Një nga zonat që po fillojnë të preferohen më shumë nga turistët vendas dhe të huaj gjatë viteve të fundit janë zona e plazhit nga Gjiri i Lalzit tek Kepi i Rodonit.
Për të parë ndryshimet që kanë ndodhur në mikpritjen e turistëve në këto zona, si nga ana e infrastrukturës, por edhe siguria, ushqimi, akomodimi një grup gazetarësh zhvilluan një tur drejt Gjirit të Lalzit dhe Kepit të Rodonit të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ,Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Ashtu siç u shpreh edhe Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi qëllimi i këtij udhëtimi ishte të tregojë sesi mund të kombinohen paketat turistike në një zonë të vogël gjeografike. Si mund të bëhen bashkë, në një zonë majft të vogël, turizmi sportiv, ai malor, ai detar, si dhe turizmi për ata që kanë pasion historinë, arkeologjinë dhe natyrën. Në këtë zonë nga Gjiri i Lalzit deri tek Kepi i Rodonit të ofrohen të gjithë këto dhe një turist vendas dhe i huaj mund t’i shijojë në kushte mjaft të mira.
Itinerari i udhëtimit, për të cilin u kujdes në terren Agjencia Kombetare e Turizmit parashikonte një sërë ndalesazh në disa pika kryesore të kësaj zone, ku përfshiheshin disa mundësi sesi mudn të bëhet turizëm në ëktë zonë.
Plazhi i Gjirit të Lalzit që ndodhet në veri të Durrësit është një plazh që ofron kushte mjaft të mira në drejtim të higjenës dhe pastërtisë për pushues të të gjitha moshave.
Ndonëse infrastruktura akomoduese dhe e shërbimit janë në zhvillim e sipër, pasi është një plazh që është zbuluar vetëm vitet e fundit nga turistët vendas dhe të huaj, numri i tyre sa vjen dhe shtohet në frekuentimin e këtij plazhi, duke e khhyer në një ‘trend’ të ri të pushimeve në Shqipëri. Pushuesit thonë se rëra është e paster ashtu si edhe uji. Po ashtu ndërtimi i rrugës së re nga Maminasi deri në Shen Pjeter ka bërë që të shkurtohet ndjeshëm koha për të mbërritur në këtë plazh, qoftë për pushuesit që nisen nga Durrësi, ashtu edhe për ata që vijnë nga Tirana.
Pak kilometra nga Tirana dhe Durrësi, gjiri i Lalzit në komunën e Ishmit mirëpret mijëra pushues vendas e të huaj. Pastërtia e rërës dhe ujit dhe shërbimi cilësor bashkohen me gjelbërimin e natyrës duke bërë që ky plazh të jetë një vend mjaft i preferuar nga turistët. Qarku i Durrësit ka një bregdet me gjatësi 62 km, nga të cilat 25 kilometra i përkasin gjirit detar të Lalzit.
Rrugës për në plazhin e Gjirit të Lalzit nuk mund të mos ndalosh të marrësh një akullore me qumësht lope që është tradicionale për këtë zonë dhe mjaft e shijshme dhe freskuese.
Ndërkohë së fundmi plazhit të Gjirit të Lalzit i ëshë shtuar edhe shërbimi i ri shëndetësor i urgjencës. Mjeket që shërbejnë aty u shprehën se ato trajtojnë rreth 80 raste në ditë për shqëtësime nga më të ndryshme që nga pickimet, deri tek lëndimet e lehta. Ndërkohë që rastet më të rënda transportohen për në spitalin e Durrësit. Urgjenca ka çdo lloj medikamenti si ilaçe edhe aparatura, të cilat ndihmojnë stafin mjekësor të kryejnë shërbimet e tyre.
Një sport i ri që po pëlqehet mjaft nga turistët na shpjegon Egerini që punon me “Discover Albania”, është çiklizmi. Ky sport sa vjen e po frekuentohet më tepër nga të gjithë ata turistë që nuk duan thjesht të bëjnë pushime në plazh, por të kenë dhe anën sportive, duke bërë kështu pushime aktive. Rruga nga Gjiri i Lalzit deri tek Kepi i Rodonit është një rrugë mjaft e përshtatshme për këtë aktivitet, pasi ka ngjitje dhe zbritje të shumta që shërbejnë mjaft për të zhvilluar këtë sport dhe për të shijuar bukurinë e natyrës dhe gjelbërimin përreth. Pas çiklizmit shumë turistë preferojnë të kryejnë kampingje në Kepin e Rodonit.
Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit një nga lumenjtë e vegjël të Shqipërisë. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin. Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse : të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.
Më tej udhëtimi ynë na shpie tek Kisha e Shën Ndout tek Kepi i Rodonit, kishë e ndërtuar rreth shekullit të 14-të, e cila mbart vlera mjaft të rëndësishme historiko-arekologjike. Në zonën e Kepit të Rodonit ndodheshin edhe katër manastire katolike, të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qënë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout. Ky i fundit është i vetmi objekt që ekziston. Kisha e Shën Ndout është ndërtuar me një muraturë prej gurësh shtufi dhe tullash të lidhura me llaç gëlqereje, ku është përdorur teknika bizantine e kluasonazhit. Kisha i takon arkitekturës romane-gotike e cila shihet tek harqet e mprehta..
Sipas guidës tonë legjenda thotë se motra e Skëndërbeut Mamica vinte këtu dhe kalonte muajt e verës.
Përpara Kishës shtrihet një plazh me rërë dhe ujë mjaft të pastër, i cili ende nuk është zbuluar nga shumë turistë, por që ka kushte mjaft të mira, për ata që e pëlqejnë turizmin detar.
Ndërkohë udhëtimi ynë vijon me një varkë të vogël, për në Kalanë e Skëndërbeut tek Kepi i Rodonit, ku historia, bukuria natyrore bashkohet me detin në një trekendësh. Në udhëtim mudn të shijosh natyrën e bukur dhe panoramën që të ofron detin dhe pamja e plazhit të Kepit të Rodnit dhe Kalasë së Skëndërbeut. Ndërkohë tek Kalaja e Skënderbeut mund të shkohet edhe me këmbë, në një udhëtim që zgjat rreth 25 minuta. Një shans i mirë për ata turistë që dëshirojnë të bëjnë ‘tracking’.
Guida jonë, Egereni na shpjegon se, Redoni sipas mitologjisë Ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Poseidoni i Grekëve apo Neptuni i Romakëve. Për një kohë të gjatë studiuesit janë përpjekur që të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit e mban sot Kepi i Rodonit. Redoni ka qenë Perëndia kryesore zyrtare e shtetit Ilir. Ai ka qene i vlerësuar nga Ilirët dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit Ilir Gent.
Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit. Sipas legjendave, Skëndërbeu e preferonte këtë kala për t’u çlodhur pas luftimeve të gjata.
Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj. Qëllimi I ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga Venecianët.
Ndërkohë kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për tu larguar drejt Italisë, në rastin e një sulmi fatal turk.
Vite më vonë pasi u pushtua prej turqve kalaja e Rodonit nuk u shfrytëzua më për qëllime ushtarake. Kështu ajo u braktis për tu quajtur një relike e kohës së shkuar, u lanë jashtë kujdesit për tu shndërruar në rrënojë.
Ministrja Ekonomi shpjegoi se këto udhëtime bëhen pikërisht për të treguar dhe për të parë një pjesë të historisë të vendit tonë dhe për të vlerësuar atë që kanë ngritur prej shekujsh të parët tanë.
Pas kalasë së Skëndërbeut udhëtimi ynë na shpie në drejtim të ‘Agri Tourism Huqi’, një restorant tradicional me prodhiem bio ku specialitet është pjekja e mishi të kecit dhe qengjit në pus me recetë speciale.
‘Agri Tourism Huqi’ ndodhet në Radë, reth 30 minuta larg qendrës së Tiranës, 4 km pasi ke lënë autostradën Tiranë – Durrës për të shkuar në drejtim të Gjirit të Lalëzit. ‘Agri Tourism Huqi’ është hapur në vitin 2015 dhe është një restorant buzë një rezervuari, rrethuar me hardhi dhe ullinj, me ambiente shumë të pastra dhe të qeta.
Gatuhet shumë mirë, gjëra të thjeshta por të shijshme, dhe shumë nga produktet u blihen banorëve të zonës. Ka djathrat tradicionalë të fshatit, sallatrat dhe mishin e pjekur në pus. Kjo është një metodë e Lindjes së mesme, por shumë interesante. Në fund të “pusit” nja 3 metra të thellë ndizet zjarr që digjet deri sa bëhet prush. Pastaj në prush ulet një tepsi e thellë me nja 15 cm ujë në të. Pasi është ulur tepsia, varet në çengel mishi i qingjit apo kecit. Pastaj “pusi” mbyllet dhe vuloset me argjilë. Uji i tepsisë avullon për ta mbajtur të butë, dhe dhjami që kullon nuk bie në prush për të bërë tym, por mblidhet në tepsinë. Tjetër gatim special ishte zogu i pulës në pilaf, shumë i shijshëm.
Restoranti është një konstruksion druri dhe xhami, që në verë hapet tërësisht. Nuk ka dysheme por është vazhdim i kopshtit me ullinj e portokalle. Madje disa pemë ndodhen brenda. Vend i mirë dhe për fëmijët, pasi mund të luajnë, ushqejnë peshqit, patat.
Kjo eksperiencë tregon se zona mes Gjirit të Lalzit dhe Kepit të Rodonit është një zonë që ofron gjithçka që i duhet një turisti vendas apo të huaj. Madje edhe turistëve që preferojnë të bëjnë disa lloje aktivitetesh gjatë pushimeve të tyre. Këtu mund të gjesh infrastrukturën e ndërtuar, pastërtiën e ujit dhe rërës për një plazh të mrekullueshëm, bukritë e natyrës për kampingje, aktivitetin sportiv me bicikleta, apo turizmin religjoz tek Kisha e Shën Ndout dhe atë historiko-arkeologjik tek Kalaja e Skëndërbeut tek Kepi i Rodonit. Në këtë zonë mund të gjesh gjithçka që dëshiron.
ATSH