Nga Spotal.Al
U damkosëm
Pas minutës së 52-të goditjes dhe gjakosjes së futbollistit polak Duda gjatë të ndeshjes Kukësi-Legia e Varshavës për turin e tretë të Europa Leagues, gjyqtari zviceran Stephan Klossner vendosi ndërprerjen e ndeshjes, pasi stadiumi “Qemal Stafa” nuk garantonte siguri. Një rast i pa precedent në futbollin shqiptar e jo më në një garë europiane.
Ajo çka ndodhi në stadiumin “Qemal Stafa” është më shumë se një turp, është më shumë se një skandal. Tifozët sonte “vranë” skuadrën e Kukësit, por njëherësh “damkosën” futbollin shqiptar. Shqipëria hyri në listën e huliganizmit të futbollit europian, si një vend, i cili nuk është në gjendje të garantojë zhvillimin normal të një ndeshjeje futbolli.
Askush nuk mund të mund të justifikohet, edhe pse një dikush, një rrugaç dhe i paformuar, sonte na ka turpëruar që të gjithëve, sonte na ka damkosur si huliganë në sytë e të gjithë Europës, me të cilën luftuam aq shumë për të kërkuar drejtësi dhe dënuar dhunën, racizmin dhe huliganizmin e tifozëve serbë.
Sonte, edhe është e rëndë ta pranosh, jemi vënë në një radhë me ta. Jemi njësoj si edhe ata 160 tifozë huliganë të Legias, të njohur për bëmat e tyre në Europë, që edhe në Tiranë ishin të gatshëm për të krijuar incidente jashtë, por edhe në çdo situatë të lojës.
E padrejtë të barabitesh me ta, por damkën e huliganizmit e ka marrë futbolli shqiptar, edhe pse sonte personazh ishte skuadra e Kukësit, e cila tani do të përdoret si shembull i keq në të gjitha tavolinat e futbollit europian.
Sonte nuk është koha për të akuzuar, por për të reflektuar! Që të gjithë, se që të gjithë jemi pjesë e kësaj shoqërie ku jetojmë. Damkën e huliganit nuk besoj se do të ketë ndonjë shqiptar ta mbajë mbi supe.
Ajo lahet, jo duke u justifikuar dhe kërkuar fajin tek të tjerët, por vetëm duke reflektuar. Që nga shteti, politika, FSHF-ja, klubet e futbollit, e deri tek njeriu më i thjeshtë, që kërkon të dëfrehet me futbollin dhe të thotë me krenari: Unë jam shqiptar!