Për herë të parë figura e Skënderbeut në kartëmonedhën shqiptare është përdorur në vitin 1921, kur Shqipëria ende nuk e kishte një Bankë Kombëtare.
Në ekspozitën e çelur në 550 e vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Banka e Shqipërisë prezanton në mënyrë kronologjike prezencën e tij në monedhën e kartëmonedhën shqiptare.
“Për herë të parë figura e heroit kombëtar është pasqyruar jo vetëm fizikisht në letër në kartëmonedhë, por edhe me emrin e tij të shkurtuar Skënder, në prerjet e kartëmonedhave të katundarisë së Korçës, Bashkisë së Korçës, në vitin 1921”, shprehet Besa Prela, Përgjegjëse e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.
Në vitet ‘20-’39, kur Shqipëria e kishte një bankë shqiptare, figura e Skënderbeu, ndonëse vijon të pasqyrohet, nuk ishte dominante.
“Në vitet ‘45-’92 janë momentet ku figura e heroit kombëtar ekspozohet më së shumti, pra është personaliteti më i përdorur në kartëmonedhën e qarkullimit. Banka e shtetit shqiptar, në kuadër të 500-vjetorit të vdekjes së tij, në vitin 1968 ka emetuar një set të mrekullueshëm monedhash në përkujtim të këtij jubileu të madh, prej ari dhe argjendi. Në ditët e sotme kartëmonedha me vlerën më të lartë monetare mban portretin e heroit tonë kombëtar: Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, thotë Prela.
Ekspozita mund te vizitohet nga publiku deri në muajin qershor të këtij viti pa kurrfarë pagese, sipas procedurës të afishuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë.
Top Channel