Qeveria jep me qira 1 mijë hektarë tokë bujqësore
Ministria e Bujqësisë vitin e fundit ka dhënë me qira mbi 1000 hektarë tokë bujqësore në zonat më pjellore të vendit. Vlera e qirasë që subjektet kanë marrë këtë sipërfaqe në përdorim është rreth 160 milionë lekë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, tokat ndodhen në zonat më prodhimtare bujqësore të Shqipërisë si, Krutja, Buçimasi në Pogradec, komunat të begata në Fier dhe në Lushnjë dhe pothuajse asnjë hektar në Veri.
Ministria e Bujqësisë zhvilloi më 17 prill proçedurën konkurruese për dhënien me qira të sipërfaqes së tokës prej 222 hektarësh në Komunën Buçimas, Qarku i Korçës, ku përfshihen 181 zona kadastrale. Kjo është një nga sipërfaqet më të mëdha që Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë në ankand me një vlerë qiraje vjetore jo më pak se 2,127,910 lekë.
Më datë 6 korrik, Ministria e Bujqësisë ka zhvilluar një tjetër ankand për dhënien me qira të sipërfaqes së tokës prej 68.7396 hektarësh, në fshatin Zhamë, Komuna Dushk, rrethi i Lushnjës. Vlera fillestare e qirasë së tokës bujqësore në pronësi të shtetit për hapjen e procedurës konkurruese ishte 1,259,182 lekë.
Gjatë muajit prill të këtij viti u zhvillua proçedura për dhënien me qira të sipërfaqes së tokës prej 16.93 hektarësh, fshati Gjazë, Komuna Krutje, rrethi Lushnjë me vlerë vjetore qiraje 318,300 lekë/vit.
Ministria ka zhvilluar kohët e fundit rreth 22 ankande të tilla për dhënien e tokës bujqësore me qira. Burimet nga dikasteri thonë se, toka është me pronësi shtetërore dhe është identifikuar si e tillë pas një inventarizimi të posaçëm që nisi sapo e majta erdhi në pushtet në shtator të vitit 2013.
Qeveria këtë vit ka bërë aktive edhe konçesionet me partneritet publik dhe privat edhe në bujqësi. Në ndryshimet që iu bënë ligjit të koncesioneve të vitit 2013 u përfshi edhe sektori i bujqësisë, i cili nuk ishte më parë, ndërkohë që nuk janë të pakta rastet që Agjencia e Prokurimit Publik shpall zhvillimin e tokës bujqësore nëpërmjet kësaj forme. Shembull tipik i këtij lloj investimi është një fidanishte në Cërrik.