“Kemi nevojë për njerëz, që të jetojnë dhe punojnë në Gjermani”
Kemi nevojë për njerëz, që të jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Ndaj dhe shtetasve nga vendet e varfëra të Europës jug – lindore duhet t’u jepen më shumë mundësi arsimimi, punësimi e shance për të jetuar në Gjermani. Propozimi vjen nga kryeministri i shtetit federal të Tyringisë, Bodo Ramelow nga radhët e Partisë së Majtë. Deklaratën e ka bërë në një intervistë për të përditshmen Suddeutsche Zeitung, ku flet se si duhet trajtuar konkretisht çështja e azilkërkuesve nga Shqipëria, Serbia e Mali i Zi.
Bodo Ramelow – Kryeministër i shtetit federal të Tyringisë: “Duhet t’ua lehtësojmë marrjen e vizave për punësim dhe arsimim. Ne kemi nevojë për njerëz që jetojnë këtu dhe punojnë. Vetë ketyre vendeve u duhen perspektiva zhvillimi“.
Për këtë Ramelow i propozon politikës gjermane të hedhë një hap të madh, të modernizojë ligjin për marrjen e shtetësisë dhe atë të imigracionit.
Bodo Ramelow – Kryeministër i shtetit federal të Tyringisë: “Pastaj ne mund të vendosim më në fund me pastërti. Njerëzit që ikin për arsye politike, të marrin azil. Dhe ata që duan të punojnë këtu, të kenë shancin të vijnë në Gjermani për të gjetur një punë”.
Kryeministri i Tyringisë flet me shifra konkrete mbi nevojat per krah pune.
Bodo Ramelow – Kryeministër i shtetit federal të Tyringisë: “Për dhjetë vitet e ardhshme, kemi nevojë për 280 mijë punonjës të kualifikuar. Dhe po flasim për një shtet federal që në 20 vitet e fundit ka humbur 350 mijë banorë si pasojë e migrimit. Si do t’i zëvendësojmë këta njerëz? Në Tyringi ka qendra arsimimi dhe shkolla për formimin profesional, që në 1/3 e tyre janë bosh. Aktualisht kemi 5 mijë vende të lira arsimimi”.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur debati i ditës në politikën gjermane, është sesi mund të ndalet fluksi i azilantëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kërkesat nga rajoni përbëjnë 40% të numrit total të azilkërkuesve të këtij viti në Gjermani.