Nga Sokol Balla
Edi Rama e bëri të qartë këtë javë: që një ministër të jetë i pasuksesshëm, defiçent, nuk është mjaft që ai të zëvendësohet. “Vetëm një skandal i madh, pohoi ai të enjten në TopStory, mund të sjellë largimin e dikujt nga qeveria”. Por ai nuk sqaroi nëse ky kriter i ri – i cili është i vagullt, ashtu si mjegulla në një mëngjes të qartë dimri – aplikohet mbi të gjithë anëtarët e kabinetit të tij. Pesë prej të cilëve i përkasin LSI.
Në gjithë analizat dhe kritikat që i bëhen qeverisjes dhe qeverisë Rama, në mënyrë thuajse të pavullnetshme, fokusi i kritikave është vetëm mbi ministrat socialistë. Çfarë po pune po bën Gjiknuri, çfarë makine hipën Sajmir Tahiri, sa rrugë jashtë shtetit bën Mimi, sa kohë qëndron në Shqipëri Ditmiri, çfarë bën gjithë ditën Mirela Kumbaro apo çfarë shampanje pi jashtë orarit të punës Ben Ahmetaj. Teri, Nasipi, Mondi & Mondi apo Klajda, nuk meret askush. Pavarësisht pavullnetshmërisë së kësaj sjelljeje, ajo në themel një të vërtetë: se një e katërta e qeverisë, është njëqind përqind në duart e Ilir Metës. Atëherë, për çfarë impulsesh të reja flet Ilir Meta, kur së paku në pesë sektorë të qeverisjes, tre prej të cilëve strategjikë (integrimi, drejtësia dhe rrugët) si dhe një tjetër tmerrësisht i rëndësishëm siç është bujqësia, drejtojnë njerëzit e tij? Me këtë deri tani nuk është marrë askush dhe mendoj se kemi bërë gabim. Katër nga pesë ministrat e LSI kanë një karrierë të gjatë në etapa të ndryshme të qeverisjes. Vetëm Klajda Gjosha, e cila si Rozafa ka lënë një gji në Shqipëri për foshnjën e saj dhe kohën tjetër ia ka kushtuar integrimit, duket se e kalon klasën me nota të mira. Të gjithë ministrat e tjerë të LSI, sot ose vegjetojnë për shkak të raporteve të mira me kryetarin e partisë, ose per shkak të raporteve të mira me kryetarin e qeverisë.
Sot, kur Edi Rama refuzon të bëjë ndryshime në qeveri, ashiqare duket se refuzimi ka të bëjë me presionin e Metës për ndryshime në radhët e ministrave socialist. Përgjigjen më te mirë Kryeministri ja dha Metës, në takimin në vilën 31, kur I’u ul përballë me dy prej ministrave që Metës i ngrenë përpjetë qimet e kurrizit, Tahirin dhe Ahmetajn, të cilët ai paradoksalisht i sheh të përfshirë në fushatën kundër tij me aferen CEZ. Si për t’i thënë atij në surrat, se këta dy ministra do jenë aty sa kohë dhe Rama të jetë kryeministër. Nga ana tjetër, Meta shkoi në takim me Haxhinaston dhe Manjanin. I pari ministër i transporteve, por i pëlqyer shumë edhe nga kryeministri Rama dhe tjetri zëvendësministër i transporteve, por politikisht më lart se Haxhinasto, si nënkryetar i LSI. Zyrtarisht u tha se në takim u fol edhe për reformën në drejtësi. Por prej disa kohësh LSI ka zgjedhur që për reformën të merret Manjani dhe jo ministri aktual i drejtësisë që vjen nga e njëjta parti.
Në kushtet e një refuzimi total të Ramës për ndryshime në qeveri dhe kur Meta flet për impulse të reja, një analizë e thjeshtë të çon në përfundimin se çështjen e ndryshimeve në qeveri, te dyja palët e shohin si një përplasje gjelash ku ka një të fituar dhe një të humbur. Në këtë situatë dhe kur kritikat ndaj qeverisjes janë shtuar, pakkush interesohet nëse ndryshimet në qeveri, duhet të vijnë në mënyrë që sedra politike e Ilir Metës të ndihet mirë dhe e palënduar.
Ky është momenti që Ilir Meta përpara se të flasë për të tjerët, të merret me një të katërtën e qeverisë që është e tija. Le të na thotë përse Naço qëndron akoma ministër drejtësie, kur pas Xhafës dhe PS, edhe ai vetë e ka spostuar nga dikasteri që mbulon. Nëse Ilir Meta mendon se qeverisjes i duhen impulse të reja, atëherë le ta nisë nga të tijtë, për të cilët nuk ka pse i mer dorën Edi Ramës.
Vetëm kështu ai do të bëhet sërish i besueshëm për opinionin publik, se po i pret barku që ky vend të qeveriset më mirë. Vetëm kështu ai do të distancohet nga kriticizmi në rritje ndaj këtij kabineti, që po i tregon muskujt njerëzve të thjeshtë dhe vetes ja shkel syrin në pasqyrë. Përndryshe të rrijë e të shohë si gjithë të tjerët, sesi populli po han mut, se qeras qeveria.
Për Java News / Sokol Balla