Në mesazhin e tij për Vitin e Ri, Presidenti Bujar Nishani tha se shpreson që në 2016 politika të jetë më e ndërgjegjshme ndaj jetës dhe kushteve në të cilat ndodhen shqiptarët. Nishani iu referua largimit të shumë shqiptarëve drejt Gjermanisë, apo familjeve në nevojë, për të dhënë mesazhin se politikbërja në Shqipëri duhe të lërë retorikat dhe t’i drejtohet punës për zgjidhjen e problemeve të përditshme të qytetarëve.
“Vështirësitë dhe dramat e qytetarëve le të jenë një apel i ri për vendimmarrësit, për drejtuesit e institucioneve dhe politikanët në veçanti për të bërë atë që presin shqiptarët prej tyre. Reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe arbitraritetit, një vëmendje më e madhe për realitet e shtresave në nevojë, përbëjnë imperativin e kohës për Shqipërinë dhe përgjegjësinë tonë të drejtpërdrejt ndaj brezave të ardhshëm, ndaj fëmijëve tanë. Nuk ka më kohë për retorikë, për konfliktualitete të panevojshme. Vendi ka nevojë për më shumë punë, më shumë shpresë, më shumë dialog, vendi ka nevojë më shumë pozitivitet. Urimi im dhe besoj i gjithë shqiptarëve është që viti 2016 të shënojë një kthesë të fortë dhe pozitive në gjithë politikbërjen në vend në shërbim të vlerave të dinjitetit njerëzor të gjithësecilit, të lirisë, të barazisë para ligjit, të solidaritet, të shërbimit me devotshmëri të qytetarëve të vendit, halleve të tyre të përditshme”, – u shpreh Nishani.
Nishani e nisi fjalimin e tij për ditën e ndërrimit të viteve me një urin drejt fëmijëve jetimë dhe të ngujuar si dhe me një urim të veçantë edhe për forcat e armatosura shqiptare që ndodhen në Afganistan. Nishani shtoi gjithashtu
“Sot është nata kur shqiptarët mblidhen në familjet e tyre. Nata e ndërrimit të viteve është një natë gëzimi ndaj ju uroj të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, urimi i parë u shkon atyre. Urim i veçantë shkon për forcat tona ushtarake në Afganistan dhe për familjet shqiptare , jetimët dhe për të ngujuarit. Urimet për 2016 të jetë një vit sa më i begatë“, u shpreh Nishani.
Nishani uroi edhe Kombëtaren shqiptare të futbollit, që vitin që vjen merr pjesë në Kampionatin Europian 2016. Gjithashtu, Nishani uroi që dy reformat kyçe të ndërmarra, dekriminalizimi dhe ajo e drejtësisë, të përmbushen brenda vitit të ardhshëm.