Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për një numër shkeljesh që po ndodhin me statuin e PD, të cilat kanë si qëllim të çojnë partinë në zgjedhje në 29 korrik.
Analisti Neritan Sejamini e pyeti Bardhin se çfarë do të bëjë ai dhe grupi i deputetëve që e mbështesin, pasi Basha të zgjidhet kryetar i pjesës së vogël që ka mbetur nga PD dhe të nisë shkarkimet e kundërshtarëve brenda partisë.
Bardhi deklaroi se në rast të një skenari të tillë, PD do të shuhet.
Pjesë nga biseda:
Neritan Sejamini: Një nga tiparet e komunizmit ishte, që kishte një diktator, por ai nuk thoshte unë, por thoshte partia… Unë e kuptoj që tingëllon bukur që partia të bashkohet. Partia Demokratike, ajo e vogla, është Lulzim Basha. Zoti Lulzim Basha do të zgjidhet kryetar i PD në 29 korrik. Do t’ju shkarkojë ju dhe të tjerët. Në tetor cfarë do të bëni ju? Mos ki pikë dyshimi për këtë. Ai do të zgjidhet dhe do ta marrë partinë, do t’ju shkarkojë të gjithëve dhe do të marrë partinë e tij. Ju jeni politikanë dhe me qëndrimet që keni mbajtur keni një vlerë publike. Tani PD është e shkatërruar sepse ka edhe një grup të tretë.
Çfarë do të bëni ju? Jeni kryetar i grupit parlamentar, keni shumicën në këtë grup. Basha ka tetë vetë. Si politikan që jeni, mund të na thoni vazhdimësinë? Ju keni mundësi vetëm të bëni marrëveshje me të.
Gazment Bardhi: Në këtë rrugë dhe skenar, PD po shkon drejt shuarjes, të garantoj për këtë. Shqetësimi që kam unë, është që mbajtja në konflikt, midis pjesëve të opozitës po bjerr të gjitha pjesët brenda opozitës. I vetmi përfitues nga kjo që ka ndodhur dhe pritet të ndodhë, nëse skenari që thoni ju realizohet, do të jetë Edi Rama.
Neritan Sejamini: Varet çfarë do të bëni. A ka mundësi që ju të bëheni bashkë me zotin Berisha?
Gazment Bardhi: Qëndrimi im për zotin Berisha është publik dhe i pandryshuar, edhe si grup. Jemi ndarë nga zoti Berisha por unë nuk e kam luftën me Sali Berishën dhe segmente të opozitës. E gjithë opozita e ka luftën me një kundërshtar që është Edi Rama. Nëse opozita vazhdon këtë luftë, mbaje shënim, Rama merr 100 mandate.
/a.r