Edhe pse ende nuk ka nisur zyrtarisht këtë vit pritet që sezoni turistik në vendin tonë të jetë i mbarë. Si çdo vit shqiptarët e Kosovës edhe këtë sezon do të jenë të shumtë për nga numri.
Kjo referuar edhe numrit të hyrjeve nga dogana e Morinit. Rreth 16 mijë shtetas kosovare dhe 6 mijë mjete kaluan në Shqipëri këtë fundjavë duke shënuar një numër të lartë të hyrjeve në prag të fillimit të sezonit turistik, ndërkohë që bregdeti po preferohet jo vetëm për plazh por edhe peshkim.
Bregdeti po preferohet jo vetëm nga kosovarët por edhe shtetas të vendeve të rajonit si Serbia, të cilët thonë se ujërat e bregdetit shqiptarë kanë vlera kurative në shëndet, ndërsa veçojnë si të preferuar për pushime Durrësin.
Ndërkohë prag festa e Fiter Bajramit ka sjellë edhe emigrantët kosovarë që jetojnë e punojnë në Europë, të cilët vijnë përmes vendit tonë për të festuar bashkë me familjet në vendlindje.
Në të dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë këtë fundjave nuk pati radhë apo pritje. Kjo edhe nga zbatimi i marrëveshjes së dy qeverive për lëvizje të lirë e pa kontrolle gjatë fundjavës, e cila për vitin e tretë të zbatimit do të aplikohet edhe gjatë gjithë ditëve të sezonit turistik 2024.
A2News /a.r