Pas deklaratës së ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj, i cili akuzonte PD-në se po përdorte fëmijët te protesta e Unazës së Re, vjen reagimi i sekretarit të përgjithshëm të selisë blu, Gazment Bardhi.
Përmes një reagimi në Facebook, Bardhi shprehet ndër të tjera se, Lleshi nuk mund ta kuptojë qendresën e burrave, grave dhe fëmijëve në mbrojtje të shtëpive të tyre nga fadroma e korrupsionit të shefit të tij Edi Rama.
“Sandër Lleshaj nuk mund ta kuptojë qendresën e burrave, grave dhe fëmijëve në mbrojtje të shtëpive të tyre nga fadroma e korrupsionit të shefit të tij Edi Rama, sepse Sandër Lleshaj nuk ka derdhur ndonjëherë djersë për shtëpinë e tij.
Ai jeton në dy shtëpi të padeklaruara. Për njërën ka marrë kredi të butë nga qeveria që në 2009 dhe, në mënyrë të paligjshme, nuk e ka përdorur deri në vitin 2018, sa janë të dhënat zyrtare.
Shtëpia tjetër ku Sandër Lleshaj jeton është në Lalz, por ajo nuk figuron askund. Të gjithë e dinë që ministri katil, që nxjerr policinë kundër grave dhe fëmijëve, por nuk lufton krimin, jeton sa pranë qendrës së Tiranës, aq në Gjirin e Lalzit, në shtëpi të padeklaruara”, shkruan Bardhi.
Pjesë nga postimi i Lleshajt:
“Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës.
Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajos.
Drejtuesit e PD duhet të dinë mirë një gjë:
Policia e Shtetit nuk do të përballet kurrë me fëmijët e keqpërdorur politikisht. Por, në të njëjtën kohë, ajo nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit”.