Formula 1 është gati për të startuar sezonin me garën e parë nesër në Melbourne të Australisë, por duket se koronavirusi ka vënë në rrezik edhe këtë sport, ndaj momentalisht askush nuk mund të thotë me siguri nëse do të zhvillohet apo jo.
Kjo pasi tre anëtarë të skuadrave garuese dyshohet se janë të prekur nga virusi dhe janë futur menjëherë në karantinë, ndërsa po u nënshtrohen edhe analizave për të parë nëse janë apo jo bartës të virusit që po alarmon botën.
Sipas BBC, bëhet fjalë për një anëtar të ekipit të McLaren dhe dy pjesëtarë të ekipit të Haas, të cilët janë karantinuar në Melbourne të mërkurën si masë paraprake për Grand Prix Austrlia, që shënon hapjen e sezonit.
Ndërkohë dy ditë më parë rezultoi pozitiv edhe një person në një hotel shumë pranë cirkuitit të Melbournit, ndaj organizatorët i tremben shumë zhvillimit normal të garës, duke qenë se edhe biletat janë shitur të gjitha.
Megjithatë, në orët në vijim pritet të shihet ecuria e situatës, për të dalë në një konkluzion më të qartë nëse do të startojë Formula 1 të dielën, apo do të duhet të pritet një tjetër moment.
g.kosovari