Elton Mara, mjek shqiptar në New York deklaroi në një prononcim online për edicionin qëndror të lajmeve në Vizion Plus se në mesin e të prekurve dhe viktimave nga COVID 19 në këtë vend ka edhe shqiptarë.
“Në dijeninë time ka disa raste që janë të prekur nga koronavirus, nga komuniteti shqiptar këtu në New York, mund të ketë edhe viktima, por nuk jam i saktë persa i përket shifrës”, thotë ai.
Mara shton se situata e emergjencës ka sjellë edhe disa probleme në furnizimin me aparate mjekësore ndonëse reagimi nga administrata Trump, sipas tij, ka qënë i shpejtë.
“Përsa i përket pajisjeve mjekësore, çdo spital është bazuar burimeve të veta që ka pasur në rastet normale, por kur janë rastet emergjente janë marrë edhe masat. Në dijeninë time ka pasur disa vështirësi në marrjen e këtyre aparaturave ose ndihmave mjekësore dhe shteti i Neë York-ut dhe po ashtu administrata e Trumpit, u është përgjigjur në kohë të gjitha kërkesave, megjithëse ka shumë kërkesa por jemi munduar që të shfrytëzojmë edhe burimet e brendshme vetë spitalet dhe secili nga shtetet i kanë shfrytëzuar në maksimum të gjitha burimet e veta”, tha Mara.
Ai pohoi se veç situatës shqetësuese që po shkakton në përhapje dhe në viktima, problem i madh do të jenë edhe pasojat ekonomike që do të prodhojë kjo pandemi.
“Është alarmante përsa i përket shifrës së papunësisë për arsye se para një ose dy muajsh ka shkuar mbi 6 milionë, kështu që është një shifër që flet vetë përsa i përket ekonomisë, megjithatë administrata Trump ka aplikuar një paketë stimuluese, e cila i ofrohet çdo qytetari amerikan, po ashtu edhe bizneseve të vogla e atyre të mëdhaja për ndihmë për të kaluar këtë vështirësi që po kalon SHBA”.
g.kosovari