Gjatë natës së gjatë të bisedimeve mbi Greqinë të 12-13 korrikut, diçka themelore te Bashkimi Europian u thye. Ajo që ndryshoi atë natë qe Gjermania, të cilën Europianët e kanë njohur që nga Lufta e Dytë Botërore. Në sipërfaqe, bisedimet qenë për të shmangur një dalje të Greqisë nga eurozona (ose “Grexit”) dhe pasojat shumë të rënda që do të pasonin për Greqinë dhe Bashkimin Europian. Në një nivel më të thellë, gjithsesi, ajo që qe në bixhoz qe roli në Europë i vendit me popullsinë më të madhe dhe ekonomikisht më të fuqishëm.
Ringritja e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe rifitimi i besimit botëror prej saj (gjë që kulminoi me lejen për ribashkimin e Gjermanisë katër dekada e gjysmë më pas), u ndërtua mbi disa kolona të guximshme të politikës së brendshme dhe të jashtme. Në shtëpi, një demokraci e qëndrueshme e bazuar te sundimi i ligjit u shfaq shpejt. Suksesi ekonomik i shtetit gjerman të mirëqënies sociale rezultoi një model i vlefshëm për të gjithë Europën. Dhe gadishmëria e gjermanëve për t’u përballur me krimet e nazizmit pa rezerva, mbështeti një skepticizëm me rrënjë të thella për çdo gjë që ka lidhje me ushtrinë.
Në termat e politikës së jashtme, Gjermania e rindërtoi besimin duke përqafuar integrimin Perëndimor dhe Europianizimin. Fuqia në qendër të Europës nuk duhet të bëhet kurrë më një kërcënim për vetë kontinentin. Për rrjedhojë, Aleatët Perëndimor synuan pas vitit 145 – ndryshe nga periudha pas Luftës së Parë Botërore – jo që ta izolonin Gjermaninë dhe ta dobësonin atë ekonomikisht, por që ta mbronin atë ushtarakisht dhe ta bashkangjisnin në mënyrë të pandashme politikisht me Perëndimin. Për më tepër, ripajtimi i Gjermanisë me kryearmikun e saj, Franca, mbetet themeli i Bashkimit Europian të ditëve tona, duke ndihmuar në inkorporimin e Gjermanisë në tregun e përbashkët europian me perspektivën e një bashkimi politik të Europës në të ardhmen.
Por sot në Gjermani, këto ide janë konsideruar në mënyrë të pashpresë si “Euro-romantike”; koha e tyre ka kaluar. Sa lidhet me Europën, tani e tutje Gjermania do të ndjekë më së shumti interesin e vet kombëtar, njësoj si gjithë të tjerat.
Por një të menduar i tillë bazohet në një premisë të pavërtetë. Rruga që Gjermania do të ndjekë në shekullin e njëzet e një – drejt një “Gjermani Europiane” apo një “Europe Gjermane” – ka qenë pyetja themelore historike në zemër të politikës së jashtme gjermane që prej dy shekujsh. Dhe kësaj pyetjeje iu dha përgjigje gjatë asaj nate të gjatë në Bruksel, ku Europa Gjermane mbizotëroi ndaj Gjermanisë Europiane.
Ky qe një vendim thellësisht i rëndësishëm si për Gjermaninë ashtu edhe për Europën. Dikush vret mendjen nëse kancelarja Angela Merkel dhe ministri i Financave Ëolfgang Schäuble qenë të vetëdijshëm për atë se çfarë po bënin. Që të hedhësh poshtë kritikat e ashpra ndaj Gjermanisë dhe lojtarëve të saj kryesorë që shpërthyen pas diktatit mbi Greqinë, siç bëjnë shumë gjermanë, është si ta shohësh botën me syze me xhama rozë. Është e sigurtë se ka pasur një propagantë të pakuptimtë mbi një Rajh të Katërt dhe referenca idiotësh për Fyhrerin. Por, në thelb, kritikat artikulojnë një ndërgjegjësim akut të ndarjes së Gjermanisë nga politika e saj europiane e pasluftës së dytë botërore.
Për herë të parë, Gjermania nuk desh më më shumë Europë; deshi më pak. Qëndrimi i GJermanisë në natën mes 12 dhe 13 korrikut shpalli dëshirën e saj për të transformuar eurozonën nga një projekt Europian në një lloj sfere influence. Merkel u detyrua të zgjedhë mes Schäubles në njërën anë dhe Francës (e Italisë) në anën tjetër.
Problemi qe themelor: Ministri i saj i financave deshi të detyrojë një anëtar të eurozonës të largohej “vullnetarisht” duke ushtruar presion të stërmadh. Greqia duhej ose të dilte (me vetëdije të plotë të pasojave për këtë vend dhe për Europën) ose të pranonte një program që efektivisht e bën atë një protektorat Europian, pa asnjë shpresë për përmirësim ekonomik. Greqia tashmë është subjekt i një kure – masa të mëtejshme kursimi – e cila nuk ka funksionuar në të shkuarën dhe që u dha vetëm për të kënaqur nevojat e politikës së brendshme të Gjermanisë.
Por konflikti masiv me Francën dhe Italinë, ekonomitë dy dhe tre më të mëdha të Eurozonës, nuk është mbyllur, për shkak se, për Schäuble, Grexit mbetet një opsion. Duke pretenduar se lehtësimi i borxhit është “ligjërisht” i mundshëm vetëm jashtë eurozonës, ai dëshiron ta kthehë këtë çështje në një levë presioni për të sjellë një Grexit “vullnetare”.
Pozicioni i Schäuble ka nxjerrë në pah pyetjen themelore të marrëdhënies mes veriut dhe jugut të Europës, qëndrimi i tij rrezikon ta shtyjë eurozonën drejt pikës së thyerjes. Besimi se euro mund të përdoret për të sjellë “ri-edukim” ekonomik të jugut të Europës do të rezultojë një falsitet i rrezikshëm – dhe jo vetëm në Greqi. Siç e dinë mirë francezët dhe italianët, një këndvështrim i tillë vë në rrezik të gjithë projektin europian, i cili është ndërtuar mbi diversitetin dhe solidaritetin.
Gjermania ka qenë fituesi më i madh i bashkimit të Europës, si nga pikëpamja ekonomike ashtu edhe nga pikëpamja politike. Thjeshtë krahaso historinë e Gjermanisë në gjysmën e parë me atë të dytë të shekullit të njëzet. Bashkimi i Gjermanisë nga Bismarku në shekullin e 19 ndodhi si pasojë e nacionalizmit Europian të kohës. Militarizmi u bë një koncept i lidhur ngushtë me fuqinë gjermane. Për më tepër, filozofia publike e Gjermanisë, ndryshe nga ajo e Francës, Britanisë së Madhe apo Shteteve të Bashkuara, nuk përqafoi kurrë ideale civilizuese për të justifikuar përdorimin e fuqisë ushtarake.
Themelimi i shtetit komb të bashkuar të Gjermanisë për herë të dytë më 1989 u bazua mbi pakthyeshmërinë e orientimit Perëndimor dhe Europianizimin e Gjermanisë, Dhe politika e Europianizimit të Gjermanisë mbushi – dhe edhe plotëson – hendekun në civilizim të trupëzuar në shtet-formimin gjerman. Që të lejosh gërryerjen e kësaj kolone – apo, më keq, ta rrëzosh atë – është një çmenduri e rendit më të lartë. Kjo është arsyeja se pse, në BE-në që u shfaq në mëngjesin e 13 korrikut, Gjermania dhe Europa që të dyja janë humbëse.
BIRN