Partia Demokratike ka prezantuar sot platformën e saj për dekriminalizimin e politikës. Ka qenë deputeti Oerd Bylykbashi ai i cili e ka vënë theksin se pika e fortë e këtij procesi lidhet me ndalimin e kandidimit për deputetë apo për poste publike të figurave në gjykim për krime të rënda.
Bylykbashi tha se ligji italian, i njohur si “Ligji Severino”, do të jetë boshti i këtij procesi.
“Çdo zvarritje, si ato që ka bërë deri më sot qeveria, do të thotë hapje e dyerve për kriminelët” – u shpreh ai.
Prezantimi për mediat i PD erdhi një orë pas një vizitë blic të ambasadorit amerikan në selinë blu. Donald Lu dhe Lulzim Basha mësohet të jenë takuar jashtë kamerave për të diskutuar rreth këtij procesi. Ditë më parë Ambasada e Shteteve të Bashkuara e cilësoi të turpshëm faktin se në Kuvend ka një deputet të dënuar për trafik njerëzish.