Masat ajrore afrikane që kanë prekur Ballkanin dhe vendin tonë do të sjellin temperatura të larta që shkojnë deri në 40 gradë gjatë gjithë kësaj jave.
“I gjithë vendi ynë është përfshirë tashmë nga aktiviteti i anticiklonit afrikan, dhe masat vijnë të nxehta. Duke vijuar nga dita e sotme e deri ditën e dielë, vendi dhe gjithë Ballkani do të mbetet i përfshirë nga këto masa të nxehta afrikane. Parashikohet në vendet malore të arrijë në vlerat 35 gradë Celcius. Në vendet e ulëta dhe bregdetare parashikohet të arrijnë temperaturat nesër (e enjte) deri në 38, dhe ditën e dielë parashikohet të kapë vlerat 39 e 40 gradë Celcius. Qytete më të nxehta do të jenë Shkodër, Lezhë, kryeqyteti, Gjirokastra dhe Berati”, thotë Rezarta Xhakollari, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Por këto temperatura të cilat maten në hije perceptohen dy deri në tre grade më shumë nga trupi i njeriut në ambient të hapur për shkak të lagështirës që sjellin me vete masat ajrore.
“Këto janë temperatura që regjistrohen në kafazin meteorologjik, pra në hije, por është e vërtetë që temperatura e perceptuar nga njeriu rezulton disa gradë më tepër, dhe dihet dhe lagështia në ajër”. Gjatë rrugës dhe kushteve të tjera natyrore, sidomos dhe kryeqyteti që është dhe më i populluar, asfalti, makinat, ndërtimet, bëjnë të mundur që të rezultojë qyteti më i nxehtë dhe të jetë më problematik për qytetarët”, thotë Xhakollari.
Ditën e dielë masat ajrore afrikane pritet të tërhiqen nga gadishulli i Ballkanit çka pritet të sjellin e një rënie të lehtë te temperaturave deri në dy gradë, por gjithësesi do të ketë mot të kthjellët dhe të nxehtë. Meteorologët shpjegojnë se këto temperatura janë normale duke iu referuar muajit dhe stinës në të cilën ndodhemi.
Gjithësesi në këto dite të nxehta këshillohet reduktimi i lëvizjeve, konsumim sa më shumë i ujit dhe i lëngjeve nga qyetaret. Më shumë kujdes duhet treguar me të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna./Top Channel/