Fatmir Mediu pas rezultateve të zgjedhjeve të 21 qershorit ka shpërthyer me kritika kundrejt PD-së.
Në një intervistë të dhënë për MAPO, Mediu thotë se PD mendon që prej 2 fushatash se LSI do bashkohet sërisht në koalicion me ta.Kjo sipas Mediut është e pamoralshme dhe e palogjikshme, ndaj dhe duhet bërë një koalicion i gjërë PS-PD, që të mos bëhen më pazare me LSI.
“Gjatë dy fushatave të fundit kam dëgjuar eksponentë të PD-së, që të jemi të kujdesshëm me LSI-në, se ata mund të bëhen prapë me ne.
Kjo është e palogjikshme dhe e turpshme.
Do të ishte më mirë një koalicion me PS-në, sesa një pazar në kurriz të shqiptarëve me LSI-në.
Nëse ne mendojmë se mund të bëjmë politikë pazaresh, atëherë njerëzit do ta bëjnë atë pazar në mënyrë pragmatike me pushtetin.
Një koalicion parlamentar me PS-në jo detyrimisht me pjesëmarrje në qeveri, por në mundësimin e reformave konsensuale si ajo kushtetuese, e drejtësisë, reforma zgjedhore…etj., mendoj do jetë një gjë pozitive…”, shprehet ndër të tjera kreu i republikanëve.