Nisja e procedurave për shkarkimin e tij e ka vënë kryebashkiakun Erion Veliaj në një kurs përplasjeje me Këshillin Bashkiak. Kërkesa për të qenë i pranishëm në mbledhjen e nesërme, ka marrë një përgjigje të thatë nga Sekretari i Këshillit, sipas të cilit nëse do ta ketë të pamundur praninë fizike, ai mund të dërgonte argumentet me shkrim. I menjëhershëm reagimi i Veliajt. Ai thotë se nuk është vënë zyrtarisht në dijeni për procedurat e shkarkimit, dhe as i është garantuar e drejta për t’u dëgjuar. Kryebashkiaku kërkon që Këshilli të shprehet me votë për praninë e tij në sallë.
***
Deri para se ta arrestohej në shkurt të këtij viti, Këshilli Bashkiak kishte qenë streha ku Erion Veliaj kishte marrë gjithnjë përkrahjen e pakursyer për projektet e tij për Tiranën.
Madje në sallë nuk kishin munguar edhe skenat e përplasjes fizike të këshilltarëve socialistë me përfaqësuesit e opozitës, në mbrojtje të Veliajt.
Sot ky i fundit, e sheh veten në një situatë të përmbysur. Opozita, për llogaritë e saj politike, mbështet kërkesën e tij për të qenë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit ku do të propozohet shkarkimi i tij.
Ndërsa, socialistët bëjnë sikur nuk e kuptojnë kërkesën. Përmes Sekretarit të Këshillit, Behar Zeneli, përgjigja ishte e thatë.
“Në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutemi që observacionet tuaja, t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje”.
Në fakt, lëvizja e Veliajt, përmes kërkesës së bërë të premten e kaluar, dukej se kishte për qëllim të vinte në lëvizje Këshillin, që të ishte ky institucion që të kërkonte zyrtarisht praninë e tij në mbledhje.
Kjo, mesa duket shpjegon dhe faktin se përse ai nuk i është drejtuar personalisht Drejtorisë së Burgjeve, për të kërkuar leje që të shkojë në Këshill.
Por përgjigjia përmes Sekretarit Zeneli, e anashkalonte thelbin e kërkesës.
Reagimi i Veliajt dhe mbrojtësve të tij, nuk vonoi. Ai i kujtonte Sekretarit të Këshillit se nuk mund të merrte përsipër rolin e një organi kolegjial, për më tepër kur kompetencat e tij janë më së shumti të natyrës administrative.
Veliaj i kujton Këshillit se ai nuk ka asnjë njoftim zyrtar për zhvillimin e mbledhjes, shkaqet e shkarkimit apo materialet që e ngarkojnë me përgjegjësi.
“Kërkimi i sqarimeve dhe provave nga ana ime lidhur me shkeljen e pretenduar dhe materialet mbi të cilat ajo mbështetet, dhe si rrjedhojë nuk më është krijuar mundësia për t’u mbrojtur, dhënë shpjegime e dëgjuar para këtij organi kolegjial, as fizikisht e as me shkrim, për më tepër kur, duke qenë se ndodhem në kushtet e paraburgimit, bazuar në një masë sigurimi personale, mundësitë i kam të kufizuara”.
Veliaj këmbëngul se se duhet të jetë vetë Këshilli që duhet të shprehet për kërkesën e tij.
“Mbetem në pritje të vendimmarrjes me votim nga ana e Këshillit Bashkiak, për garantimin e të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë në procesin e iniciuar për shkarkimin e tij”.
Ndërkohë, komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës do të mblidhet nesër për të shqyrtuar kërkesën e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Shqiptarja.com mëson se mbledhja, e cila pritej të mbahej sot, është shtyrë për nesër në orën 10:00, ndërsa pritet që të futet në rend dite kërkesa për shkarkimin e Veliajt. Më pas, në 16:00 do të mblidhet Këshilli Bashkiak, ku pritet të diskutohet edhe për kërkesën për shkarkimin e Veliajt.
Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.
Vendimmarrja për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin.
Por, vendimi i qeverisë për shkarkimin e kryebashkiakut mund të mos jetë fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend.
Vetë Veliaj përmes letrës drejtuar Këshillit Bashkiak e lë të hapur ankimin në Gjykatë Kushtetuese të vendimit të mundshëm për shkarkim. Ai fliste për një akt të pajustifikuar që krijon precedent të rrezikshëm për demokracinë, si edhe theksonte se do ta mbrojë deri në fund kontratën e tij 4-vjeçare me qytetarët e Tiranës.
Erion Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni. /shqiptarja.com/

Letra e Këshillit Bashkiak drejtuar Erion Veliajt











