Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, u shpreh se rezultati i zgjedhjeve ne Podujevë nuk ishte i kënaqshëm për partinë e tij dhe ai do të shqyrtohet me kujdes.
I pyetur nëse i humbën këto zgjedhje për shkak të deklaratave të zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, Gashi u shpreh se gjërat nuk mund të personalizohen. Selmanaj ka pasur disa përplasje në Kuvend me deputeten nga Podujeva, kur po diskutohej për të zhdukurit e luftës. Në Podujevë, sipas rezultateve paraprake, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, fitoi 51.64 për qind të votave, duke i dhënë fund një periudhe 20 vjeçare gjatë së cilës komuna drejtohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në Mitrovicën e Veriut sakaq, Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës mori sërish postin e kryetarit të komunës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës. Posti i kryetarit të komunës së Podujevës ishtë bosh që nga muaji shkurt kur ish kryetari Agim Veliu u tërhoq për t’u bërë ministër i Brendshëm, ndërsa ai i kryetarit të Mitrovicës së Veriut që nga qershori kur ish kryetari Goran Rakiç, u bë zëvendëskryeministër i Kosovës./a.p