Bashkia e Tiranës ka marrë një sërë masash për përballimin dhe ndalimin e përhapjes së koronavirusit në kryeqytet. Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave të Bashkisë së Tiranës, ku u diskutua për masat e marra për situatën në Tiranë, Veliaj prezantoi një sërë vendimesh të rëndësishme, duke filluar nga shkollat, transporti publik etj.
Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me higjienën, ndërsa lajmëroi se krahas çerdheve dhe kopshteve, ka nisur edhe dezinfektimi i autobusëve urbanë.
“Kemi filluar të marrim disa masa sa i takon edhe transportit publik. Po dezinfektojmë rrugët dhe autobusët, megjithatë më lejoni të sqaroj diçka: Njeriun nuk e infekton as rruga, as autobusi, por njeriu infekton njeriun.
Këshilla që dha sot kryeministri për higjienë personale është ABC-ja e rezistencës ndaj kësaj sfide që na ka ardhur në Tiranë. Ne po bëjmë dezinfektimin e rrugëve, e autobusëve, po një këshillë që vlen për të gjithë është ose të ecim, ose të përdorim biçikletën”, tha ai.