Sipas presidentit të La Ligas spanjolle, Javier Tebas, klubet të cilat kanë thyer rregullat e “Financial Fair Play”, duhet të përjashtohen nga Champions League për një sezon.
Tebas insistoi se nuk është aspak i surprizuar nga akuzat që shënjestrojnë Paris Saint-Germain dhe Manchester City, mbi regjimin e tyre financiar. Por spanjolli ka kërkuar veprim të ashpër nga ana e UEFA, me qëllim përforcimin e rregullores dhe ndëshkimin e duhur për klubet që thyejnë rregullat.
“Unë e njoftova që para dy vitesh se PSG dhe Manchester City po mashtronin, prandaj nuk është një surprizë për mua. Është shumë e rëndësishme që UEFA të bëjë diçka të vërtetë dhe konkrete për këtë. Është diçka që ka prishur ekuilibrat e futbollit botëror dhe strukturën e lojës.
Ato ekipe duhen ndëshkuar. Përjashtimi i tyre për një sezon nga Champions League do të ishte një mesazh se këto rregulla duhen marrë seriozisht.
Nuk bëhet fjalë për ndëshkimin specifik të PSG, por për të përforcuar rregullat që presim të zbatohen nga të gjithë”, deklaroi Tebas.