Sipërfaqja e pyjeve do të mbrohet tashmë me anë të një sistemi kamerash. Paraditen e sotme u prezantua sistemi i ri elektronik për mbrojtjen e pyjeve.
Në fjalën e tij në këtë aktivitet, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, deklaroi se, prerja e paligjshme e pyjeve është një çështje që e ka shqetësuar qeverinë që në ditën e parë të punës.
Tahiri tha se me këtë projekt synohet t’i jepet mbrojtje dhe gjallërim pyjeve, prerja e paligjshme e tyre përbën krim.
“Prerja e pyjeve është një krim që vret të ardhmen e fëmijëve tanë, ndaj e konsiderojmë prioritet absolut. Ministritë tona dhe të gjitha institucionet do të ndajnë përgjegjesitë dhe do vënë para përgjegjësisë autorët e këtij krimi”, tha Tahiri.
Ai shtoi se, qeveria do të përforcojë masat ndëshkuese për prerësit e pyjeve, duke paralajmëruar se nuk do të ketë vetëm gjobë, por edhe ndëshkime penale.