Avokati i Popullit ka listuar një sërë kritikash për ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Nëpërmjet një njoftimi zyrar, ky institucion sqaron se të gjitha rezervat dhe sugjerimet që ja ëpërgatitur për modelet e prezantuara nga Ministria e Drejtësisë do ti përcillen Kuvendit. Për këtë arsye, institucioni i Avokatit të Popullit i ka kërkuar Komisionit Kuvendor të Ligjeve mbajtjen e një seancë të posaçme dëgjimore.
Ja njoftimi i plotë i AP
Avokati i Popullit, si garant i mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, ka trajtuar dhe vazhdon të trajtojë me seriozitetin e duhur dhe angazhim maksimal cështjet që kanë të bëjnë me të drejtën e pronës. Një nga këto çështje me rëndësi të vecantë ka qenë dhe mbetet kthimi dhe kompensimi i pronave.
Së fundmi jemi njohur me përmbajtjen e disa varianteve të projektligjit që Ministria e Drejtësisë ka përgatitur “për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Pas një analize të kujdesshme të përmbajtjes së tyre, si dhe takimit me grupet e interesit (pronarët) Avokati i Popullit ka përgatitur vërejtje dhe sugjerime, që lidhen me respektimin në thelb të konceptit të së drejtës së pronës dhe kryerjes së një procesi të rregullt dhe ligjor, përsa i takon kthimit dhe kompensimit të saj, tek pronari.
Këto vërejtje dhe sugjerime tonat duhet të paraqiten pranë Kuvendit të Shqipërisë, përkatësisht Komisionit për Çështjet Ligjore , Administratën Publike dhe të Drejtave të Njeriut, në një seancë dëgjimore të kërkuar prej Avokatit të Popullit, me shkresë zyrtare, që mban datën 09.11.2015.
Avokati i Popullit nisur nga rëndësia që mbart miratimi i këtij projektligji, por edhe nga çështjet e prezantuara nga grupet e interesit të zhvilluara për këtë qëllim, vlerëson se, për vetë fazën në të cilën ndodhet diskutimi i projektligjit në fjalë, si një kërkesë primare mbetet konsultimi i gjerë publik i draftit që ndodhet në Kuvend, me institucionet e pavarura të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, grupet e interesit, dhe gjithë aktorët e tjerë të rëndësishëm në këtë process.
Konsultimi i gjerë publik mbetet një kërkesë kyçe për realizimin e një procesi sa më gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga publiku, të miratimit të projektligjit në fjalë, sikurse theksohet për këtë cështje nga Këshilli i Europës apo edhe nga jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut. Një detyrim i tillë lind edhe si një kërkesë e dispozitave të ligjit “Për Njoftimin dhe konsultimin Publik”.