Mënyra më e mirë për të parandaluar erozionin dhe përmbytjet nga shirat e rrëmbyer është mbjellja e pemëve. Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit po vijojnë me projektin e mbjelljes së pemëve, si masë për të shmangur rrëshqitjet e dherave dhe fatkeqësitë natyrore. Pjesës jugore të Unazës së Madhe i janë shtuar edhe 200 pemë të tjera, duke i dhënë formë tashmë asaj që do jetë Pylli Orbital i Tiranës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i kënaqur me ecurinë e projektit për mbjelljen e 100 mijë pemëve në vit, duke theksuar se kjo tregon se kur ka vullnet dhe dëshirë, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje, edhe për gjërat që duken të pamundura.
Ai falenderoi në mënyrë të veçantë banorët për bashkëpunimin dhe për solidaritetin që kanë treguar, duke shtuar se ky është investimi më i mirë edhe për të parandaluar fenomenet natyrore me të cilat u përball vendi ditët e fundit. “Siç e keni parë, në shumë zona rurale, nga përmbytjet dhe shirat e fundit, kanë rrëshqitur kodrat, aty ku është prerë një pemë, aty ku janë hequr shkurret, aty ku është zhdukur bimësia dhe një pjesë e madhe e erozionit në zonat rurale shkaktohet nga tahmaja për të prerë pemët. Pra, për të zgjidhur punë për një orë, shkatërrojmë punën e një jete. Ndaj, dua t’i ftoj gjithë qytetarët, nuk ka nevojë të bëhemi gjithologë, kush do të bëjë diçka konkrete mjafton të mbjellë një pemë, një shkurre, mjafton të mos presë ato që ekzistojnë dhe vetëm kështu mundohemi t’i kompensojmë natyrës dëmin që i kemi bërë gjithë këto vite”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai nënvizoi se Bashkia e Tiranës nga ana e saj do të vazhdojë gjatë gjithë periudhës së dimrit, deri në pranverë, me mbjelljen e pemëve, ndërsa theksoi se një rol në pyllëzimin dhe gjelbërimin e Tiranës mund të luajë kushdo. “Ndoshta jo të gjithëve na jepet shansi që të shërbejmë dhe të jemi administratorë njësish apo të kemi në dorë gjëra të mëdha, por gjërat e vogla i kemi vetë në dorë. I ftoj të gjithë administratorët e pallateve, ndërlidhësit e njësive administrative, nëse gjejnë qoftë edhe 1 m2 bosh ku mund të mbjellin një pemë, le ta bëjnë këtë, sepse është mënyra më e mirë sesi secili i kthen kusurin natyrës për të gjitha padrejtësitë që i kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe. Ne do të vazhdojmë gjatë gjithë stinës së dimrit, edhe në janar, shkurt dhe mars, që të sigurohemi që maksimizojmë kohën e mbjelljeve. Ndaj, kush e ndjen për Shqipërinë, për Tiranën, për vendin e tij, le të japë një kontribut konkret, ose të mbjellë një pemë, ose të na e dhurojë që ta mbjellim ne”, deklaroi Veliaj.
Po ashtu, ai falenderoi në mënyrë të veçantë kompanitë dhe bizneset që i janë përgjigjur thirrjes së Bashkisë së Tiranës, duke u bërë pjesë e këtij aksioni për të ardhmen e qytetit. “Qyteti i Tiranës shërben në ditë një milion kafe, prodhon në rrjetet sociale një milion sharje; po sikur të mbillnim një milion pemë? Po sikur të bënim një milion bamirësi? Po sikur të shërbenim një milion vakte? Unë besoj se Tirana ka nevojë për këtë energji pozitive dhe përkushtimi ynë është që të mos ketë asnjë ditë pushimi kur mund të mbjellim 100-150-200 pemë. Ju mund të thoni që ambicia jonë është për 2 milionë pemë, patjetër, por çdo ambicie e madhe fillon me një hap. Në qoftë se çdo ditë e hedhim nga një hap, shumë shpejt do ia arrijmë kësaj ambicie, por kjo do durim, do fokus dhe pak bashkëpunim nga të gjithë”, theksoi Veliaj.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe, u shpreh se projekti për pyllëzimin e unazës jugore nga krahu i Liqenit të Thatë është pjesë e një segmenti shumë të rëndësishëm, në një zonë të njohur për abuzivizmin ndërtimor dhe prej mungesës totale të gjelbërimit. “Është ritrajtuar si një peizazh i gjelbër dhe pjesë e kurorës së gjelbër të Tiranës. Ngjarjet e fundit të natyrës na kanë konfirmuar faktin se në një zonë që shkretohet nga pyjet, ku preken lumenjtë, ndodhin ato që ndodhin, e vetmja mënyrë për të pasur një të ardhme më të qëndrueshme është kjo që po bëjmë ne, me mbjellje pemësh, sepse vetëm pemët mund ta mbajnë tokën dhe të shmangin përmbytjet dhe erozionin”, theksoi ai.