Regjisori kanadez Dion Ventress do të arrijë sot në Kosovë ku edhe do të nisë xhirimet e filmit të parë horror në Kosovë.
Regjisori Ventress ka zgjedhur qytetin e Kaçanikut që të realizojë xhirimet e këtij filmi dhe tashmë edhe zyrtarisht është nënshkruar marrëveshja për vendin.
Filmi do të titullohet “Katunar” dhe ky zhanër po realizohet nga Kuanis Peto Group, kompani kjo që udhëhiqet nga vet regjisori dhe producenti Dion Ventress.
Ventress, do të pritet në aeroportin e Prishtinës, nga vetë zyrtarë të komunës së Kaçanikut.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, tha se ndihet i nderuar që regjisori ka zgjedhur komunën e Kaçanikut për të bërë xhirimet.
“Është një nder që Kaçaniku është zgjedhur si vendndodhje për një film që do të lançohet në tregun ndërkombëtar. Qytetarët e Kaçanikut dhe të Kosovës në përgjithësi janë të ngazëllyer që për herë të parë një projekt kinematografik ndërkombëtar do të realizohet këtu. Dëshirojmë mirëseardhje të ngrohtë”, citohet të ketë thënë ai.
Në një komunikatë të dërguar nga Kuanis Peto Group thuhet se storia ‘Katunar’, ka zgjuar interesimin e kompanive të produksionit në Amerikën Veriore, Skandinavi, si dhe distributorëve të filmit, aktorëve që janë kurioz dhe mbështetës për projektin, gjatë pre-produksionit.
Ndërsa në Kosovë, Ventress do të ketë zyrë të përhershme për kompaninë e tij të produksionit Kuanis Peto Group, dhe do t’u bëj të mundur partnerëve të marketingut që të punojnë me homologët e tyre kanadezë./KosovaPress/