Seanca e sesionit të fundit për këtë sezon parlamentar u ndërpre për 30 minuta, pasi socialistët pranuan të shqyrtojnë kërkesën e bërë nga opozita për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve. Ata kërkojnë të diskutohet aty kërkesa e tyre për zhvillimin e një interpelance dhe një mocioni me debat në lidhje me zhvillimet e fundit për çështjen e inceneratorëve. Por edhe për heqjen nga rendi i ditës së ligjit për Akademinë e Shkencave.
Para këtij vendimi, për më shumë se 30 minuta, seanca u shoqërua me debate të shumta. Deputetët e opozitës u mblodhën rreth foltores dhe kjo solli futjen në sallë e disa prej efektivëve të Gardës së Republikës.
Në fund të fjalës së saj, deputetja e PD, Zheni Gjergji, tentoi t’i kalonte drejtueses së seancës, Ermonela Felaj, disa letra ku ishin kërkesat e studentëve të mjekësisë, të cilët kundërshtojnë ligjin e propozuar nga qeveria për qëndrimin e detyruar të tyre për 5 vite në vend pas përfundimit të studimeve.
Por pasi efektivët e Gardës nuk e lejuan, ishte deputeti Flamur Noka i cili mori letrat dhe kalo pas gardistëve për të lënë letrat në vendin ku ulet kryeministri Edi Rama.
Deputetët demokratë bënë thirrje që gardistët të largohen nga salla, thirrje që u përsërit edhe nga ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali. Por gjatë fjalës së saj, numri i deputetëve në foltore u shtua edhe më shumë, ndërsa të tjerë qëllonin me duar në tavolinat e tyre.
Opozita kërkon me ngulm që të nxirren menjëherë jashtë rendit të ditës në seancën parlamentare tre ligjet e sjella nga mazhoranca, ligjin për Akademinë, ligjin për studentët e mjekësisë dhe ligjin për legalizimin e kanabisit.
/f.stafa