Përzgjedhësi i Danimarkës, Morten Olsen, e ka konsideruar të padrejtë vendimin e CAS-it që t’ia japë Shqipërisë fitoren në tavolinë ndaj Serbisë, pasi ndeshja ishte ndërprerë në tetor në Beograd, ku ishin sulmuar futbollistët shqiptarë.
Falë kësaj fitoreje, Kuqezinjtë tash i kanë 10 pikë, njëjtë sa danezët, dhe pikërisht këto dy skuadra do të përballen më 4 shtator.
“Është dashur të luhej loja të nesërmen. Ne jetojmë në kohërat moderne dhe kanë mundur të udhëtonin me aeroplan të nesërmen, kështu që kjo ishte e mundshme”, deklaroi trajneri danez për uebfaqen ‘tv2.dk’, përcjell Zëri.info.
“Do të ishte më e drejt kjo, sesa fakti që disa avokatë në Lozanë, ua japin një avantazh disa skuadrave e disa të tjerave u japin disavantazh”, vijoi Olsen.
Ai madje habitet se përse iu desh aq kohë e gjatë që të vendosnin për ndeshjen e ndërprerë në Beograd. Ndeshja ishte ndërprerë në tetor dhe vendimi përufndimtar ishte marrë në korrik, raporton Zëri.info.
“Mendoj se kjo çështje është shtyrë shumë, nuk mund ta kuptojmë se përse ka ndodhur kjo. Mendoj se gjithçka ishte e padrejtë. Avokatët nuk duhet ta vendosin se kush do të kualifikohet në Evropian”, përfundoi Olsen.