Nga Lorenc Vangjeli/
Tani pyetja nuk është kur, por si? Çfarë ndodhi të hënën me dorëheqjen e ministrit të drejtësisë Nasip Naço nuk ishte as një akt i veçuar dhe as një veprim i papritur. Nuk ishte akt i veçuar i Ilir Metës, nuk ishte ngjarje e papritur për Edi Ramën. Ishte dhe është në fakt, krejt ndryshe nga sa u perceptua, një akt e ngjarje tërësisht normale për një qeverisje që ka hyrë në vitin e tretë të mandatit të saj. Dukja plot jehonë gënjen. Thelbi i thjeshtë është tërësisht i qartë
Ilir Meta, natyrisht, në të gjitha rrethanat ka qenë jo vetëm në dijeni të largimit të ministrit të Ramës nga qeveria. Ai madje edhe kishte dhënë emrin e pasardhësit të tij. Por si në të gjitha deklarimet e tij për emrat e kabinetit qeveritar, ngulmoi të përsërisë veten duke thënë se ata janë kompetencë e kryeministrit. Në fakt nuk e thotë Meta. E thotë Kushtetuta. Meta thjesht citon Kushtetutën.
Kryetari i LSI-së, që gjithashtu ka qenë dy herë kryeministër më herët, e di mirë një gjë të tillë; domethënë forcën vendimmarrëse të vetë kreut të qeverisë dhe ndikimin në vendimmarrjen e kryeministrit të faktorëve të jashtëm, politikë, moralë, taktikë e strategjikë apo dhe të traditës që kushtëzojnë emrat që ulen në tryezën gjysëm ovale të Këshillit të Ministrave. E rrumbullakët ishte vetëm tavolina e hershme mbretit Artur, por monarkitë në Shqipëri, nuk kanë pasur kurrë shkëlqim. Edhe kur e kanë pasur jetën të shkurtër nën Ahmet Zogun, edhe kur e kishin jetën e gjatë nën petkun e komunizmit të Enver Hoxhës.
Edi Rama, natyrisht, do të përgënjeshtronte me ironi gjithkënd që do të mendonte se ai e përtypi si të papritur dorëheqjen e ministrit të tij. Kush mendon të kundërtën, ndoshta e ka gabim. Thuhet ndoshta sepse zakonisht, vetëm të marrët janë të sigurtë deri në fund. Vetëm të marrët njohin vetëm dy ekstreme, të bardhën e të zezën, pa ditur se mes tyre ka dhjetra nuanca të grisë së ndërmjetme.
Ka shumë pak gjasa që kjo lëvizje të jetë bërë thjesht dhe vetëm për inat, për demonstrim force, për ndarje dhe barazndarje zonash influence mes Ramës e Metës siç duan të jetë ata që nuk pëlqejnë status quo-në e sotme politike.
Ka shumë më shumë gjasa që kjo dëshmon se nuk është as një vijimësi e muajit të mjaltë politik, siç do të donin ata që i tremb çdo ndryshim status quo-je.
Sërish mes të bardhës dhe të zezës, janë me dhjetra nuancat e grisë as ashtu dhe as kështu.
Vetëm pak ditë më parë, Ilir Meta, si kryetar i LSI-së bëri dy lëvizje të njëpasnjëshme të cilat ishin në fakt dhe paralajmërimi i asaj që do të ndodhte. Në fillim takimi me Ramën për reformën në drejtësi, në të cilin ai shkoi i shoqëruar nga Vasili dhe Manjani dhe jo nga Naço. Javën e shkuar, ai ju tha gazetarëve që e pyetën për Reformën në Drejtësi se për një gjë të tillë: “…mund t’i drejtoheni, gjithmonë përsa i takon LSI, z. Ylli Manjani, sepse ai është i ngarkuar për të ndjekur reformën në drejtësi dhe për të marrë pjesë edhe në debate apo për t’iu përgjigjur edhe interesimit më konkret nga ana e medias”. Në fakt reforma në drejtësi ngjan si një arsye e mirë për t’u gjykuar. Me Naçon ministër (e tha dhe vetë Naço kur njoftoi Ramën se do të bëhej “ish”) bashkëpunimi për reformën nuk ishte i duhuri. Meta tha se besonte që emri i ri që do të zgjidhte kryeministri “…do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë dhe më të ri”. Dhe Rama zgjodhi të zgjedhë në heshtje Manjanin si yllin e ri të ministrisë së drejtësisë.
Në politikën shqiptare e cila shpesh kodohet mbas batutash dhe trialogjesh (dialog edhe nëpërmjet ekraneve të televizionit), këto sinjale kishin paradëshmuar prej kohësh se çfarë do të ndodhte. Besnik i targës që i kanë vënë edhe miqtë edhe armiqtë e tij, Meta dha provën e rradhës se nuk hedh askënd poshtë dhe promovon gjithkënd që i është gjendur korrekt politikisht në krah.
Ka një të vërtetë interesante në gjithë këtë histori qeverisjes të së majtës: ajo ka prodhuar gjithmonë, për të mirë apo për të keq gjithmonë shumë politikë brenda vetes. Dhe ajo që po ndodh sot është thjesht realpolitikë. Çfarë do të ndodhë nesër? Vetëm të marrët do të ishin aq të sigurt sa do të vinin bast për historinë e të ardhmes. Qoftë edhe sepse realpolitika e sotme shqiptare është bërë si shahu ku shpesh një figurë e vetme vlen shumë më shumë se shumë ushtarë në skakierë. Aq më tepër kur janë ushtarë që as kanë ide për çfarë lufte apo paqeje bëhet fjalë; apo dhe nuk kanë idenë fare se pse i kanë thirrur nën armë për të luftuar për paqen.