Nga Ben Andoni/
Në samitin e fundit të Vjenës u fol shumë për rolin e Shoqërisë Civile dhe kryeministri shqiptar jo vetëm e vlerësoi por e parashihte si një element të domosdoshëm në demokratizimin e shoqërive të Ballkanit Perëndimor. Dhe, shembujt më të parë që artikuloi në panel, ishin arritja e suksesit të lëvizjeve që kundërshtuan importin e plehrave nga vendet e BE-së dhe mos-shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin tonë; në Maqedoni protestat antiqeveritare; në Bosnjë-Hercegovinë protestat në pranverën e vitit të kaluar.
Në fakt, po të shikosh realisht qëllimin e caktuar: të gjithë këto lëvizje kanë pasur në thelb pamundësinë e shpresës dhe Shoqëria Civile nuk ishte aq protagoniste, mbase veç vendit tonë. Bosnja nuk pati protesta por u dogj për shkak të zemërimit të akumuluar dhe protestat ishin më shumë të drejtuara nga ky vektor. Njësoj edhe me Maqedoninë.
Në thelb, roli i Shoqërisë Civile në Ballkan ka humbur krejtësisht dhe kjo vjen fillimisht nga njerëzit që përfaqësojnë më së shumti kartën e saj. Në momentin që shumë syresh kanë kapur një stad publik, ata menjëherë kanë bërë lojëra partish, duke i kthyer lëvizjet e tyre në më të shumën e herës në inaktive. Pak gërvishtjet që kanë bërë struktura të Shoqërisë Civile sa i përket zgjedhjeve, mënyrës së qeverisjes, kanë shërbyer më shumë si ushqim për raportet e huaja të organizatave sesa përmirësimin e drejtimit të vendit. Një fakt, që të bën të mendosh se shteti shqiptar as do t’ia dijë për misionin e saj.
Ne jemi dëshmitarë të pasivitetit real të Shoqërisë Civile për vrasjet në vend dhe mungesën e reagimit. Nuk ka më reagim për 21 Janarin, Gërdecin, gjendjen katastrofale të njerëzve, taksat e larta etj. Shoqëria Civile, që duhet të përfaqësonte dhe të manifestonte interesat dhe dëshirat e qytetarëve, është tejet larg interesit të tyre. Jo më kot, kauzat gjithnjë i rrëmbejnë partitë. Ndërkohë që zëri i Shoqërisë Civile nuk shkon më fare në fashat e shoqërisë që realisht vuajnë, apo ato që ushqejnë terrorizimin, marifetçinjtë që gdhihen politikanë etj. Dhe, ky flirt që bën shumë herë Shoqëria Civile të sjell ndërmend pohimin e Frank Hantke, Drejtorit të Zyrës në Tiranë të Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”, që në një intervistë për DË në Vjenë, në aktivitetin që Rama e proklamonte me shpresë rolin e Shoqërisë Civile të shprehej: “…mendoj që ende politikanët drejtues të Ballkanit Perëndimor nuk e njohin shoqërinë civile si një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Duhet bërë më shumë për të bindur politikanët e Ballkanit se atyre u duhet shoqëria civile nëse duan vërtet të zhvillojnë vendet e tyre”.
Fakt, që të bën të mendosh se shoqëria civile ka nevojë të radikalizohet, pasi kështu është margjinalizuar tërësisht. Dhe, nuk ke pse gjykon shumë, kur kujton se në Shqipëri referuar Open Data në vitin 2014 ishin regjistruar plot 2378 organizata joqeveritare. Për një popullsi prej 2.8 milion banorësh, pyetja të lind vetiu: Si arrijnë të mbijetojnë kaq OJQ? Me çfarë parash mbijetojnë gjithë këto dhe cili ka qenë veprimi real i tyre?
Përgjigja është e kotë sepse e flet realiteti, që Shqipëria është zhytur në një apati kolektive, që e trandin vetëm pak protesta si ato që përmendi Rama dhe patjetër…fushatat e partive, që monitorohen pastaj nga Shoqëria Civile.