohet etnia e këtij shtetasi, nëse është maqedonas apo shqiptar. Trupi i pajetë i studentit të vitit të parë për Juridik dhe Kriminologji, me banim në Bruksel, u gjet më 9 qershor në Wemmel, nga disa punëtorë. Më parë, prokuroria kishte në pranga një tjetër të dyshuar, 30-vjeçarin Vincent DB, më 30 qershor. Hetimi, deri më tani ka treguar se Xhuliano Brahimllari, Vincent DB dhe Denis N., kanë qenë të përfshirë në një trafik kanabisi jashtë Belgjikës, por ende nuk është i qartë nëse është ai motivi i vrasjes.
Hetimet kanë përcaktuar se të tre miqtë kishin qenë bashkë, së paku për një pjesë të fundjavës që kishin kaluar në një apartament në Koekelberg. Gjatë datës 7 qershor, ka ndodhur fillimisht një grindje dhe më pas një përleshje e ashpër. Prokurorët besojnë se në momentin e parë të vrasjes, ai që shkaktoi humbjen e jetës së studentit, është 30-vjeçari belg Vincent DB, por për këtë pohim nuk ka ndonjë dëshmitar. Më tej, në bazë të provave dhe analizave laboratorike, specialistët kanë përcaktuar se në apartament ka mbërritur maqedonasi Denis N., i cili realizoi edhe aktin më makabër të kësaj historie tepër tragjike për bashkëkombësin tonë. Maqedonasi i ka prerë kokën, këmbët dhe parakrahët me një sharrë. Koka, parakrahët dhe këmbët ende nuk janë gjetur, ndërsa pjesa tjetër e trupit është gjetur më 9 qershor. Prokuroria vijon hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota dhe motivet e ngjarjes.
Nga hetimet rezulton se ditën e diel, më 9 qershor të këtij viti, rreth pasdites, Xhuliano Brahimllari e ka ruajtur kontaktin e tij të fundit të telefonit. Por ai pati shkëmbime të bollshme brenda 24 orëve, përpara natës, sidomos me Vincent DB. Ndërkaq, vetë Vincenti thotë se ishin miq për vite me radhë dhe se ata takoheshin rregullisht. Së fundi, familja e të ndjerit tashmë ka riatdhesuar pjesët e organeve të zbuluara dhe ceremonia e parë e varrimit u zhvillua në Shqipëri. Trupi i të ndjerit u gjet në një valixhe sportive, pa kokë, këmbë e duar nga disa punëtorë.
Hetuesit e identifikuan nga një tatuazh me një zambak dhe me inicialet e prindërve. Mediat belge shkruanin se prej kohësh Xhuliano kishte pasion politikën. Ai ishte student në vitin e parë për Juridik dhe Kriminologji dhe jetonte prej vitesh në Belgjikë. Kur ishte 18 vjeç, ai ishte ndaluar për pak ditë, pasi rrahu shokun e tij me shkop bejsbolli. Ndërkaq, akuza më e rëndë për të ishte ajo e vitit të kaluar, kur policia dhe prokuroria dyshonin se ishte pjesë e një rrjeti që trafikonte kanabis. Pas hetimeve, ai ishte lënë i lirë dhe vijonte studimet.