Tirana ka marrë një fitore “heroike” në Kukës. Merr fund, kësisoji, tabuja “Zeqir Ymeri” për bardheblutë. Meritë e Gentian Muçës, mbrojtësit kryeqytetas, që ka shënuar të vetmin gol të kësaj sfide në minutën e 29-të. Gjithë loja është zhvilluar në gjysmëfushën e Tiranës, sulmet e njëpasnjëshëm të nënkampionëve nuk kanë pasur të rreshtur, por bardheblutë ia kanë dalë të mos pësojnë.
Ata ngjiten në kuotën e 29 pikëve, duke i rrëmbyer skuadrës verilindore vendin e tretë në klasifikim, sepse ka një pikë më shumë se ajo. Me këtë humbje, e dyta në këtë kampionat në “Zeqir Ymeri”, Kukësi jo vetëm e shikon me “dylbi” titullin, por rrezikon edhe zonën europiane. Ky është realiteti në mbyllje të gjysmës së parë të kampionatit, edhe pse ka ende shumë ndeshje për të dalë në konkluzione të tilla.
Vllaznia e ka mbyllur fazën e dytë me fitore, 3-2, ndaj Bylisit, në “Reshit Rusi”. Zhbllokimi i shifrave ka ardhur nga “tuneli”, si të thuash, sepse kapiteni Shtubina ka shënuar që në minutën e parë. Kjo i ka bërë me krahë kuqeblutë, të cilët nuk e kanë ulur ritmin fare, por kanë shënuar golin e dytë, me Çinarin, në minutën e 36-të. Pjesa e dytë ka qenë më e mirë për miqtë, të cilët kanë reaguar, duke mos pasur asgjë për të humbur. Ata kanë goditur një shtyllë me anë të Pepës, i cili ka shënuar edhe gol në minutën e 87-të. Më herët, kur sulmet mallakastriote ishin intensifikuar ndjeshëm, ka ardhur edhe goli i tretë për Vllazninë. Çinari ka trefishuar shifrat, duke kompletuar dopietën e tij personale. Në fund të kohës së rregullt e ka gjetur golin edhe Hoxha, për miqtë, duke “flirtuar” me një përmbysje rrokamboleske, nëse do të shkonte deri te barazimi. Me këtë sukses, Vllaznia parakalon Bylisin, tashmë me 15 pikë, ndërsa ballshiotët mbeten të parafundit, me 12 pikë.
Ndërkohë Laçi i Armando Cungut është zhvllokuar ndaj Tërbunit, duke shënuar 4 gola dhe mos pësuar asnjë, si asnjëherë tjetër në këtë kampionat, ku edhe pse ka fituar, e ka bërë këtë duke “pickuar”. Dopietë e sulmuesit nigerian, Xhejms, i cili ngjitet tashmë në kuotën e 9 golave në këtë kampionat. Rezultatin e ndeshjes në fjalë e ka zhbllokuar shkodrani Nimani dhe e ka “vulosur” shkodrani tjetër, Gocaj. Pukjanët kanë qenë të detyruar të luajnë me 10 lojtarë nga minuta e 36-të, kur lezhjani Danaj është ndëshkuar me karton të kuq. Pukjanët mbeten të fundit në renditje, me 11 pikë, duke e mbyllur 2015-ën si favoritët kryesore për t’u larguar nga Superiorja. Në duelin e të dëshpëruarve dhe të atyre që luftojnë për mbijetesë kanë triumfuar shkodranët./Telesport